Kreu i Shoqatës së Myslimanëve në Greqi është ankuar se xhamia e Athinës është ndërtuar pa minare.
Naim Elghandour, 62 vjeç, president i Shoqatës së Myslimanëve të Greqisë shprehu hidhërimin e komunitetit mysliman në Athinë, për shkak të xhamisë së ndërtuar në Votanikos, gjatë një interviste për radion greke “Thema Radio 104.6.”
“Duket si një magazinë. Kjo na qenka xhamia që kanë vite e vite që na thonë se mund të akomodojë 300 njerëz?”, u ankua Naim Elghandour.
Ai rrëfeu më tej në intervistë se nuk e kishte kuptuar se përse autoritetet greke e kishin mbajtur kaq shumë të fshehtë të gjithë projektin? “Pse nuk duhet ta dinë njerëzit se çfarë është duke u ndërtuar?”
Elghandour tha se qeveria greke kishte vetëm një qëllim: ta përfundonte projektin sa më parë që të ishte e mundur. “Një ministër më tha se ne kemi për tu bërë qesharakë në gjithë botën me këtë xhami”, tha ai.
“Unë kam ardhur nga Egjipti 45 vjet më parë. Atje kishim kishën gjigante të Shën Nikollës, kishim një shkollë greke, kishim gjithçka. Pse duhej të kalonin shumë vite për të na ndërtuar një magazinë pa minare dhe pastaj të na e tregonin se është kjo? “, tha ai.
Ai vuri në dukje më tej se Egjipti i lejoi kishat greke të ndërtoheshin me kulla, kambana dhe ngriti pyetjen se përse Egjiptin e quajnë një vend i botës së tretë. “Si ka mundësi që një vend europian, si Greqia, të na trajtojë në mënyrë kaq të mjerueshme?”, tha Kryetari i Shoqatës së Myslimanëve.
Porse intervista e tij shkaktoi një breshër komentesh negative ndaj “Protothema.gr”. Disa komentues i kërkuan atij të largohet nga Greqia nëse ai e konsideronte atë si një vend të botës së tretë.
Një komentues tjetër pyeti veten: “Ai fillimisht u ankua se nuk kishin vende adhurimi. Pastaj se kishte shumë pak. Pastaj, ato se ato janë nëntokësore dhe si depo. Tani thotë se xhamia është si një magazinë dhe se nuk ka një minare. Po nesër çfarë? A mos duhet të heqim dorë nga feja jonë dhe të pranojmë Islamin? “.
Deri vonë, Greqia ishte i vetmi vend në Evropë që nuk kishte një vend adhurimi për myslimanët, të cilët sipas disa vlerësimeve, arrijnë, vetëm në Athinë, në 500 000 vetë.
Vendimi për të ngritur një xhami në zonën Votanikos, në Athinën qendrore, shkaktoi polemika të mëdha në vend, pasi njerëzit gjithmonë e panë atë me dyshim.
Greqia ishte nën pushtimin mysliman osman për gati 400 vjet përpara se të fitonte pavarësinë në fund të viteve 1800.
Përktheu dhe përshtati TIRANA TODAY