Forcat RENEA po zhvillojnë një operacion në qytetin e Vlorës, ku janë arrestuar disa persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Mësohet se nga operacioni i zhvilluar në zonën e Lungomares, janë arrestuar deri më tani 10 persona, dhe njëri prej tyre është, Edison Begaj, i cili i shpëtoi një atentati pak javë më parë.
Ende nuk dihen rrethanat e arrestimit të Begajt, por mësohet se të riut i është gjetur një armë zjarri. Identitetet e nëntë personave të tjerë që janë prangosur, apo veprat penale për të cilat akuzohen, nuk dihen ende.
Begaj ka qenë objekt i Operacionit Forca e Ligjit, të cilit i është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë, ndërkohë që më 20 shkurt të vitit 2008 ai ka rënë në pranga nga “blutë” e Vlorës si pjesë e një grupi që u akuzua për trafikim droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë.