Reshjet e dëborës në zonat malore kanë krijuar vështirësi tek banorët. Problematikat më të shumta janë në qarkun e Kukësit, pasi trashësia e dëborës ka arritur në disa centimetra. Shqetësimi më i madh për banorët e këtij qarku është shëndeti, pasi rrugët janë të bllokuara. Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat e Armatosura kanë arritur të transportojnë sot për në spitalin rajonal të Kukësit një 38-vjeçare, e cila ishte e bllokuar në shtëpinë e saj në fshatin Tejdrinë të njësisë administrative Ujmisht në bashkinë e Kukësit, në gjendje të rëndë shëndetësore.Përmes një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes bëhet e ditur se Trëndafile Miçi, nënë e dy fëmijëve, e cila paraqitej me temperaturë të lartë trupore, 40 gradë, dhe e kishte të pamundur të transportohej për në spital për shkak të bllokimit të rrugës nga bora.Menjëherë pas marrjes së njoftimit, efektivët e Brigadës së Mbështetjes Rajonale të Kukësit dhe një mjet i rëndë, u nisën drejt fshatit Tejdrinë.Për shkak të trashësisë së borës, ushtarakëve iu desh të ecnin edhe për rreth 1 orë e gjysmë në këmbë deri në shtëpinë e të sëmurës.Pas marrjes së 38-vjeçare, efektivët e transportuan me barelë deri te mjeti i rëndë, për ta dërguar më pas në spitalin e Kukësit, nën kujdesin e mjekëve.