E diel, 28 Nëntor, 2021
12.5 C
Tirana

ILD e Gjykata e Vlorës, thirrje ministrit Çuçi: Jo gjyqe publike për drejtësinë

Pasi ka shfajësuar policinë për katër vrasjet në Velipojë dhe katër viktimat në aksident, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, iu rikthye edhe akuzave të gjyqësorit.  Ai përmendi edhe emra, të tillë si gjyqtari i Vlorës Albert Spiro, në lidhje me shqyrtimin e rastit të Edison Begajt, të cilit iu bë atentat te dera e shtëpisë. Sulmi i Çuçit ndaj Drejtësisë është i disati në daljet e tij si kreu i Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që zv/ Kryeministri Braçe fajësoi “kapitalizmin” si shenjë të përplasjeve të qytetarëve dhe kërkoi menaxhim nga shtetit të disa pasurive.

Mënjeherë pas qëndrimeve të ministrit Çuçi reagoi Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. “Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor”, deklaroi ILD në reagimin e saj, duke i bërë thirrje që të mos cënohet pavarësia e institucioneve. Pas ILD-së, reagoi edhe  Gjykata e Vlorës.

Njoftim per shtyp i ILD-së:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë u njoh me deklaratat publike të ministrit të Brendshëm z. Bledi Çuçi, me anë të të cilave janë paraqitur pretendime lidhur me disa vendimmarrje të magjistratëve dhe rolit të ILD-së. ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive.

Për transparencë ndaj publikut, prioritet i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet, i të gjitha pretendimeve të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë lidhur me veprimet, mosveprimet ose shkeljet e magjistratit brenda apo jashtë funksionit të tij, në ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.

Këto parime duhet t’i respektojë cdo institucion në vend, si standarde dhe vlera të një shoqërie demokratike dhe të garantimit të shtetit të së drejtës. Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor.

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve. Në rast të konstatimit të sjelljeve të cilat përbëjnë përgjegjësi disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë për sa ka vepruar deri më tani, në rastet kur ka konstatuar sjellje apo akte të cilat përbëjnë shkelje disiplinore ka propozuar marrjen e masave të nevojshme disiplinore.

Deklarata e plotë e Gjykatës së Vlorës

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi është njohur nëpërmjet medias me deklaratën publike dhënë nga Ministri i Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, i cili gjatë fjalimit të tij, ka përmendur vendimmarrjen e gjyqtarit Albert Spiro, në lidhje me shqyrtimin e çështjes penale, të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për procedimin penal nr. 839/2021, në ngarkim të shtetasit E. B, ju informojmë se: Më datë 16.06.2021, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është regjistruar cështja me nr. 159 regj., datë 16.06.2021, me objekt: Vleftësim arresti, caktim mase sigurimi në ngarkim të shtetasit E. B. , akuzuar për veprën penale parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal. Sipas listës së gatishmërisë së gjyqtarëve, rezulton se gjyqtar i gatshëm më datë 16.06.2021, ka qënë gjyqtari Albert Spiro, të cilit i ka kaluar për shqyrtim kjo kërkesë penale.

Në seancën gjyqësore të datës 18.06.2021, është marrë në shqyrtim kjo kërkesë penale, dhe nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është kërkuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në përfundim, gjykata ka vendosur sipas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria. Sqarojmë se, deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve. Jemi të hapur për verifikime nga ana e çdo institucioni të ngarkuar me ligj. Ju faleminderit!

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Masakrimi i masakrës

Nga: Luçiano Boçi  Kur ndodh një krim, gjëja kryesore që bëjnë autorët është djegia e mjeteve me të cilat kryhet krimi. Pra asgjësohet vetë krimi....

I ndaloi keçapin lojtarëve, kompania nuk ia përton Antonio Kontes

Emërimi i Antonio Kontes në krye të Totenhemit, solli ndryshime në klub. Tekniku i dha një vemendje të veçantë ushqimeve që konsumonin lojtarët, të...

FORMULA 1/ Presidenti ‘tradhton’ Shumakerin: S’është më i miri i historisë

Presidenti i FIA-s i ka befasuar të gjithë, duke mos e kurorëzuar si më të mirin ish-pilotin e tij në kohën e Ferrarit. Zhan...

Skandali me pagesat e UEFA-s, FSHF publikon “provat” e gabuara

Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë sot me një tjetër qëndrim zyrtar rreth çështjes së skandalit të shpërndarjes së fondeve të UEFA-s, në mënyrë...

Kreu zbulime që e revolucionarizuan shkencën: Kush ishte Galileo Galilei

Në cilësinë e ”babait” themelues në fushën e fizikës dhe astronomisë, Galileo Galilei është i njohur për kontribute të panumërta në shkencë. Mendimtari italian,...