Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka theksuar se vendi i tij është i gatshëm të bëjë çfarë është e mundur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kreu i Shtetit turk ka mbërritur në Beograd për një vizitë zyrtare, ku u prit me nderime ushtarake, ndërsa në krah i qëndronte homologu serb, Aleksandar Vuçiç.
Mediat serbe pretendojnë se Erdogani ka nënvizuar që arritja e një marrëveshjeje Prishtinë-Beograd, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët, do të merrte dhe mbështetjen e Ankarasë. Ai e cilëson një ujdi të tillë thelbësore për arritjen e stabilitetit dhe paqes afatgjatë në Ballkan, madje kjo sipas tij, është arsyeja përse Turqia e mbështet rifillimin e dialogut mes dy vendeve, raporton “tch”.