Bota

RQ-4 Global Hawk, droni 223 milionë $ që SHBA-ja e përdor për të përgjuar rivalët

               Publikuar në : 16:13 - 22/06/19 S.N

Droni luftarak amerikan RQ-4 Global Hawk, që u rrëzua të enjten në Gjirin e Omanit nga forcat iraniane, është një mrekulli e teknologjisë. Ai është projektuar dhe prodhuar nga kompania amerikane “Northrop Grumman”, dhe ka një kosto prej 223 milionë dollarësh.

Droni është 14.5 metra i gjatë, dhe peshon 6.781 kg. Shpejtësia e tij maksimale është 629 km/h, dhe mund të fluturojë deri në 32 orë rresht, deri në lartësinë 18.000 metra. Ushtria amerikane, e përdor zakonisht për misionet e vëzhgimit në rajone të ndryshme.

Ky dron është i pajisur me radarë, dhe kamera të cilësisë më të lartë termografike. Kjo i mundëson që të vëzhgojë dhe fotografojë qartë edhe natën. Prej marsit 2014, në botë ekzistojnë vetëm 42 dronë të këtij lloji, 32 prej të cilëve i ka SHBA. Pjesa tjetër përdoret nga NATO, Britania, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Para incidentit të fundit, ky lloj droni është rrëzuar 4 herë. Imazhet dhe informacionet që siguron ky dron, janë përdorur shumë në luftën kundër Shtetit Islamik. Qindra liderë dhe luftëtarë, janë eleminuar nga bombardimet, që janë orientuar pikërisht nga ky dron spiun. Po ashtu, përmes këtij droni SHBA-ja, përgjon edhe lëvizjen e Koresë së Veriut dhe Iranit mbi programin bërthamor./Tirana Today

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT