Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri konfirmon se disa kosovarë, përfshirë gra e fëmijë, që ndodheshin në zonën e konfliktit në Siri, janë kthyer të premten mbrëma në Kosovë.
Në një komunikim për gazetarët nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Tahiri tha se detajet do të publikohen paraditen e të shtunës.
“Operacioni i planifikuar për kthimin e disa qytetarëve tonë nga Siria tashmë ka përfunduar me sukses dhe çdo detaj tjetër do ta merrni nesër në një konferencë në orën 10”, tha Tahiri.
Të shoqëruar nga vetura të shumta policore, të kthyerit nga Siria janë larguar nga Aeroporti “Adem Jashari” në orët e para të së shtunës, për t’u dërguar në ish-bazën ushtarake në fshatin Vranidoll, në periferi të Prishtinës.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë raportoi se në aeroport, pranë vendit ku besohej se ishin vendosur fillimisht të kthyerit nga Siria, shihej një aeroplan, në një pjesë të të cilit dallohej flamuri i Shteteve të Bashkuara.
Më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.
Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.