E premte, 15 Janar, 2021
3 C
Tirana

Historia unike e Peter Knowles, “ujkut” nevrik që la futbollin për Zotin

Histori unike, e çuditshme, por e vërtetë. Gjithçka rreth një emri: Peter Knowles, i cili i zhgënjeu shumë tifozët e Wolverhampton. Ata ende nuk e kuptojnë se si Peter Knowles, sulmuesi i cili po shkëlqente me skuadrën e tyre të zemrës, e la futbollin pak ditë para ditëlindjes së 24-t. Një trokitje në derën e shtëpisë së tij ndryshoi gjithçka dhe “ujqit” humbën një sulmues, që sipas tifozëve do t’u kishte çuar titullin kampion atyre.

Një histori shumë e çuditshme, por e vërtetë. Futbolli dhe feja sa duket nuk mund të bashkëjetonin bashkë dhe Knowles braktisi skenën që e bënte atë “Zot”, për t’ia dedikuar jetën pikërisht atij, të Vërtetit. Atëherë kishin guxim ta krahasonin me George Best, por gjithçka mbeti te fjalët, pasi sulmuesi mori vendimin drastik atëherë kur nuk pritej.

KARRIERA – Peter Knowles lindi më 30 shtator të vitit 1945 në Fitzwilliam. Familja e tij ishte e lidhur me sportin, por jo me futbollin. Babai, Cyril, luante regbi me Wakefield Trinity. Gjërat ndryshuan më pas, pasi Peter dhe vëllai i tij, Cyril (u aktivizua me Tottenham dhe kombëtaren e Anglisë), treguan se kishin talent në futboll.

Wath Wanderes, ekip moshash që furnizonte me të rinj Wolverhampton, e vuri re Peter. Djaloshi e urrente shkollën, por aty e zbuluan dhe i ofruan mundësinë të kthehej në një idhull. Në moshën 16-vjeçare, në vitin 1961, ai luajti me ekipin e të rinjve dhe ra në sy direkt. Vitin tjetër firmosi me Wolves një kontratë 6-vjeçare.

“Më bindi nëna, pasi unë isha bërë gati të shkojë në punë, në minierë. Një prej skautëve të tyre më propozoi të bëhesha pjesë e Wolves, por nuk është se u impresionova. Nëna më tha të dëgjonim kushtet e tyre dhe trajneri më bindi. Ai ishte njeri i sinqertë dhe ma mbushi mendjen”, tregon fillimisht Peter, ndërkohë që nuk mbaron me kaq.

“Isha 17 vjeç kur më dhanë mundësinë të luaja me ekipin e parë. Luanim në Leicester dhe fituam. Shënova në takimin tjetër në shtëpi, kundër Bolton, dhe gazetat më pas shkruanin: ‘Një yll i ri po lind’. Isha i lumtur vetëm kur luaja futboll dhe shënoja gola. Isha pjesë e Anglisë U18 disa herë, më pas edhe me Anglinë U23. Të gjithë mendonin se shumë shpejt do i bashkohesha ekipit të parë të kombëtares”.

Sulmuesi i Wolves, veçse dallohej për shënimin e golave, edhe krijonte shumë raste për shokët e tij. Në vitin 1965 “ujqit” ranë në ligën e dytë dhe Peter ishte nivel tjetër, ndaj edhe golat ishin të shumta, madje që në fillim realizoi dy tripleta, kundër Carlisle United dhe Derby County. Një dëmtim e ndaloi për shumë ndeshje, por ai e mbylli sezonin me 19 rrjeta të tundura.

Wolves u ngjit në ligën e parë dhe për sulmuesin pati sërish dëmtime. Rezultati, 21 ndeshje dhe vetëm tetë gola të shënuar. Gjithsesi ai mori një ftesë nga Anglia U23, ndërsa në verë shkoi në SHBA, aty ku klubi anglez përfaqësoi Los Angeles, në një mini-ligë që FIFA e bëri në mënyrë që edhe atje të praktikohej futbolli.

Klube të ndryshme angleze merrnin pjesë dhe Los Angeles Wolves triumfoi. Edhe në vitin 1969 ai shkoi sërish në SHBA. Këtë herë “ujqit” përfaqësuan Kansas City dhe sulmuesi anglez shënoi pesë gola. Disa herë Knowles kërkoi largimin nga skuadra, por nuk e lejuan. Peter kishte një karakter të vështirë, ishte natyrë rebele dhe e shprehte edhe në fushë. Ndodhte që kur shënonte ta hidhte topin matanë, sa mundej.

Më pas erdhi momenti i martesës, me Jean. Trajneri, i cili i kishte organizuar edhe një takim me psikiatrin, për shkak të sjelljes së tij, mendoi se aty do të vinte kthesa për Knowles. Në fakt nuk i munguan problemet edhe në jetën familjare, por dy muaj pasi u martua, ndodhi edhe takimi me dy Dëshmitarët e Jehovait, që i ndryshoi jetën në çdo aspekt.

Peter dhe Jean, ditën e martesës

SI E LA FUTBOLLIN – Peter, që i ri kishte provuar të bëhej kampion Evrope, madje edhe kishte shënuar në finale. Anglia U18 kishte thyer Holandën me rezultatin 4-0, duke ngritur edhe trofeun. Gjithsesi kurrë nuk provoi të vishte fanellën e kombëtares së vendit të tij, sikurse bëri i vëllai Cyril. I kishte të gjitha shanset, por mendoi të vepronte ndryshe dhe t’ia hiqte vetes atë shans.

Udhëtimi në Kansas e kishte bërë atë të mendohej mirë dhe të merrte vendimin final. “Do të vazhdoj të luaj futboll për momentin, por e kam humbur ambicien për ta bërë diçka të tillë. Megjithëse bëj më të mirën në fushë, më duhet më shumë kohë të studioj Biblën dhe mund të tërhiqem nga futbolli”. Vizita e Dëshmitarëve të Jehovait ishte pasuar me aktivitete të ndryshme, ai kishte nisur të praktikonte fenë dhe ishte një tjetër njeri.

Sezoni 1969-1970 nisi mirë për Wolves, që i fitoi katër ndeshjet e para. Knowles shënoi në tre sfidat e para. Më pas erdhën dy barazime në shtëpi dhe një humbje me Coventry jashtë fushe. Java e tetë u vendosi Wolves përballë Nottingham Forest, takim që u mbyll me rezultatin 3-3. Aty Peter e mbylli me futbollin e luajtur dhe ëndrra për të qenë në Botërorin e Meksikës në vitin 1970 mori fund.

“Në atë kohë isha ateist, nuk besoja në Zot dhe isha i lumtur që isha një futbollist profesionit, pjesë e Wolves. Nuk po mburrem, por isha mirë me futbollin. Një ditë, dy Dëshmitarë të Jehovait trokitën në derën time. E dini se çfarë u thashë atyre? Pse vdiq babai dhe dy motrat e mia, që nuk kishin bërë asgjë të gabuar. Ata hynë brenda dhe u përgjigjen pyetjes që u bëra. Ata u përgjigjën me një pyetje tjetër, të cilës unë nuk ju përgjigja kurrë. Kështu unë u bëra Dëshmitar i Jehovait”.

Peter Knowles dhe Ernie Hunt

Drejtuesit e Wolverhampton menduan se sulmuesi do të kthehej një ditë dhe për 12 vite me radhë e mbajtën nën kontratë atë.  “Të gjithë, trajneri, lojtarët, familja ime, mbështetësit e Wolves, thanë se do të kthehesha për gjashtë muaj. Familja ime nuk mund ta përballonte. Vëllai im, Cyril, tha: ‘Jepini atij gjashtë muaj’. Ata nuk mund ta përballonin. Më dërguan kontratat për 10 vite. Mendonin se do të firmosja. Është vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time. Kurrë nuk jam penduar për atë që vendosa. Asnjëherë”.

“Bibla thotë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Por kur vesha një fanellë futbolli, kishte një ndryshim. Njerëzit filluan të më adhuronin, më shihnin si idhull mua. Ata më trajtuan ndryshe nga një person i zakonshëm. Kështu që mendova: ‘Çfarë duhet të bëj?’ Njerëzit mund të thoshin pse nuk i bëj të dyja, edhe të jem Dëshmitar i Jehovait, edhe të luaj futboll. U thashë që nuk mundem, duhet të heq dorë nga njëra dhe vendosa të lë futbollin”.

Peter, ditën kur la futbollin

Për të arritur në këtë vendim kishin ndodhur shumë gjëra që Peter ishte bindur: “Mora pjesë në Asamblenë e Ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait, ‘Paqja në Tokë’. Isha në stadiumin ‘Wembley’, këtë herë jo për futboll. Merrnin pjesë 82 mijë vetë dhe ishte mundësia më e mirë për të krahasuar atmosferën e asamblesë me të ndeshjeve.

Ajo javë më çoi në shtëpi të bindur që kishte një ndryshim të madh mes jetës si yll futbolli dhe asaj ku i përkushtohesh Zotit. Gjithsesi ende nuk mendoja se ishte e pamundur të luaje futboll dhe të ishe Dëshmitar i Jehovait. Një natë ftova drejtuesin e kongregacionit tonë, që të vinte në stadium dhe të më shihte mua. Fituam dhe unë shënova një nga golat. Më pas ai më mori në telefon dhe biseduam gjatë.

E pyeta se çfarë mendonte për lojën. Isha i shokuar kur ai më tha se isha një person tjetër në fushë, ndryshe nga ai që isha në mbledhjet që bënim në Sallën e Mbretërisë. I shpjegova që i lutesha Jehovait të më ndihmonte të mos e humbas durimin. Më tha që në fushë ndonjëherë veproja si gladiator. Nuk isha ende i bindur.

Kur po luanim në Manchester, turma lëshonte ovacione të mëdha për mua. Sa herë shënoja ata bërtisnin egërsisht emrin tim. Fillova ta kuptoj që ajo që kishte thënë mbikëqyrësi im, ishte e vërtetë. Shumë njerëz për më trajtonin si një Zot. Ishte një shembull i kthimit në idhull dhe e dija që ishte e gabuar. Gjithsesi ende nuk doja të hiqja dorë nga futbolli.

Peter Knowles me fansat

Mbaj mend, që përpara një ndeshjeje, i lutesha Jehovait: ‘Të lutem më ndihmo t’i bëj të dyja. Të lutem më ndihmo të ruaj vetëkontrollin dhe ju lutem Jehova, më ndihmo të shënoj tre gola. Në emër të Jezu Krishtit, amen. Në zemrën time e dija që dita e mia në futboll ishin drejt fundit”.

Më pas Peter dha një intervistë për një gazetar sportiv dhe titulli ishte i qartë: “Peter Knowles bëhet Dëshmitar i Jehovait dhe mendon tërheqjen nga futbolli!”. Gjëra ndryshuan dhe ai e dinte se futbolli nuk ia jepte jetën e përhershme. Jehovai mendonte se po dhe mori vendimin e tij.

Peter Knowles, gjatë një interviste

“Disa mund të mendojnë se mund të luajnë futboll si profesionist dhe të jenë të krishterë, por për mua diçka e tillë nuk mund të ndodhte”, shprehej Peter, i cili nervat i kishte të tepërta dhe në fushë nuk i kontrollonte dot. “Ujku” vendosi dhe klubi i tij e priti gjatë, me shpresën se do të rikthehej.

Në vitin 1982 u dorëzuan, trajneri Graham Hawkins e pranoi se Knowles nuk do të kthehej më. Aty u ndërpre kontrata e sulmuesit, që kishte mbushur 36 vjeç. Më pas, Billy Bragg realizoi një këngë të titulluar “Futbollisti i Zotit” dhe të gjithë e cilësuan si një këngë dedikuar pikërisht nevrikut Peter.

Knowles, pasi e mbylli me futbollin, dhe me 101 gola në llogarinë e tij, punoi si shpërndarës qumështi, pastrues dritaresh dhe magazinier në depon e Marks & Spencer. E kuptueshme që kurrë nuk u pendua për vendimin që mori, ndërkohë që së bashku me Jean, bashkëshorten e tij, jetoi në Wolverhampton dhe ia kushtoi jetën Zotit. / VLADIMIR PRENGA – abcnews.al

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

SHBA vijon tërheqjen e trupave nga Afganistani, kanë mbetur vetëm 2.500

Ushtria amerikane ka ulur nivelin e trupave në Afganistan në 2.500. Ky është niveli më i ulët i pranisë amerikane në gati dy dekada,...

Aksidenti me 4 viktima/ Momenti i parakalimit të gabuar të ‘Citroen-it’ (Video)

Publikohet video e aksidentit që i mori jetën 4 shtetasve nga Kosova në Rrugën e Kombit, mbrëmjen e djeshme (14 janar). Në videon e publikuar...

Rigoni dhe samiti i Tiranës

Nga: Frrok Çupi Këtu është në plan një samit dialogu mes shteteve fqinje, por njëkohësisht disa kanë lëshuar fjalë kundër, sikur ‘u bëmë ne shqiptarët...

Vllaznia me njërën dorë te titulli, Teuta zhyt Bylisin në krizë

Përfundojnë dy ndeshjet që hapën siparin e javës së 14 të Kategorisë Superiore. Teuta mundi me rezultatin e pastër 2-0 Bylisin, dhe me këtë fitore...

Nuk mbajti premtimin për ujësjellësin, banorët lidhin te pema kreun e komunës

Kryetari i komunës në qytetin jugor meksikan Chiapas, Oscar Ramirez është lidhur nga banorët e zonës, pasi nuk mbajti premtimin për ndërtimin e një...