Kudo nëpër mediat botërore po përflitet për akuzat e gazetares së njohur amerikane Elizabeth Carroll ndaj presidentit Donald Trump.
Ajo e akuzon presidentin për abuzim seksual ndërsa të gjitha detajet i ka përshkruar në librin e saj ende të papublikuar të titulluar: “Çfarë duhet të bëjmë për meshkujt? Një propozim modest”.
Mirëpo disa fragmente janë bërë virale dhe në to thuhet ndër të tjera se Trump ka abuzuar me të në një dhome zhveshje, 23 vite më parë.
Nga ana tjetër, Trump përgjatë një deklarate ditën e sotme i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke deklaruar se kurrë nuk e ka takuar Elizabeth Carroll.
Sipas tij e gjitha është një sajesë që ajo e ka shfrytëzuar për të promovuar librin e saj: “Turp për ata që shpifin tregime në mënyrë që të promovohen ose të shesin një libër”.
Sipas Carroll, ajo është takuar me Trump në vjeshtën e vitit 1995 në departamentin e dyqanit Bergdorf Goodman dhe ai e ka përdhunuar në një nga dhomat e zhveshjes.
Kujtojmë se gazetarja në fjalë nuk është e para që bën akuza të tilla kundrejt Trump. Të paktën 15 gra kanë bërë akuza të këtij lloji ndaj presidentit, ndërsa ai i ka mohuar të gjitha.