Nga: Anxhela Ferra
Në një kohë kur pjesa më e madhe e të rinjve gjejnë arsye për tu larguar nga Shqipëria, një vajzë e re nga Fieri kërkon t’i kujtojë të gjithëve se sa i bukur është vendi ynë.
Duke e treguar këtë gjë nëpërmjetë artit. Njihuni me Ledianën, 21-vjeçarja studente për menaxhim-biznesi.
Ajo ka kombinuar talentin e saj me dashurinë për atdheun dhe ka krijuar simbolin e flamurit kombëtar me më shumë se 36 mijë gozhdë.
“Gjatë gjithë kohës, që kur isha e vogël e kam pasur qejf dizajnin. Gjithmona isha duke luajtur me plastelinë ose duke bërë punime artistike të ndryshme. Unë kam studiuar për një vit arkitekturë dhe gjatë asaj kohe ne bënim disa punime me gozhdë e fije njëkohësisht. Instiktivisht më lindi ideja që për detaje siç është shqiponja është pak e vështirë ta bësh me fije. Ndaj mendova që mbushja do të bëhej më mirë me gozhdë. Prej aty u shndërrua në idenë e flamurit.
Dy muaj ka qenë puna intensive, por e gjeja veten edhe më shumë se 14 orë duke punuar pa ndalim. Por, besoj se ia ka vlejtur i gjithë mundimi. Për të gjithë personat që mund të jenë të interesuar, punimi është në shitje dhe çmimi është 1 mijë e 960 euro.
Unë zgjodha të bëja flamurin sepse prindërit e mi dhe gjyshërit vijnë nga Çamëria. Ndaj kam një lidhje shumë të fortë me Shqipërinë sepse e di se çfarë do të thotë të kesh një nënshtetësi tjetër dhe të kesh një kombësi tjetër. Por, të thuash atë që është ne kemi flamurin më të bukur në botë.”
Lediana zbulon për Tirana Today se së shpejti do tësjellë edhe punime të tjera, përsëri duke përdorur gozhdën. Tashmë edhe si një element identifikues.
“Një punim sigurisht do të jetë për origjinën time, për Çamërinë. Por, është duke ardhur edhe Pavarësia e Kosovës, ndaj patjetër që do të bëj edhe vepër artistike për të.”
Edhe pse për të rinjtë Shqipëria nuk ofron shumë mundësi për tu zhvilluar dhe formuar profesionalisht, Lediana ka një këshilllë për të gjithë ata.
“Unë mendoj që shqiptarët e duan Shqipërinë, por historia jonë nuk na ka lejuar që ta tregojmë këtë atdhedashurinë. Edhe këtu ka mundësi shumë të mira për tu rritur profesionalisht. Edhe kjo nisja e të bërit një punim me gozhdë apo të ndërtuarit të një sipërmarrje të lirë. Gjithë ideja e kësaj është që të ndërtosh diçka dhe për këtë gjë, Shqipëria ka shumë hapësirë.” TIRANA TODAY