Nga: Anxhela Ferra
Kundër aktivitetit naftë-kërkues në Zagori, si dhe kundër ndërtimit të HEC-it në Kanionin e Holtës, kanë qenë këto dy kauzat që kanë ngritur dhjetëra qytetarë sot në protestë. Ata u nisën nga sheshi “Skënderbej”, për të ndaluar në ambientet para Kryeministrisë.
Në 27 prill të vitit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar ndërtimin e HEC -it në zonën turistike të Gramshit dhe dokumenti është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe ish-Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës Damian Gjiknuri.
Por, edhe pse ky vendim është ndeshur me rezistencën e shumë banorëve, qytetarëve dhe aktivistëve, ende nuk ka një anulimit të lejes me vendim zyrtar. I vetmi reagim ka qenë në ‘Facebook’ nga kryetarit të Partisë Socialiste në Gramsh, Klodian Taçe. I cili siguron se hidrocentrali do të anulohet dhe se për anulimin e projektit ka marrë garanci nga deputeti i qarkut të Elbasanit njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Aktori i mirënjohur i humorit, Florjan Binaj në një prononcim për Tirana Today, e quan një vendim të turpshëm, për të cilin duhet të merren sa më shpejtë masat.
“Nuk është çështja se kur do të anulohen, por pse u bë. Apo është kjo loja ‘tërhiq e mos e këput’. E gjitha kjo është e tepërt, ka ardhur në një pikë që nuk durohet më. Dhe të gjithë këta që kanë ardhur sot, e shumë që na mbështesin nuk janë pjesë e asnjë partie. Janë thjesht natyrë-dashës, njerëz që e duan natyrën e duan Shqipërinë, më shumë se këta që po bëjnë këto lojëra.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që të shkatërrohet një mrekulli e natyrës. Nuk vjen turisti për të parë HEC-e. Keni parë ju ndonjë turist në botë që të pyesë në kemi HEC-e në Shqipëri? Është budalliku më i madh. Kjo është një babëzi që nuk e kanë bërë as ata që na kanë pushtuar. Kanë djegur disa shtëpi, kanë vrarë njerëz; por nuk kanë shkatërruar mrekullitë e natyrës. Dhe këtë gjë po e bëjmë ne shqiptarët.
Është për të ardhur keq sepse një qytet si Gramshi, ku e gjithë rinia nuk ka as punë e vetmja gjë që mund të mbajë është ky Kanioni i Holtës. Por, dhe atë po e shkatërrojnë me një HEC i cili herë mund të ketë prurje lumi e herë të tjera mund të mos ketë. Gjithashtu shkatërrojnë vende pune, një mrekulli të natyrës. Pse nuk japin Lanën për ta bërë HEC?!”
Aktivisti Arben Kola thotë për Tirana Today se edhe pse punimet kanë ndaluar momentalisht, ata i tremben rifillimit. Kjo pasi nuk e besojnë deri në momentin e një shkresë zyrtare. Ata kërkojnë rehabilitimin e zonës për të qenë gati për fillimin e sezonit turistik. Pasi punimet e deri tanishme janë shumë të dëmshme për Kanionin.
“Ti more zotëri kur ishe kaq i ndërgjegjshëm pse e lejove atë lejen që në fillim, pse nuk reagove? Pse gjithmonë këta dalin me reagime, pasi bëhet bujë? Këto deklarata janë propagandë. Përsa kohë nuk ka vendim juridik që cakton datën e ndalimit dhe datën e rehabilitimit , mos bini pre e mashtrimeve.
Unë isha para dy ditësh në Gramsh, i pash punimet që janë bërë dhe ato janë shkatërrimtare. Ato punime rehabilitohen për një javë, ndaj unë e shumë aktivistë të tjerë jemi të gatshëm që në mënyrë vullnetare ta prishim murin e telit dhe t’i largojmë gurët. ne e duam Kanionin e Holtës gati për 1 prill që të jetë për turistët.
Tani është ndaluar puna, por sa të plasë ndonjë skandal tjetër. Në momentin që ndodh kjo gjë do të shpërqendrohet vëmendja. Unë i bëj thirrje banorëve të Gramshit që të shkojnë atje dhe ta mbrojnë Holtën.”/ TIRANA TODAY