Kriza e emigrantëve në Gjermani dhe në shumë vende evropiane po thellohet akoma më shumë. Pikërisht kjo çështje është bërë shkak për shfaqjen e rrymave radikale dhe ekstremiste që janë ngritur kundër emigrantëve jo vetëm në Gjermani por edhe në vende të tjera. Në Gjermani po vihet re një radikalizim i ndjeshëm i ekstremistëve të djathtë që kërcënojnë, sipas autoriteteve, “dhunë ekstreme e deri dhe veprime terroriste”.
Një prej faktorëve kryesorë, sipas gazetës “Welt am Sonntag”, është pikërisht çështja e refugjatëve. Gazeta citon për këto pohime të saj një raport sekret të Policisë Federale Gjermane (BKA), i cili mbulon periudhën e viteve 2016-2017. “Nga perspektiva e ideologjive ekstremiste të djathta kombësia gjermane duhet të lidhet me një “bashkësi kombëtare”, të përcaktuar etnikisht për t’iu kundërvënë në këtë mënyrë “vdekjes kombëtare” prej “emigracionit masiv”, thuhet shprehimisht në raport. Policia Federale mendon se anëtarët e organizatave “Reichsbürger” dhe “Selbstverëalter” kanë kryer deri tani rreth 13,000 vepra penale, përfshirë këtu 750 vepra të dhunshme. Pjesëtarët e “Selbstverëalter” janë zakonisht më të rrezikshëm se ata të “Reichsbürger” dhe kane një potencial më të lartë për përshkallëzim dhune”. “Ndërsa “Reichsbürger” kanë një koncept autoritar për shtetin dhe i konsiderojnë autoritetet të paktën në parim si të nevojshme, “Selbstverëalter” e refuzojë tutelën qeverisë, dhe janë pjesërisht të gatshëm për ta mbrojtur autonominë e tyre me forcën e armëve”, vazhdon artikulli “Welt am Sonntag”.
Dy grupimet numërojnë rreth 12.800 vetë, 800 prej të cilëve konsiderohen si ekstremistë të djathtë. Për një kohë të gjatë ata shiheshin thjesht si elemente turbullues, por tani ata janë në fokus të organeve të mbrojtjes së Kushtetutës dhe qe prej nëntorit 2016, janë vënë nën vëzhgim në mbarë vendin. Ndërsa në Itali fletëpalosje raciste kundër emigrantëve janë shpërndarë pak ditë më parë në tregun e komunës së Rozzanos në provincën e Milanos e mjaft pranë selisë së bashkisë së kësaj qyteze. Media italiane “Il Giorno” ka shpërndarë një fotografi origjinale të fletëpalosjes me përmbajte shokuese kundër emigrantëve, mes të cilëve dhe kundër atyre me kombësi shqiptare e kosovare. “Kalendari i gjuetisë së hapur gjatë gjithë vitit për shtazën migratore!, lexohet në të, “për marokenë, rumunë, bullgarë, shqiptarë, kosovarë, talebanë, afganë, romë e përgjithësisht ekstra komunitarë.” “Duke marrë parasysh lëkurën e tyre, thuhet në fletushke, është e lejueshme përdorimi i armëve të tipit pushkë si dhe më shumë se 5 të shtëna. Lejohet përdorimi i bombave të dorës dhe të qenve.” Mbi 100 copë fletëpalosje të tilla janë shpërndarë në mes të ditës gjatë fundjavës së shkuar në tregun e sheshit Foglia mjaft pranë komunës së Rozzanos. Kundër emigrantëve kanë dalë edhe shtetasit francezë. Protestuesit në një qytezë të vogël në jug-perëndim të Francës ndërtuan një mur rreth hyrjes së një hoteli të braktisur për të mos lejuar që të përdoret si strehë për emigrantët, raporton Indeksi.
Dhjetëra banorë të qytezës Semeac ngritën një barrierë 18 metra të gjatë dhe 2 metra të lartë rreth hotelit Formula 1. Sipas banorëve, autoritetet lokale nuk kanë diskutuar me ta planin për të strehuar rreth 85 emigrantë në ndërtesë. Autoritetet lokale ende nuk kanë komentuar ndërtimin e murit, mbase për të shmangur përballjen edhe më të ashpër me banorët që duken të vendosur në qëndrimin e tyre. Banorët punuan gjatë gjithë natës për të ngritur murin në qytezën e tyre që gjendet në malet Pirenej. Përfaqësues të tyre thanë se nuk janë kundër strehimit të emigrantëve, por në fillimin duhen marrë parasysh nevojat e banorëve që paguajnë taksat.
Ata paralajmëruan se qyteza e tyre me rreth 5500 banorë nuk është në gjendje që të përballet me fluksin e emigrantëve, që duket se Parisi po u largon nga qendrat e mëdha dhe po i strehon në qyteza të vogla si Semeac. Autoritetet franceze kanë blerë dhjetëra ndërtesa si hoteli i boshatisur në Semeac në të gjithë vendin dhe nuk kanë munguar përballjet me banorët e këtyre komuniteteve të vogla.