E diel, 16 Janar, 2022
-3.5 C
Tirana

Flamuri ynë, zjarr prometean në rrugëtimin historik, poezi dhe festë

Nga: Visar Zhiti

Në shtetin e Miçiganit, komuniteti i gjerë shqiptaro-amerikan feston 28 Nëntorin, Festën Kombëtare të Flamurit, ditën e shpalljes së Pavarësisë në Detroit, në dy mbrëmje radhazi, në qendrën kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe në kishën e “Shën Palit”, të zbukuruara me flamujt shqiptarë dhe amerikanë, në bashkëpunim me shoqatat, atë panshqiptare “Vatra” si edhe “Malësia e Madhe”, AASO e studentëve, “Knights of Columbus”, etj. Këndohen këngë shqip dhe vallzohen valle tradicionale, me kostumet e mrekullueshme popullore plot ngjyra dhe recitohen himne Flamurit.

I ftuar nderi është shkrimtari Visar Zhiti, që ka dhe fjalën kryesore, një ese e frymëzuar, ku përzjehen historia me aktualitetin, mitet me kumte e përjetshme.

NGA FLAMURI NË MITOLOGJINË E TIJ:

Festën Kombëtare, më të madhen e shqiptarëve, atë të Flamurit, është nder i veçantë ta festosh mes shqiptarëve, që janë bërë bashkë si një familje e madhe, këtu ku dinë të jenë më shumë shqiptarë, po aq sa dhe amerikanë, dinë të nderojnë e të jenë mikëpritës. Dhe dine të kujtojnë.

Dhe mua më duket sonte çdo bashkatdhetar si një flamur i gjallë, sikur secili nga ne është midis flamujve, – le të flasim me fjalët që i takojnë Flamurit, – që valëvit histori zulmëmadhe dhe identitet të veçantë, ideal lirie dhe përbashkimi, përpjekje shekullore, qëndresë nën pushtimet e gjata, triumf dhe aleancë deh vizion, krenari të ligjshme dhe dashuri.

Na ka prirë Flamuri ynë dhe jemi nën palat e tij si nën vezullime agimesh dhe muzgje të atdheut, të ëndrrës mbarëkombëtare.

Ky Flamur është ngritur hijerëndë në kështjella dhe pirgje dhe fusha beteje, ka mbulur heronjtë, por dhe nëpër dasma, vargani i krushqëve kishte kryeflamurtar, e mbajnë duart e fëmijëve, ky flamur ngrihet mbi institucionet shtetërore, presdencë, parlament, kryeministri, por dhe në ballkone pallatesh, ku banojmë, në tryeza pune e në zarfe me pullat postare, është në takime ndërkombëtare, ne ceremonira e në fusha sporti e festa e ngrihet lart bashkë me Himnin, ringrihet me çdo fitore e titull kampion, e gjejmë dhe në valixhe emigrantësh si amanet, në librat e shkollës dhe antologji poezish, në sheshe e në veprimtaritë kudo në diasporë-, në ambasada në të gjithë kryeqytetet e shteteve të mëdha e të vogla e në Organizatën e madhe të Kombeve të Bashkuara, aty me të gjithë flamujt e tjerë, i sigurtë, i barabartë.

Por ndër më të bukurit. Më i bukuri, na pëlqen të themi ne, shqiptarëve.

Flamuri jemi ne.

Ne jemi Flamuri. të parët tanë dhe ata që do të vijnë…

Jemi populli me flamurin ndër më të vjetrit në botë, që shkon te legjendat dhe mjegullat e mitologjisë.

Një cohë e kuqe si gjaku dhe një shqiponjë dykrenore e zezë në mes. E kuqja dhe e zeza, ngjyra që përftohen nga qielli dhe toka. E errëta e tokës te shqiponja, që ta çojë lartësive qiellore dhe purpuri i agimeve dhe muzgjeve të atdheut, që të zbresë pllajave dhe fushëtirave deri në gjak.

Pse është kështu Flamuri unë? Çfarë do të thotë? Nga vjen?

Janë pyetje që i kemi bërë të gjithë dhe përgjigjet janë të shumta, ndër breza, nga më sugjestionueset, pasionante dhe shkencore, na vijnë nga studiues historianë e mitologë, antropologë e etnografë e i përsërsim në breza, në kuvende e përvjetorë e festa.

Çfarë porosie dhe enigmash shpalos Flamuri ynë? Pse këto dy ngjyra, ç’simbolizojnë me ç’kod zbërthehen dhe ku është zanafilla?

Natyrisht e gjitha lidhet me historinë e popullit, kanë atë lashtësi, mendësinë, filozofinë dhe idealin, kulturën, traditën, gjuhën mbi të gjitha, duke u bërë dhe maja valavaitëse e tyre.

Flamuri është dëshmitar i heshtur i ecurisë nëpër epoka, i fitoreve dhe humbjeve, i përjetësisë së një kombi…
Kaluam drama, luftra të gjata e paqe të shkurtra, stinë begatish e dimra vuajtjesh, murtaja dhe epidemi ideologjike dhe u përballëm me hordhi të shfarosjes, mbijetuam me perandoritë e mëdha, të Yllirëve, Hittitëve, Persëve, Maqedonasve, Romakëve e Bizantit, ishim pjesë e tyre, morëm dhe dhamë.

SHQIPONJA Kulti i shqiponjës është mitik. Shqiponja nuk vritej, shihej si perendia e shpendëve, hyjnore. E adhuruara e Zeusit të gjithfuqishëm. Që kryente shërbimet midis qiellit dhe tokës, vetëm asaj i besohej. Shqiponja kishte një vend të veçantë mes yjeve. Ky mit ka të bëjë me pellazgët, me të cilët janë të lidhur ilirët, siç besohet nga shumë shkencëtarë. Prandaj dhe shpesh të huajt na quajnë, “Bijtë e Shqipes”! Shqiponja ishte emblemë dhe e Pirros së Epirit. Gjendet dhe te shteti i parë i Arbërit i viteve 1199-1216, duke krijuar një tradite që kulmoi me shtetin e Skënderbeut, ku Kastriotë e kishin dhe në stemën e tyre.

Arkeologët kanë zbuluar në hapësirat ilirike, në trojet e Shqipërisë së sotme shqiponja në gur, që datojnë në shekujt para Krishtit, si ato në tumat e Matit. Shqiponjat e gdhendura në dru nëpër djepe, në unaza, janë gjetur në zonën e Korçës, janë dhe në heraldikën arbëreshe, etj.

Po pse shqiponja është me dy koka në Flamur?

Përsëri na ndihmon miti. Zeusi lëshoi dy shqiponja, të cilat fluturuan njëra nga Lindja dhe tjetra nga Perëndimi. Atje ku do të takoheshin dy shqiponjat, do të ishte qendra e botës. Pra, dy kokat janë Orienti dhe Oksidenti, bashkime të të kundërtave, simbole të fuqisë, që mbajnë universin.

Dhe kur u nda perandoria e Romës, gjysma që mbeti Bizant, e bëri symbol shqiponjën me dy krerë, e mbajtën ilirët, më vonë dhe sllavët, perandoria Austro-Hungareze, etj.

Ngjyra e zezë përfaqëson tokën dhe vdekjen dhe pavdekësinë.

PO E KUQJA?

Është kozmogoni, lidhet me dritën biblike, shpjegojnë studiuesit. Drita është hallka ndërmjetëse mes Krijuesit dhe fillimeve të jetës

Ndërkaq, siç dihet shkencërisht, drita është valë, që me gjuhën e astronomies quhet si “Udhëtimi i së Kuqes”, etj.
Edhe Yllirët, ka studime që i shohin si popull biblik, që lidhen me Hittitët, që pa Abrahami, një fis i njohur Pellazgo-Yllir, paraardhës të Dardanëve, të Kosovës së sotme. Simboli kryesor i Hittidëve është shqiponja me dy krerë. Dhe e kuqja shikohej si ngjyrë hyjnore, dritë dhe gjak i jetës.

SIMBOLI KUQ E ZI.

I madhërishëm shfaqet në shekullin XV me Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, atë Flamur ngriti Ai në 28 Nëntor 1443 në kështjellën e Krujës. Dhe 3 muaj më vonë, në 2 mars 1444 në Lezhë, në ditën e Kuvendit të principatave arbërore, në Beslidhjen e madhe, e njohën si Flamur të përbashkët të të gjithëve. Që Flamuri të përmblidhte Veri dhe Jug, mbi dy kokat e shqiponjës vunë një yll me 6 cepa, që ishte simbol dhe i Muzakajve ashtu si dhe i Balshajve, ai është Ylli i Betlehemit, simbol i Diellit, – shpjegojnë studiuesit.

E dëshmojnë dhe Marin Barleti te “Historia e Skënderbeut”, bashkëkohës i heroit, shkruar latinisht, që u bë libri më i lexuar në Europë, si dhe historianë të huaj, që Skënderbeu atë flamur kishte, kuq e zi, dhe po me atë luftëtarët e tij kaptuan detin Adriatik për të ndihmuar mbretin e Napolit, dolën në brigjet e Italisë, në Europë.

Me këtë Flamur Arbëria u bë atdhe dhe me të në ballë u mbrojt dhe u mbrujt, luftoi dhe të githa kryengritjen nën pushtimin e gjatë gati 5 shekullor u bënë me këtë flamur deri sa të shkohej në Lidhjen e dytë, atë të Prizrenit në 1878.

Mbret do ta quante Naim Frashëri Skënderbeun në poemën e tij dhe:

Zot’ i madh e i vërtetë!
Emri yt qoftë i lëvduar,
Të qofshim falë përjetë,
Mos qofshim teje mërguar! –

lutej. Nga dashuria për Zotin dhe atdheun. Që katolikët shqiptarë do ta kishin credo; për fe dhe atme! – Me këtë thirrje do të jepnin dhe jetën.

Me atë Flamur Shqipëria u bë muri mbrojtës i Europës, i qyteterimit Perëndimor. Ai është Flamuri i “Atletit të Krishtit”, Skënderbeut, pa të cilin, – do të thoshte një kongresmen amerikan, ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe.

Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe Flamuri i saj lavdimadh.

FLAMURIN DO TA RIZBULONTE
NJË RILINDAS MËRGIMTAR

Në shekujt e pushtimit Flamuri do të përndiqej, do ta mallkonin e do ta digjnin. Hiri i tij mbetej në kujtesën e Kombit. Dhe po harroj si ishte, ja ashtu si flakët…

Rilindasit risollën Skënderbeun, por po Flamurin?

Që në vitin e parë të shekullit XX, kur Shqipëria vuante ende nën perandorinë otomane, një djalë 26 vjeçar, Faik Konica, në mërgim, në Bruksel, do të pyeste në gazetën “Albania”, që e themeloi vetë: “A ka Shqipëria një Flamur Kombëtar? (“Albania”, 15 shtator 1901)

Dhe do të vazhdonte. Po ka, – do t’u thoshte atyre që e donin dhe nuk e donin Shqipërinë.

“…flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavduarit të botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetrit”, – do të shkruante. Dhe vlerësimet e tij do të mbeten më të mirët deri më sot.

“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t’a kuptojnë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja… Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjëve, nuk janë kujtime lakmirash edhe rrëmbimesh: Janë kujtime vetë-mbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta… Nga kjo pikëpamje, munt të mburremi se Flamuri ynë… është dhe një nga më të drejtët”.

I ndershëm, i drejtë, i lavdëruar! Konica, themelues ynë “vatran”, na e bën flamurin me frymë, shpirt, që flet me gjuhën e pashkruar! Dhe do të shkruante poezinë e pare për Flamurin skënderbejan.

Dhe duhej ngritur prapë. Perandoria otomane, e përzënë nga Ballkani, kishte mbetur ende vetëm në Shqipëri.
Arbëreshi Terenc Toçi la Amerikën dhe erdhi në dheun amë. Drejton lëvizjen në malet e Shkodrës dhe në 1911 ngriti Flamurin në Mirditë dhe sipas marrëveshjes, priste të zbarkonte me ushtri i biri i Garibaldit, që bashkoi Italinë dhe me ndihmën e arbëreshëve, por u la vetëm, pa njohje dhe mbështetje ndërkombëtare.

SHPALLJA
Duhej pritur dhe një vit që të vinte Plaku Ismail Qemali, me urtësinë e të parëve, me përvojën e një diplomati në perandori, me një dashuri të thellë për atdheun ashtu si Skënderbeu dhe po ashtu si ai me vështrim nga Europa Perëndimore. Dhe ai mbërriti në Vlorën e tij në vjeshtën e tretë të 1912-ës. U mblodhën aty nga të gjithë krahinat, edhe nga Kosova erdhën, me kuaj, në këmbë, përmes rreziqeve dhe pengesave. Karrocën e Hajredin Bej Cakranit, ku ishte futur kryeministri i ardhshëm. Ismail Qemali, e shtynin nëpër baltra besnikët e tij, teksa vendet fqinjë po rropateshin ta copëtonin Shqipërinë e mbetur nga Turqia.

S’kishte institucione e as ngrehina për to, as hotele. Nëpër shtëpitë e vlonjatëve kishin bujtuar, ku kishte zjarr dhe zemër. Po rrinin bashkë përfaqësuesit e krahinave, ministrat që do të emëroheshin, asambleja, senati, luftëtarët, malsorët, qehallarë, rojet, etj, etj. Por s’kishin as flamur që ta ngrinin, dëshmon Eqrem Bej Vlora në “Kujtimet” e tij. Veç në shtëpinë e tij kishte një, të vënë në një kornizë të bukur, të cilin ia kishte dhuruar solmenisht në Paris Don Aladro Kastrioti. Ismail Qemali urdhëroi ta merrnin. Dhe e ngriti në ballkonin, ku po mbahej kongresi, më 28 Nëntor, po atë ditë që dhe Skënderbeu e kishte ngritur në Kruj:e dhe kështu Shqipëria u shpall shtet më vete. U lajmërua Stambolli për shkëputjen, Europën dhe të gjitha fuqitë e mëdha. Shqipëria u b:e m;e vete
Kur ngrihej Flamurin, “m’u dridhën duart, – shkruan në “Kujtimet” e tij Ismail Qemali, – …dhe m’u duk sikur shpirti i Heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit… Ja, pra ky është Flamuri ynë… – thirri i mallëngjyer ai, – dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta mburuar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije Atdheut tonë të lirë…”. Në ato fjalë ishte shpallja dhe program, drejtimi si një testament. Plaku ribëri Shqipëri. Të rinjtë ta gëzonin dhe ta bënin të fortë e të denjë. Zv/Kryeministër u vu një katolik, Dom Nikollë Kacori. U ruajtën raportet mes feve, S’kishte rroga as për 10 ministat. Thuhej se paguante nga pasuria e tij një pinjoll i Cakrajve, i porsaemëruar zv/minister i financave. Murat Toptani, dhëndri i Naim Frashërit, u lexonte vjershat e tij, ulur kanapeve. Kur pas ca ditësh shpërthyen batare armësh, që s’pushonin, të fusnin frikën. Mijëra gjuhë flakes çanin terrin, shkruan Eqrem Bej Vlora. Ngjante si luftë, sikur na kishin sulmuar. Ç’të qe? Turmat qëllonin në ajër se kishin marrë vesh nga telegramet që kishin ardhur nga Vjena dhe Parisi që Konfrenca e Ambasadorëve në parim e kishte miratuar “Pavarësinë e Shqipërisë”. Ishin shkrehur deri në 50 000 fishekë, një harbim fishekzjarresh sa gazmor, po dhe marrok, vzhdon Eqrem Bej Vlora. Ismail Qemalit nuk i pëlqeu, se loja, tha, mbaron ashtu siç fillon. Ai donte punën, veprat. Dhe mua me ndërmendet viti i çmendur ’97, kur u çarmatos Shqipëria dhe u armatosën shqiptarët, sulmuan depot e armëve dhe rrëmbyen tanket dhe qëllonin të gjithë në ajër. Çmenduritë përsëriten… Ndërkaq nga Rumania erdhi Himni i Flamurit, melodisë së njohur Asdreni i përshtati fjalët. U pëlqye dhe u këndua aq shumë sa nuk u zëvendësua dot me asgjë tjetër. Njëra nga strofat në kohën e komunizmit, jo vetëm që nuk këndohej, por do të hiqej dhe nga botimet:

Se Zoti vetë e tha me gojë Se kombet shuhen përmbi dhé, Por Shqipëria do të rrojë, Për të, për të luftojmë ne. I çuditshëm ky komunikim i shqiptarëve me Zotin kështu. Shkrimtari Ismail Kadare do t’i kishte një kapitull, pikërisht kësaj strofe, në sprovën e tij “Mosmarrëveshja”. Shqipëria kishte vonesa, që ktheheshin në ankth dhe ftohtësi në pritjet e vendeve të tjera. Fqinjët ballkanikë mezi ç’prisnin ta copëtonin. Edhe Italia përballë. Në 1913 Flamuri kombëtar është prapë në rrezik. Në Shkodër futen malazestë, bie kalaja, por, për fat, ndërhyjnë ushtritë e Fuqive të Mëdha, prapset pushtuesi dhe At’ Gjergj Fishta ngre Flamurin mbi kambanoren e kishës së françeskanëve në Natën e Shnandout, teksa nga portat dalin fëmijët dhe këndojnë vargjet që kishte shkruar ai:

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,
E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Flamuri si flatra e ëngjëllit. Mahnitës ky imazh. Dhe sa kushtrimtar.

Lufta Ballkanike shton kaosin dhe hanxharët ishin ngritur lart për ndarje. Por nga përtej oqeanit vjen shpëtimi. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dalin në krah Shqipërisë së vogël. Presidenti Woodrow Wilson, që i ftoi zgjedhjet presidenciale tre javë para se Shqipëria të shpallte Pavarsinë, i refuzoi planet për ndarjen e Shqipërsisë dhe parashtroi parimin e vetëvendosjes së popujve, qofshin dhe të vegjël. Dhe që kufijtë nuk mundet të caktoeshin më mbi bazat e politikës së fuqive të mëdha. Shqipëria shpëtoi. Kongresistët në Kongresin e Lushnjës në 1920 arritën pavarsisnë e dytë të Shqipërisë. Në jakat e tyre kishte nga një flamur të vogël të kuq. Roli i SHBA kishte qenë vendimtar. Te Presidenti Wilson ndikoi shumë dhe diaspora shqiptare, udhëheqësit e saj, Konica dhe Noli, kontakti me shqiptaro-amerikanët. Sot në Tiranë është një shesh që mban emrin e Presidentit shpëtimtar, Wilson, me shtatoren e tij në mes.

ADHURIMI

Do të doja të thosha se shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjeheshin më të lidhur, më me ndërgjegje e më me përgjegjësi, me Flamurin, me më qytetari.. Dhe me dashuri patejtër. Ne ndoshta jemi i vetmi popull që u vëmë fëmijëve emrin Flamur. Madje dhe në gjininë femërore, Flamure.

Nuk ka flamur pa gruan. S’ka Skënderbe pa Donikën e tij. Duart e zonjës Marigo Posio, që qepën dhe qendisën Flamurin në ditët e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, vazhdojnë të qëndisin përsëri flamuj të tjerë me rreze drite.
Mamatë u mësojnë fëmijëve të vizatojnë dhe ja, midis fletëve shfaqet e kuqja e Flamurit. Atë të kuqe që piktori shqiptar, Onufri, e bëri të famshme në botë me ikonat e tij.

Dhe pasi mësojnë vjersha për mamin, babin, (e jo për prindin nr. 1 e prindin nr. 2), fëmijët recitojnë vargje për lodrat, gëzimet e tyre, patjetër dhe për atdheun dhe Flamurin. Dhe unë, i vogël, ndër gjërat e para që kam shkruar, mbaj mend, është dhe kjo: O Flamur i Shqipërisë,/ Që valvitesh kaq krenar,/ Të ndez era e lirisë/ si zjarr….
U bëra intim, se ndjehem si në familje. Edhe im atë kishte poezi për Flamurin. Në flakë si flakë/E shenjtë flak’rove… – shkruante.

I rritur do të mësoja se fjala flamur ka lidhje vërtet me zjarrin. Gjuha shqipe zgjodhi ta marrë këtë fjalë nga latinishtja “flammula”, (është dhe në greqishten e re φλάμμουλον), se vokacioni shqiptar gjithmonë ka qene dhe mbetet Perëndimor. Pra, rrënja e fjalës flamur është flaka, Fjamuri i Arbërit, thoshte poeti i madh arbëresh De Rada. Ai zjarr, rreth të cilit mblidheshin dikur luftëtarët e përbetoheshin, ato flakë u bënë flamur.

Flamuri i shqiptarëve është i zjarrtë me flatra shqiponje.

QË TË VAZHDOJMË ECURINË,

po në kohën e Mbretit Zog si u ndje Flamuri Kombëtar, që, siç shkruanin të huajt, kishte një zog në mesin e vet, shqiponjën dykrenore. Mbi to u vendos përkrenarja e Skënderbeut, e trashëguar nga Pirroja i madh. Dhe u bënë përpjekje për të ndërruar dhe Himnit e Flamurit. Në Jurinë e konkursit ishin At’ Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e personalitete të tjera dhe fitues nxorën një të ri, Beqir Çela, nga Karbunara e Lushnjës. Himnin e ri ai e fillonte: O Flamur, Yll i Lirisë… Ishte i shkollës së Fultzit, Amerikën e shikonte si vendin e shpëtimit. E pushkatuan fitimtarët komuniste, në vitin 1947.

Një vit më vonë pushkatuan dhe Baba Ali Tomorin, poet, një libër me poezi i tij mban titullin “Flamurit shqiptar”.

Flamur! Ja ku bëhet beja! Mblidhe, mblidhe popullsinë Përparo! Zgjero Shqipërinë mer Kosovë, Çamërine! Të ndih Zoti në beteja.

Edhe djemtë e Ismail Qemalit u keqtrajtuan nga regjimi. Njëri iku në Maqedoni, në Strugë me gjithë sëndyqin me dokumenta të Pavarsisë, tjetrin e burgosën.

Lëvizje dhe rebelime dhe demonstra me Flamur bëheshin herë pas here dhe në Kosovën e pushtuar. Shpesh forcat policore gdhiheshin duke gjetur të ngritur qyteteve gjatë natës Flamurin shqiptar. Sikur mbinte vetvetiu.
Sinteza më e fuqishme për Flamurin, i cili është vetë sintezë e historisë së Kombit, u arrit nga imzot Fan Noli, një himn si me ritëm trumpetash, si një marrshim krenar drejt ardhmërisë: O Flamur gjak, o flamur shkabë,

O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Ashtu si gjatë pushtimit fashist, që Flamurit Kombëtar i shtuan dy spatat e Liktorit, që dukej sikur kërcënonin dy kokat e shqiponjave, ndërkq nazistët pas tyre i hoqën, komunistët, me të marrë pushtetin, vendosën yllin bolshevik.

Kur të burgosurit politikë u ngritën në Spaç në revoltën që tundi së brendshmi themelet e diktaturës, në 1973, ata ngritën në mes të kampit, brenda telave me gjëmba, Flamurin pa yllin komunist. Po ku e gjetën? Një këmishë të bardhë e ngjyen me gjakun e tyre dhe piktori i burgosur bëri shqiponjën. E ngritën lart duke kënduar himnin me lot në sy. Katër të burgosur i pushkatuan dhe ridënuan dhjetra të tjerë, por dhe vetë burgun.

Dhe do të vinte dita që të hiqej ylli politik i komunizmit nga Flamuri shqiptar. Shqipëria do të bëhej demokratike, pluraliste dhe do të hapej drejt botës së lirë. Shqiptarët po iknin për një jetë më të mirë me ëndrra për të ardhmen e fëmijëve. Në gjak mbartnin Flamurin dhe festat për të bashkarisht, me këngë e valle shqiptare dhe fjalën shqip. 28 Nëntori kishte mare forcën e një ditë të bekuar dy herë.

Madje demokratët nxjerrin fakte dhe besojnë se edhe çlirimi i Shqipërisë nga nazi-fashistët, kur mbaronte Lufta e Dytë Botërore, u bë në ditën e madhe të 28 Nëntorit.

Socialistët ruajnë datën 29 Nëntor, atë që festohej me diktatorin. Dhe çdo vit në Shqipëri bëhen debate në parlament e studio televizive e shkruajnë në media se kur është çliruar Shqipëria, në 28 apo 29? Kur iku gjermani i fundit? Rëndësi ka se kush na erdhi?- ka zëra që pyesin. Më ka ndodhur të jem dhe unë në këto debate. Data e çlirimit të një vendi vendoset o kur është çliruar kryeqyteti i tij o qyteti i fundit. Nga Tirana pushtuesi nazist iku më 17 nëntor dhe fitimtarët u futën në kryeqytet me masakra ndaj intelektualëve dhe ndaj atyre që s’ishin me ideologjinë e fitimtarëve. Kurse qyteti i fundit s’është çliruar ende, thosha unë në debate. Se pjesë të trojeve shqiptare janë ende jashtë kufirit shtetëror.

Por 28 Nëntori buron forcë dhe shpresë.

Më 28 Nëntor lindi në Kosovë legjenda Adem Jashari, në 1955 në Prekaz. Bëri një dimër i acartë atë vit, por më keq se dimri ishte dhuna policore e regjimit serb ndaj shqiptarëve. Dhe po në 28 Nëntor 1997 shpallet, me miratim të Komandantit Adem Jashari se është krijuar Ushtria Çirimtare e Kosovës. Lajmin e UÇK-së e dhanë tre luftëtarë me uniformë dhe të armatosur e me maska në fshatin Laushë, gjatë varrimi të një mësuesi hero. Kështu nisi lufta e organizuar për liri kundër pushtuesit. Kosova donte ringjallen e saj.

Dhe do të ndërhynin forcat e NATO-s dhe SHBA në këtë betejë, jo vetëm çlirimtare, por dhe morale, mbrohej një popull nga eksodi masiv si në Bibël. Pas bombardimeve të Beogradit, Kosova u shpall Republikë më vete. Shqipëria u fut në NATO dhe Flamuri i saj është bashkë me flamujt e forcave Perëndimore euroatlantike, me demokracitë më të përparuara.

Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare të vegjël në Ballkan, por me histori të lashtë, kanë gjetur te Shtete Bashkuara të Amerikës së madhe aleatin jetik, mbrojtësin dhe mbështetësin.

Prandaj dhe shqiparët e mbajnë Flamurin e tyre pranë atij të Amerikës, në shtëpi dhe punë dhe festa. Lartësohet në çdo 28 Nëntor në të gjitha trojet tona e kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Është si zjarri i vatrës që na mbledh. Flakët bëhen dritë. Më bukur se gjithkund ato shkëlqejnë atje ku jemi, bashkë…
Për ne është këtu…

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shuhet legjenda e futbollit shkodran, e mundi sëmundja

Një sëmundje e rëndë ka mposhtur legjendën e futbollit shkodran, Ramazan Rragami, i cili u shua në moshën 77-vjeçare. Rragami vuante prej vitesh nga një...

Falsifikimi i dokumenteve/Gjykata liron nga burgu vëllain e Sheila Haxhiraj

DVP Lezhë në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe atë të Elbasanit, finalizuan operacionin “Identiteti”. Nga finalizimi i operacionit, pas tre muajsh hetime, u zbulua...

Misteri afrikan: Pse C*vid-19 ka shkaktuar më pak vdekje se kudo tjetër?

Nga: Federico Giuliani “Il Giornale Është një kontinent i madh, rreth 7 herë më i madh sesa Bashkimi Evropian, dhe i banuar nga pothuajse 1.5 miliardë...

“Basha është pronar i basteve”/PD ia kthen Berishës: Mashtrues kronik!

Partia Demokratike ka përgënjeshtruar akuzat e ish-kryeministrit Berisha, ku tha se kryedemokati Basha është pronar i basteve. Shigjetimet e Berishës ndaj Bashës erdhën nga...

Zgjedhjet lokale, kurthi pervers i Metës për Bashën

Nga: Andi Bushati Pak kohë përpara se Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse Presidenti i Republikës e ka tejkaluar rolin e tij për të qënduar mbi...