Një hotel bashkë me truallin e ndërtimit të tij janë sekuestruar gjatë ditës së sotme, në Himarë.
Gjykata e Vlorës vendosi për sekuestrimin e këtij objekti, me dyshimin se ka vepër penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.
Ndërtimi ka qenë i lejuar me vendimin nr.64 të datës 30 korrik 2018, nga ana e Bashkisë Himarë. Mësohet se leja e ndërtimit për hotelin me një sipërfaqe trualli prej 700 m2, ishte dhënë në favor të një shoqërie sh.p.k, me administrator shtetasin F.H.
Hoteli ndodhet në Spille të Himarës dhe vlera financiare e objektit dhe truallit bashkë, kapin një shifër prej 500 mijë eurosh.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, zbatuan Vendimin Penal nr. 1314, datë 20.06.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi këtë objekt.
Sekuestrim u bë në kuadër të procedimit penal nr. 342 viti 2019, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.