Dalin detaje të reja lidhur me super grabitjen në Rinas, ku u morën miliona euro. Mësohet se një person i gjashtë ka koordinuar grabitësit për lëvizjet brenda por edhe jashtë pistës.
Ky person nuk është identifikuar ende. “Po lëviz Policia”, ka qenë telefonata e koordinatorit drejt grupit që po kryente grabitjen, ndërsa nga analizimi i qelizave telefonike rezulton se kjo telefonatë nga numri i personit në kërkim drejt telefonit të grupit, është fiksuar nga antenat që ndodhen pranë aeroportit çka ka bindur hetuesit se ai ka ndjekur dhe koordinuar veprimet. Ndërkohë që nga të dy numrat e telefonit, hetuesit kanë rigjeneruar vetëm këto biseda dhe nuk rezulton që këto telefona të jenë përdorur më parë, raporton Shqiptarja.com.
Dy numrat e telefonit që u përdorën nga grabitësit rezultojnë të jenë blerë në treg të zi dhe janë regjistruar në emër të dy të moshuarve që nuk kanë lidhje me grabitjen, por u është përdorur identiteti për blerjen e numrave.
Sa i përket tre furgonave të përdorur në grabitje, rezulton se që të tre janë vjedhur në Kosovë dhe pasi kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri u është ndryshuar numri i shasisë dhe u janë vënë targa false. Nga analizimi tre mjeteve, dy Mercedez Vitto të djegura dhe një Chervolet model amerikan, hetuesit kanë siguruar edhe prova të tjera që po ekzaminohen dhe që mund t’i lidhin me grabitësit e përfshirë.