Shifrat e larta të të infektuarve dhe viktimave që po regjistrohen çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar, po e kthejnë atë në vendin më të prekur nga koronavirusi në Evropë.
Mësohet se në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 621 viktima, 118 më pak se ditën e djeshme ku u regjistruan 739 të vdekur.
Kështu numri total i viktimave të shënuara nga COVID-19, në Mbretërinë e Bashkuar ka shkuar në 28,131.
Ndërkohë janë shënuar 4,806 raste të reja, ndryshe nga dje ku u regjistruan mbi 6 mijë raste të reja infektimi. Që nga shpërthimi i koronavirusit, në Mbretërinë e Bashkuar janë konfirmuar më shumë se 180 mijë raste infektimi.
Britania është një nga vendet e pakta që nuk ka raportuar numrin e personave që janë shëruar nga kjo sëmundje, duke mbajtur kështu të fshehtë edhe numrin e rasteve ende aktive.
Mbretëria e Bashkuar ia ka kaluar Francës dhe Spanjës për numrin më të madh të viktimave. Ndërsa tashmë ndodhet fare pranë Italisë e cila shënon 28,236 vdekje, pra vetëm 105 viktima më shumë se MB.
Për momentin Britania renditet e katërta në botë për numrin më të madh të të infektuarve, pas SHBA-ve, Spanjës dhe Italisë. Ndërsa renditet e treta në botë për numrin më të madh të vdekjeve pas Italisë dhe SHBA-ve.