Ishte prestigjiozja britanike “Daily Mail” që ngriti alarmin për kushtet skandaloze që mbaheshin kafshët në një kopsht zoologjik në Fier. Të kequshqyerja dhe në një gjendje të keqe shëndetësore, fotot e publikuara shokuan opinionin publik jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Për rastin në fjalë atëherë ndërhynë forcat e Policisë së Shtetit, bashkë me inspektorët, me forcë brenda parkut zoologjik duke ekzekutuar në këtë mënyrë vendimin për zhvendosjen e kafshëve drejt Tiranës sepse “Safari Park” nuk plotësonte kushtet për jetesën e kafshëve.

Ndërsa tani, pas disa muajsh luanët e kopshtit zoologjik “Safari Park” në Fier po transferohen drejt Holandës.

Asokohe për rastin në fjalë reagoi edhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i cili premtoi se kafshët do të merren në mbrojtje.

“Në përgjigje të lajmit të publikuar në “Daily Mail”, dhe dhjetëra mesazheve për situatën e papranueshme ku jetojnë disa kafshë në një kopësht zoologjik privat në Fier.

Urdhërova urgjentisht nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit. I cili në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve, kanë vendosur të zhvendosin kafshët, me qëllim marrjen e tyre në mbrojtje nga kjo e fundit.

Aksioni do të vijojë edhe nesër, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj ngjarje të turpshme!”, thekson Klosi.










