E shtunë, 23 Janar, 2021
10 C
Tirana

“Haga” pa lidhje e Tiranës me Hagën e Holandës

Nga: Preç Zogaj

Gjatë tureve që zhvillonte si intelektual i pavarur nëpër Shqipëri para se të hynte në politikë, Edi Rama citohej të kishte thënë në Gjirokastër, me siguri në përgjigje të ndonjë pyetjeje nga salla, se Ismail Kadare do ta kishte marrë çmimin “Nobel”, por nuk e la Kokalari!

Kjo ishte një frazë tipike e tij për të përqeshur në ruajtje të seriozitetit muhabetet e kafeneve sikur çmimi “Nobel në Letërsi” varej nga ajo se çfarë thonë shqiptarët për njëritjetrin. Nga ana tjetër, siç mund të kuptohet edhe sot, ishte një mënyrë e hollë për të pohuar se Kadare dhe Nobeli ishin larg, një mendim që e kishin në atë kohë oratorët e turit të refleksioneve në fjalë.

Fansat dhe njerëzit e afërt të Ramës argëtoheshin me humorin e bardhë apo të zi të këtyre batutave.

Një çerekshekulli më vonë, Rama ka ruajtur diçka nga zakoni për të hedhur gurin që ngre rrathë e dallgë, krijon ilaritet, zemëron dhe mobilizon njerëz në kërkime dhe zhbirilime. Me ndryshimin se tani nuk është më një intelektual rebel apo ikonoklast, por një Kryeministër që kalkulon politikisht gjithçka që bën e thotë. Aq më shumë një sulm si i ky i kohëve të fundit kundër kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me periudhën kur ky i fundit ka punuar si përkthyes dhe këshilltar ligjor pranë UMNIKU-t menjëherë pas çlirimit të Kosovës.

Përgjatë një karriere politike mbi njëzetvjeçare, Rama ka regjistruar rekordet e tij të luftës verbale me kundërshtarët, por është kujdesur të mos e kalojë vijën e kuqe kur kanë qenë në lojë temat konkrete të konflikteve me ta. Është hera e parë më duket mua që e kalon këtë kufi duke orkestruar për aq sa ka mundësi një sulm politikisht vrastar të rivalit kryesor po të kishte sukses.

Nëse do ta shihnim në prizmin e luftës për pushtet, një sulm i tillë kundërshton batutat nënvlerësuese që Rama shpërndan andejkëndej për Bashën, duke e paraqitur si kundërshtar të dobët. Do të thotë se ka filluar ta shohë si shfronësuesin e tij apo si një lule për t’u këputur, nëse referojmë një metaforë të përdorur prej tij para pak ditësh. Në krye të PD-së, Basha është hallka kyçe e fitores së opozitës së bashkuar. Nëse pengohet ai, pengohet fitorja.

Po të jetë vetëm lufta për pushtet motividhe lufta për pushtet është gjithnjë një motiv i dorës së parë në fushata të tilla kundër rivalit politik- do të thoshim se duke iu drejtuar me një zell të panjohur më parë mjeteve që synojnë jo mposhtjen, por asgjësimin politik të kundërshtarit, Rama po rrezikon një konflikt me zarar, të panjohur në historinë modeste të rrotacioneve të pushtetit në Shqipëri.

Ndërkaq, nuk përjashtohet mundësia që fushata për të damkosur shefin e opozitës si keqbërës të Kosovës të shkojë edhe përtej luftës së verbër për pushtet në Tiranë. I kujt është guri që ka hedhur Rama? Do ta mësojmë ka gjasa nga zhvillimet që pritet të ndodhin në Tiranë, në Prishtinë, në Hagë. Tani për tani, Rama po ngulmon që Basha të përgjigjet nga “A-ja të ZH-ja” pa e specifikuar qartë për çfarë konkretisht, por duke nënkuptuar kohën kur ka punuar në Kosovën e lirë. Në funksion të këtij hetimi “shterues”, ai ka venë në lëvizje njëlloj “Hage” politike në Tiranë, një shemër, por edhe një përqeshje të Hagës së Holandës, ku po investon në stilin e tij opinionin se Gjykata Speciale që ka marrë të pandehur ish-krerët e UÇK-së nuk do të ishte ngritur dhe nuk do të ishte kjo që po shohim të jetë por ç’t’i bëjmë Bashës që ka hetuar e përgatitur dosjet e luftëtarëve të UÇK-së!!!

Në raport me punën që ka bërë dhe çdo punë që mund të kishte bërë në Kosovën e lirë një prej përkthyesve dhe këshilltarëve të rinj ligjorë të UMNIK-ut në vitet 1999-2004, Gjykata Speciale sui generis që u ngrit një dekadë më vonë dhe gjithë operandi amerikano-europian njëzetvjeçar për çlirimin, pavarësimin dhe vendosjen e shtetit ligjor në Kosovë janë shumë-shumë më larg sesa është larg, bie fjala, çmimi “Nobel” nga muhabetet e kafeneve shqiptare. Mendimi i kundërt është fyerje për logjikën elementare.

“Gjykatën Speciale e kemi ngritur ne në Kuvendin e Kosovës”, tha në mes të “hetimeve” që po zhvillon “Haga” e Tiranës kundër Bashës, kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Dhe kështu është. Përpara tij, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i marrë si i pandehur në Gjykatën Speciale, kishte deklaruar se mezi kishte pritur të përballohej me akuzat shumëvjeçare të qarkulluara në llojlloj raportesh e samitesh. Ish-krerët e UÇK-së e patën votuar në Parlamentin e Kosovës Gjykatën Speciale sa për t’u konformuar me partnerët amerikanë e europianë që kërkonin ngritjen e saj, sa për t’i hequr Serbisë një alibi të rrafshit propagandistik sikur paskësh një simetri krimesh të palëve ndërluftuese në Kosovë (çmenduaria më e madhe që mund të imagjinohet), sa për të mos u paragjykuar se kishin mizën nën kësulë.

Ata ishin të vetëdijshëm dhe krenarë që kishin mbrojtur atdheun dhe popullsinë civile nga mizoria e pushtuesve serbë, por nuk kishin kryer krime. Akuzat që u lihen shamatorëve publikë bëjnë dëm të madh në jetën e një vendi. Kurse ato që zbardhen në aulën e drejtësisë janë jo vetëm në të mirën e atyre që janë akuzuar padrejtësisht, por edhe të vendit. Sidomos kur të akuzuarit e çliruar nga akuzat janë figura të larta publike e politike. Mbi këtë princip të shëndoshë Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi ngritjen e Gjykatës Speciale dhe koha e solli që ish-drejtuesit e UÇK-së të jenë të parët që do të gjykohen prej saj.

Lexo edhe :   Diskriminimi ndaj veriut të Shqipërisë, rezultat i monizmit të sotëm politik

Ata po paguajnë në Hagë një çmim që besojmë fort se do të jetë i padrejtë, i shpagueshëm në rrafshin ligjor. Kam bindjen se akuzat kundër tyre për krime kundër njerëzimit do të thërrmohen, duke qenë se nuk ka ekzistuar dhe as është imagjinuar ndonjë platformë kriminale e shkruar apo e pashkruar nga UÇK kundër popullsisë civile serbe apo të çdo grupi tjetër etnik. “Ndërmarrja e përbashkët kriminale” që referojnë prokurorët e Hagës do të shpërbëhet me turp. Në fund besoj se akuza do të ndalet të disa vrasje që kanë ndodhur në Kosovë, hakmarrje, larje hesapesh e tjerë, të cilat ka dështuar t’i zbardhë drejtësia brenda Kosovës, por që duhet të zbardhen. Në thelb besoj se kanë qenë dhe janë pikësëpari familjarët e këtyre viktimave që kanë shtyrë e shtyjnë fort, me plot të drejtë, për të bërë drejtësi për të afërmit e tyre.

Lexo edhe :   Të premtosh 'shkapjen' e shtetit, për ta gjunjëzuar atë

Ky është një opinion që rreket të ngrihet mbi një bazë logjike, pa pasur asnjë informacion se çfarë kanë në dosje prokurorët e Hagës. Në fakt, me përjashtim të avokatëve dhe ndoshta edhe të të pandehurve, askush nuk i njeh ende faktet konkrete të akuzës. Vetë prokurorët kanë qenë të rezervuar dhe duket se po manovrojnë me to në këtë fazë.

Por në Tiranë sillen sikur e dinë. Mekanizmi që ka vënë në lëvizje Rama, një si grup “prokurorësh” e “hetuesish” politikë, i kërkon Bashës “trego, tregooo”, me një tempizëm që të kujton nganjëherë gestapon apo  Prokurorinë e komunizmit. Në listën e “të panjohurave” që duan të mësojnë këta “prokurorë” cinikë me kujtesë të shkurtër janë edhe të dhëna që Basha i ka vënë në jetëshkrimin e tij publik, siç vinte në dukje një gazetar kritik me Bashën.

Sipas një zakoni të shëmtuar, të ngulitur prej tridhjete vitesh, ata që pyesin lënë të kuptojnë se i dinë përgjigjet. Por “duam të na e thuash vetë me gojën tënde” është nënteksti. Ç’ligësi!

Me logjikën elementare, njerëzit që nuk mbajnë anë verbërisht në këtë diatribë u kërkojnë Ramës me shokë: “Ja, nuk do Basha të përgjigjet! Pse nuk i thua ti nga A-ja të Zhja ato që ditke për të meqë e paske edhe numrin e bëmave”?

Nuk i thotë sepse kërkon ta mbajë kryqëzatën në sferën e dyshimeve. Ndërkohë që faktet janë armiku i dyshimeve dhe do ta rrëzonin qëllimin e Interrogatorios.

Në gjithë këtë histori, Rama me shokë harrojnë se “Haga” e tyre kundër Bashës i prezumon si të vërteta akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagën e Holandës. Ja ku të çon rrëmbimi prej stihisë çmendurake. Në fakt, akuzat që lidhen me të famshëm ‘shtëpi e verdhë’, me trafikun e organeve dhe mizori të tjera të përmendura në raportin e Dick Marty, kanë rënë si një xhungël thashethemesh dhe nuk ndodhen në aktakuzën për ish-krerët e UÇK-së. Ketë e pohoj në seancën e parë avokati i zotit Thaçi. Për akuzat e mbetura, të cilat nuk i dimë akoma, Thaçi, Veseli, Krasniqi e të tjerët do të dinë si të mbrohen e të përgjigjen. Nuk ta rrok mendja që ata të jenë përshirë personalisht, në asnjë lloj forme, në vrasje a pengmarje civilësh.

Në këtë moment delikat për Kosovën ndihma më e madhe që mund të japë Shqipëria është të qëndrojë e bashkuar në mbrojtje të rezistencës popullore dhe luftës së drejtë patriotike të UÇK-së në një anë, pavarësisë, arritjeve dhe aspiratave të saj euroatlantike në anën tjetër. Këtë po kërkojnë politikanët e Kosovës me radhë. Tirana mund të ndihmojë gjithashtu duke orientuar e mbështetur të dëshmojnë në Hagë të gjithë ata shqiptarë e jo shqiptarë që kanë prova e fakte që kundërshtojnë e rrëzojnë akuzat ndaj të akuzuarve. Kjo është e realizueshme përmes avokatëve të tyre. Ndërkohë, po të kenë nevojë për dëshmi të politikanëve të lartë të Tiranës, prokurorët dhe gjykatësit e Hagës që kanë urdhëruar prangat në duart të ish-luftarakëve nuk kanë asnjë problem t’i thërrasin. Por nuk ka gjasa të thirret njeri.

Sepse “Hagën” e Tiranës dhe Hagës e Hagës nuk i lidh asgjë. As tymnaja e foltoreve, studiove dhe komisioneve hetimore që i janë kthyer si kofini pas të vjelit, njëzet vjet me vonesë, “raportimit” të luftës dhe “investigimit” të masakrave me shpresë se do t’u dalë aty gjëkundi emri i ndonjë përkthyesi apo këshilltari ligjor i atyre viteve. E thoshte mirë një miku im: kur lufta po ndodhte, nuk ishte në fokus veç me ndonjë lajm anësor. Merreshin me Naçin, Baçin, Kaçin… Tani po del lajmi i parë. Prapë për nevoja politike të brendshme. Çfarë mjerimi!

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...