Ekonomi

Eurobondi/ Në test për herë të katërt, dështon dy herë tenderi për konsulentin


               Publikuar në : 08:54 - 15/02/20 B H

Në dhjetor 2019 dhe janar 2020 qeveria hapi një tender ku kërkonte gjetjen e konsulentëve që do ta udhëheqin atë, në rrugëtimin e daljes në tregjet e kapitalit për herë të katërt. Të dy procedurat kanë dështuar dhe autoriteti kontraktor i ka anuluar pasi ka pasur pjesëmarrje të vetëm një kompanie. E teksa pjesa më e vështirë duhet të ishte emetimi i Eurobondit 600 milionë euro, duket se për qeverinë më e vështirë po rezulton të gjejë konsulentin. Pavarësisht kësaj, nëse kalohen të gjitha problematikat dhe hallkat procedurale duke emetuar me sukses eurobondin 600 milionë euro, shuma e borxhit të huaj të Shqipërisë në këtë formë, do të arrinte 1.15 miliardë euro. Por për çfarë do të përdoren paratë?

Nga Nertila Maho

Shqipëria pritet të testojë daljen e saj në tregjet ndërkombëtarë të kapitalit për herë të katërt këtë vit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të 2019-ës hapi një procedurë ku kërkonte konsulentët që do ta asistonin atë në proces, e cila u anulua dhe u rihap sërish në fillim të këtij viti. Sot kjo procedurë rezulton e anuluar sërish.

Pavarësisht kësaj situate, qeveria nuk pritet të tërhiqet nga dalja në tregjet e kapitalit. Ministria e Financave ka deklaruar zyrtarisht se do të kërkojë të paktën 600 milionë euro, ndërkohë që synohet që të zgjatet afati i maturimit nga 7 -10 vjet. Tendenca vit pas viti ka qenë pikërisht zgjatja në kohë e afatit të maturimit të Eurobondeve dhe shifrat tregojnë se i fundit, ai i vitit 2018 ishte me afatin më të gjatë, plot 7 vjet.

Synimi i Shqipërisë është që të shkojë në një afat 10 vjeçar, me terma më të favorshme financiarë, e që ushtron më pak presion në portofolin e përgjithshëm të borxhit të qeverisë. Nga ana tjetër, dalja këtë vit në treg lidhet ngushtë me rifinacimin e eurobondit të vitit 2015 dhe rindërtimin.

Dështon dy herë tenderi për konsulentin, s’ka kompani të interesuara

Kompanitë konsulente në proceset e daljes në tregjet e kapitalit janë hallka kyçe e suksesit të procesit për vendet që duan të emetojnë një Eurobond. Konkretisht, konsulenti në rastin e Shqipërisë sipas kërkesave të Ministrisë së Financave, duhet të ofrojë rishikimin e çështjeve ligjore dhe rregullatore. Kjo do të thotë që duhet të ofrojë këshillimi mbi ligjin e bursës si edhe mbi rregullore të tjera të zbatueshme lokale dhe tatimore (në bashkëpunim me këshillues vendas), mbi çështjet e emetimeve ndërkombëtare të bondeve nga entitete sovrane.

Po kështu duhet të japë asistencë gjatë procesit të Due Dilligence, i cili konsiston në verifikimin e saktësisë së informacionit të përfshirë në dokumentet e ofertës. Duhet të bëjë përcaktimin e afateve kohore me Republikën e Shqipërisë, dhe me bankat që veprojnë si menaxhere-udhëheqëse (Joint Lead Manager) në përcaktimin e kohës së transaksionit, duke marrë parasysh kushtet e tregjeve ndërkombëtare të kapitalit dhe strukturën e emetimit. Në finale, konsulenti përgatit edhe dokumentacionin e ofertave.

Pra, udhëheq në hartimin e një prospektusi lidhur me transaksionin, përfshirë informacionin përshkrues të vendit, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e tregut për emetimet e bondeve qeveritare. Bën ndjekjen e seancave të hartimit të dokumentit si edhe përgatitja e draft prospektusit të rishikuar. Po kështu bën rishikimin dhe negocimin në emër të Republikës së Shqipërisë të termave të “letrës së mandatimit” me bankat menaxhere-udhëheqëse (Joint Leed Manager) e një sërë procesesh të lidhura me këtë fazë. Listës së detyrave të konsulentit i shtohet edhe përfundimi i dokumentacionit, si dhe hedhja e bondeve në treg dhe mbyllja e ofertës bashkë me listimin në bursë.

Për këtë proces, Financat në të dyja rastet kishin vendosur një fond limit mbi 23 milionë lekë por që interesi ka munguar. Në procedurën e mëparshme, të hapur në dhjetor dhe të mbyllur pa një fitues, ministria deklaroi gjatë rishpalljes në janar arsyen e kësaj gare të dytë.

“Kjo procedurë rezulton e rishpallur, konkretisht me referencë të procedurës së anuluar REF- 46148-12-13-2019, për shkak se nuk është plotësuar kriteri i pjesëmarrjes. Konkretisht në procedurën e prokurimit me objekt ‘Shërbim i konsulencës ligjore për Eurobondin’ me REF- 46148-12-13-2019 ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, duke e bërë të pasuksesshme procedurën e prokurimit e cila për tu konsideruar e suksesshme kërkon minimalisht dy operatorë ekonomikë pjesëmarrës në garë” thuhet në dokument.

Në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik edhe procedura e dytë, e shpallur në datë 13 janar, me afat mbyllje në 28 janar 2020, rezulton e anuluar dhe tek shkaqet sqarohet shkurtimisht arsyeja e anulimit. “Për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik” thuhet në faqen e APP.

 Për çfarë do të përdoren paratë e Eurobondit?

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si autoriteti që ka të drejtën e përzgjedhjes së konsulentit të procesit, si dhe të bankave që hyjnë si Joint Leader por edhe emetimit të Eurobondit ka qenë e kufizuar në deklaratat e saj lidhur me këtë çështje.

Shuma fillestare për të cilën qeveria synonte të dilte në tregje këtë vit ishte 500 milionë euro, duke synuar që pas pagesës së Eurobondit ekzistues prej 200 milionë eurosh, teprica të shkonte për nevojat e brendshme të financimit.

Tërmeti i 26 nëntorit, duket se ndryshoi disi qasjen e qeverisë për shumën e emetuar. Këtë herë, kufiri i deklaruar për t’u emetuar ishte deri në 600 milionë euro, pasi nevojat për financim në vend për shkak edhe të projekt të rindërtimit janë të larta. Konkretisht, tek variantet që qeveria po lakon sesi do të përdoren paratë është vlerësuar që një pjesë e shumës prej 400 milionë euro, të shkojë për detyrimet e prapambetura, ndërsa një pjesë tjetër për procesin e rindërtimit.

Ky i fundit, do të kërkojë financime të mëdha për të strehuar të gjithë ata që kanë mbetur jashtë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ndërkohë që vetë raporti i vlerësimit të dëmeve dhe nevojës pas tërmetit, i publikuar pak ditë më parë nxori si shifër finale vlerën 985 milionë euro. Në funksion të rindërtimit qeveria ka rishikuar buxhetin e këtij viti, ndërkohë që synon që në konferencën e donatorëve në 17 shkurt në Bruksel të marrë fonde të tjera shtesë.

Tre daljet e Shqipërisë në tregjet e kapitalit nga 2010 e deri më sot

Në vitin 2010, kur Shqipëria shënoi daljen e saj të parë në tregjet e kapitalit për të marrë një Eurobond me vlerë 300 milionë euro, arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe një afat maturimi 5-vjeçar.

Sigurisht ky është një interes i lartë nëse e shohim në raport me sot, por për të qenë realistë duhet të sjellim në vëmendje që në atë kohë, Shqipëria testoi veten për herë të parë në këto ujëra, ndërkohë që situata e përgjithshme nuk ishte e favorshme. Jemi pothuajse në vitet kur kriza ekonomike ishte ende evidente dhe tregjet e kapitalit ishin ndikuar në mënyrë direkte.

Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015 për 450 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75% me 5 vjet maturim. Sigurisht dalja e dytë është përkthyer në një interes më të ulët. Dhe së fundmi, dalja në 2018 mban interesin më të ulët historik të arritur nga Shqipëria në tregjet e kapitalit. Nga kjo dalje u emetuan 500 milionë euro me një kupon fiks prej 3.55% dhe afat maturimi 7-vjeçar.

Në raport me veten kjo shënoi përmirësim dhe dukshëm madje. Po në raport me fqinjët në atë kohë Shqipëria performoi më dobët? Maqedonia, e cila është marrë si etalon krahasimi pasi është vendi që ka tipologji ekonomike të ngjashme me ne, por parametra makroekonomikë shumë më të favorshëm, ja doli të merrte një borxh me kushte më të mira.

Treguesit e saj pozitivë në atë kohë u materializuan në një interes më të mirë për Eurobondin e 2018-ës. Kuponi fiks i saj ishte 2.75% ndërsa në tregun sekondar, obligacioni i Eurobondit të Maqedonisë u tregtua me 3% çka tregonte se është ky ishte interesi që perceptohej për atë si vend. Maqedonia ka edhe një avantazh tjetër në raport me Shqipërinë.

Ka notuar në këto ujëra shumë më herët dhe shumë më shpesh. Viti 2018 shënoi daljen e saj të shtatë në tregjet e kapitalit dhe normalisht ka një historik më të gjatë me të cilin investitorët konsultohen përpara se të investojnë. Në afatgjatë, Shqipëria duhet të shtojë daljet e saj në tregjet e kapitalit si një mundësi për të rritur besimin e investitorëve, të paktën në këndvështrimin e ekspertëve por duhet të përmirësojë edhe disa tregues që e penalizojnë.

RAJONI, NE ETHET E EUROBONDIT 

Mali i Zi emetoi me sukses 500 milionë euro Eurobond me afat 10-vjeçar

Eurobondet 10-vjeçare duket se kanë qenë synimi i të gjithë shteteve ballkanike së fundmi. Mali i Zi në vjeshtën e shkuar emetoi në mënyrë të suksesshme një Eurobond 500 milionë euro me afat maturimi 10 vjeçar dhe me interes 2.55 për qind. Ky Eurobond u deklarua se do të përdorej për rifinancimin e borxhit publik, duke e ulur atë nën 60 për qind të GDP-së deri në 2022.

Aktualisht, Mali i Zi ka tre bonde në euro me maturitet më të shkurtë së ai i vitit 2019, ku i pari maturohet në mars 2020 ndërsa dy të tjerët respektivisht në vjeshtën 2021 dhe 2025. Referuar të dhënave zyrtare, ky është bondi me maturitetin dhe interesin më të ulët deri më tani. Këtë arritje, qeveria malazeze, do të interpretonte si një besim i treguar nga investitorët tek politikat e vazhdueshme, arritjen e rezultateve si dhe planifikimin duhur të rrafshin e politikave fiskale dhe makroekonomike të qëndrueshme si dhe stabilitetin financiar.
Po kështu kjo u cilësua si një detyrë e përmbushur e aktiviteteve në fushën e integrimit euro-atlantik. Mali i Zi bëri me dije se oferta nga ana e investitorëve ishte 1.8 miliardë euro që vinin nga 190 investitorë që treguan interes.

Serbia synon të marrë 2 miliardë euro në tregjet e kapitalit

Ballkani është përfshirë nga ethet e Eurobondeve. Më herët para Shqipërisë, ishte Serbia ajo që deklaroi se po merrte në konsideratë që në vitin 2020 të emetonte një Eurobond deri në 2 miliardë euro apo 2.2 miliardë dollarë. Kjo me shumë gjasa, sipas grupit austriak bankar Erste Group, do të ndodhë ndoshta në gjysmën e dytë të vitit.

See News detajoi se pas një emetimi të suksesshëm të 1 miliardë eurove bono thesari në mes të vitit 2019, ndjekur nga rihapja e një emetimi 550 euro në letra me vlerë, Serbia po konsideron një tjetër Eurobond. Gjithsesi, teksa vëmendja e qeverisë është duke u kthyer për momentin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nuk pritet që të ketë ndonjë aktivitet të palës serbe në tregjet ndërkombëtare të kapitalit para gjysmës së dytë të vitit.

Qeveria mund të shtyjë emetimin e Eurobondit të ri në fund të vitit 2020 apo fillimin e vitit tjetër, pas një vlerësimi të ri të riskut të kreditit për vendin. “Serbia synon një vlerësim të shkallës së investimeve, i cili do të krijojë mundësinë për të tërhequr një grup të ri të investitorëve. Për më tepër, do të japë besim më të lartë tek investimi në Serbi, kthim në nivel më të ulët por më të qëndrueshëm si dhe likuiditet më të madh në instrumentet e investimit, një diferencë më të ngushtë në çmim dhe emetime të reja afatgjata të borxhit sovran” do të nënvizonte Erste.

Në dhjetor, ministri serb i Financave Sinisa Mali, tha se vendi parashikon që të marrë borxh 2 miliardë euro përmes shitjes së letrave me vlerë të qeverisë në tregjet globale në 2020. Huamarrja përmes emetimit të borxhit të brendshëm të qeverisë, llogaritet në 312 miliardë dinarë. Në nëntor 2019 Serbia shiti 550 milionë euro letra me vlerë 10-vjeçare në Bursën e Londrës. Këto bono iu shtuan emetimit 1 miliardë euro të mëparshëm që u zhvillua në qershor, në një mesatare yeldi prej 1.25 për qind rreth 37 pikë përqindje më poshtë. Serbia pritet që të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe lokale në një periudhë mes 22 marsit dhe 5 prillit 2020, sipas deklaratës dhënë nga presidenti Aleksandër Vuçic në nëntor 2019.

Kroacia emetoi në 2019 rreth 1.5 milionë euro me afat 10 vjet

Në verën e vitit 2019, Kroacia emetoi me sukses një Eurobond 10 vjeçar në tregjet e kapitalit, me një shumë 1.5 miliardë euro. Në atë kohë, Ministria e Financave e Kroacisë, njoftoi se Eurobondi që maturohet në 2029, kishte një interes vjetor të kuponit fiks 1.1125 dhe një yield final 1.324, më i favorshmi në terma arritur ndonjëherë nga Kroacia. Në deklaratën e saj, Ministria e Financave, nënvizoi se çmimi final ishte 30 pikë bazë më i ulët sesa çmimi fillestar i publikuar. Po kështu, një tjetër element pozitiv, ishte ai që bondi u shit pa një premium, që është e pazakontë për transaksionet ndërkombëtare sipas qeverisë kroate.

Ashtu sikurse ndodh tipikisht, Eurobondi i ri u përdor për të rifinancuar një eurobond tjetër më të hershëm 1.5 miliardë euro, me një interes 6.75 për qind që mbaroi në nëntor. Kjo sipas vlerësimit të qeverisë kroate, i kursente buxhetit 500 milionë kuna kroate apo 67 milionë euro në vit. “Interesat e ulëta rekord, tregojnë në një pjesë të mirë, përmirësimin e panoramës makroekonomike si dhe reduktimin e zhbalancave makroekonomike të Republikës së Kroacisë, e cila ka vijuar të risë vlerësimin e kreditit në atë të investimeve” tha ministria.

Bondi u emetua një javë pasi Fitch një nga tre agjencitë prestigjioze të vlerësimit të riskut të kreditit rriti vlerësimin për Kroacinë nga BB+ në BBB duke ndjekur S&P që gjithashtu rriti vlerësimin për investimet në Kroaci më herët gjatë vitit 2019. Zagrebi zyrtar e cilësoi emetimin e fundit si një arritje pozitive pasi një interes të jashtëzakonshëm nga komuniteti ndërkombëtar i investimeve me një kërkesë 5.5 miliardë çka nënkupton se bondi i kërkuar u tejkalua 3.7 herë.

Në listën e investitorëve ishin një numër i madh emrash të rinj që u ofruan, diçka që autoritetet kroate e cilësuan si një diversifikim shumë të mirë gjeografik të investitorëve, që nisnin nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore e deri në Gjermani, Britani, Irlandë, Francë Belekuks, apo SHBA. Kjo marrëveshje u organizua nga Citigroup, Erste Group dhe JP Morgan./Monitor


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT