Gjatë fundit të muajit prillit të vitit 2018 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, është miratuar ndërtimi i një hidrocentrali në Gramsh. Por, fillimi i ndërtimit ka ngjallur kundërshtime të forta, pasi vendndodhja është një prej pikave më të vizituar të qytetit, në Kanionet e Holtës. Por, edhe pse ishte vetë mazhoranca, e cila veç një vit më parë e nënshkroi marrëveshjen, pas rezistencës së banorëve dhe aktivistëve, ajo duket se është tërhequr, duke thënë se projekti do të anulohet.
Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike Jamarbër Malltezi në një intervistë për Tirana Today thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë për sa kohë nuk ka një shkresë zyrtare. Dhe se kompania është me të drejtë të vazhdojë punimet se urdhri në fuqi është marrëveshja e bërë afro një vit më parë.
“Ky hidrocentral e ka bërë murin në fillim të kanionit, pra një ndikim e ka realizuar tashmë. Me realizimin e kësaj vepre-marrje 100 metra më tutje, mund të krijojë pellgje dhe e bën të paakesuseshëm kanionin nga turistët që e vizitojnë në këmbë.
Ne kemi një dokument me firmë e vulë të kryeministrit, pra kjo është një leje. E firmosur po ashtu edhe nga Damian Gjiknuri dhe drejtoresha e Agjencisë së Planifikimit të Territorit. Tani që ne flasim firma është në të drejtën e saj të vazhdojë me punimet. Por, për fat të keq shumë nga këto ministra janë kukulla të kryeministrit, të cilët firmosin si dele. Ligji ta detyron që çdo kërkesë për leje duhet të jetë publike. Këtu është një qeverisje që njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Dhe nëse dalin njerëzit të protestojnë ata reflektojnë, në të kundërt vazhdojnë në çmendurinë e tyre.”
Me idenë e shndërrimit të ujit në ar, projektet për HEC-e janë kthyer në një kërcënim serioz për shumë zona të mbrojtura në vend. Edhe pse me ligj është e ndaluar ndërtimi në këto vende, përsëri qeveritë kanë miratuar projekte, të cilat jo pak herë kanë parë dyert e gjykatave. Ku ndër më të njohurat për bujën mediatike janë hidrocentralet e planifikuara në Valbonë.
“Nuk di të them qartë se çfarë ndryshon nga Kanioni i Holtës me Valbonën, por një nga gjërat e qarta ishte që në Holtë është prekur zona e mbrojtur. Në Valbonë nuk e di a është prekur zona e mbrojtur. Sipas asaj që më kanë thënë, por unë nuk i kam parë ato kontrata në Valbonë janë rinovime të HEC-eve ekzistuese, por kanë dëmtuar mjedisin sepse kanë tentuar të marrin maksimumin e tyre. Në rast se HEC-et në Valbonë janë në kundërshtim me ligjin, atëherë lë t’i ndërpresin dhe ato. Problem do të jetë nëse ato HEC-e janë brenda zonës së mbrojtur dhe janë të reja. Për këto një qeveri e përgjegjshme duhet të reflektojë dhe t’i ndalojë.”
Pyetjes se nëse këto kontrata janë lidhur në kohën e demokratëve dhe përse i është dhënë leje, Malltezi i përgjigjet se nuk ka informacionet e duhura. Por, sipas tij, edhe nëse lejet janë dhënë gjatë qeverisjes së Berishës, ato “nuk kanë qenë të nënshkruara në beton”. Sipas tij, ka qenë KKT e cila ka bërë miratimin pas 2013-ës.
“Për mua nuk është dhënë leje. Unë kam ndjekur me shqetësim pamje që po punohet, por nuk e di nëse janë brenda apo jashtë zonës së mbrojtur.”
Pjesë nga intervista
Tirana Today- Edhe nëse ato nuk do të ishin në zonë të mbrojtur, ndikojnë në turizëm. A kanë të drejtë ata banorë të cilët ngrihen dhe protestojnë?
Malltezi- Padyshim që ata banorë kanë të drejtë, por a ka institucione ky shtet apo jo, ky shtet a zbaton vendime gjykatash?Unë kam qenë parvjet në Valbonë dhe situata nuk ka qenë problematike.
Tirana Today- A i keni parë z.Malltezi pamjet e fadromave të cilët hedhin beton, turistët të cilët thonë se nuk do ta vizitojnë më atë perlë nëse aty vazhdon të hidhet beton? Dhe kjo nuk është një situatë që nis tani, por që në momentin që janë lidhur kontratat në vitin 2013.
Malltezi- Të gjithë kontratat që lidhen nuk janë të nënshkruara në beton. Dhe ti mund të hedhësh dhe marrëveshje ndërkombëtare në kosh të plehrave, jo më kontrata me investitorë.
Tirana Today- Por, pse ne si qytetarë duhet të paguajmë një vendim të gabuar ndoshta të një qeverie të mëparshme apo të kësaj aktuale?
Malltezi- Për këtë qeveri aktuale ne detyrimisht jemi duke paguar dhe jo pak, por çmendurisht shumë. Të qeverisjes së mëparshme qartazi unë them që nuk ka asnjë vendim që të tregohet se ka qenë vendim i gabuar dhe ti po paguan tani. Deri tani janë vetëm llogje të Edi Ramës.
Tirana Today- Jemi në rastin e Valbonës z.Malltezi, ku ekzistojnë tre leje të firmosura nga z.Genc Ruli dhe Eno Bozdo, përkatësisht në cilësinë e Ministrit dhe Zv.ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Malltezi- T’i shoh kontratat se nuk i kam parë dhe më pas të shoh vendndodhjen. Por, dhe nëse do të ishte dhënë edhe leja mjedisore do të ishte paraprake, dhe bonusi, marrëveshja me Genc Rrulin apo Eno Bozdon janë të gjitha paraprake. Vulën për fillimin e punimeve ta jep KKT-ja. Të gjithë HEC-et në Valbonë për fat të keq janë dhënë me dijeninë time, mbas 2013-ës nga KKT. Në rast se merr atë leje, ajo leje ka fuqi vetëm 3 deri në 5 vjet. Çfarëdolloj gjëje që të ishte dhe në rastin se do të ishin leje të PD-së të para 2013-ës, ato do të ishin skaduar. Kështu që këto janë kakofoni pikërisht për këtë punë. Në rast se qeveria do të bëjë punën, le ta bëjë atë.”/ TIRANA TODAY