Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur sot kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, katër shtetasve.
Bëhet fjalë për shtetasit Fran Marinaj, banues në Malësi të Madhe; Dorjan Duli, banues në Shkodër; Mondi Ramaj, banues në Velipojë dhe Gëzim Vajushi, banues në Shkodër.
Fran Marinaj është i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”. Dorjan Duli është i dënuar për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Mondi Ramaj është dënuar në Itali, për veprën penale “Vjedhja e kryer në rrethana rënduese”. Ndërsa, Gëzim Vajushi është dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.