Ekonomi

Eksportet në rënie të ndjeshme në tetor, tkurren 10.3%


               Publikuar në : 15:31 - 18/11/19 B H

Tendenca rënëse e eksporteve është përshpejtuar më tej në muajin tetor, sipas të dhënave nga INSTAT. Në Tetor 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me 10,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Importet e mallrave arritën vlerën 59 mld lekë, duke u rritur me 1,6 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 13,3 %, në krahasim me Shtator 2019. Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u rritur me 14,3 %, krahasuar me Tetor 2018.

Edhe për dhjetëmujorin e vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 252 mld lekë, duke u ulur me 3,6 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 540 mld lekë, duke u rritur me 2,9 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 288 mld lekë, duke u rritur me 9,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Tre grupet më të mëdhenj në vend, “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, en,el,”, “Materiale ndërtimi dhe metale”, janë në rënie ndërsa me rritje janë vetëm “Ushqime, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje dhe pj, këmb”, që gjithsesi mbeten të ulëta në peshën ndaj totalit

Eksportet e tekstileve e këpucëve, grupi më i madh në vend, për 10 mujorin, arritën në 100 miliardë lekë, me një tkurrje prej 3% me bazë vjetore. Ky grup zë 40% të totalit.  Shpresa Koçiraj, përfaqësuese e Albaco Shoes, tha për Monitor se janë disa faktorë që të kombinuar së bashku kanë çuar në tkurrjen e sektorit. Së pari është zhvlerësimi i euros, e cila ka sjellë çmime jo atraktive, për të cilat sipërmarrësit nuk kanë më interes që të punojnë. Së dyti kemi pasur problematikë me forcën punëtore, e cila ka një qarkullim të lartë. Ndërsa në fund znj. Koçiraj listoi klimën politike, e cila po krijon një mjedis biznesi jo të favorshëm. Sipas saj shumë sipërmarrës të huaj stepen për të investuar në Shqipëri për shkak të paqëndrueshëmrisë politike.

Grupi i dytë “Minerale, lëndë djegëse, energji” shënoi tkurrjen më të madhe me 16.5%, në 41.4 miliardë lekë. Ky grup zë 16% të totalit.Burime nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, pohuan se ecuria e tyre ka qenë pozitive muajt e fundit pasi e kanë eksportuar gjithë naftës dhe nuk kanë furnizuar më Tosk Energy. Gjithsesi për 10 mujorin, eksportet e Bankers janë me rënie, e reflektuar dhe në tkurrjen e shitjeve drejt Spanjës, që është destinacioni kryesor i Bankers, përmes kontraktorit të saj, CEPSA. Burime zyrtare nga bankers thanë se për 11 mujorin eksportet janë reduktuar me 11%, ndërsa rënia në vlerë është dhe më e lartë për shkak të reduktimit të çmimeve.  Negativisht në këtë grup ka ndikuar eksporti i energjisë elektrike, si rrjedhojë e motit të thatë.

Edhe grupi i tretë “Materiale ndërtimi dhe metale” vijon tendencën negative, duke rënë me 14% për 10 mujorin. Pesha e këti grupi ka zbritur në 15% të totalit nga 17% në 2018-n. Arif Shkalla, drejtor finance i Kurum, kompanisë së prodhimit të çelikut dhe eksportuesit më të madh të këtij grupi, tha se tendenca e tyre ka qenë e qëndrueshme në sasi, por ndikimi ka ardhur nga rënie e çmimeve të shitjeve, çka ka çuar në tkurrjen e eksporteve në vlerë. Çmimi i hekurit ka rënë me rreth 70-80 euro për ton. Edhe eksportuesit e tjerët të këtij grupi, ato të çimentos e tullave, nuk kanë pasur një aktivitet pozitiv. Mario Braçi i Titan group pohon se ka vështirësi per të rritur eksportet nga Porti i Durrësit, që ka limitime të cilat kërkojnë investime të mëdha në infrastrukturë. Kostot e karburanteve, shton ai, janë rritur me të paktën 15%. Po të ishte në një linjë me konkurrentët tanë do të ishim me konkurrues.  “Italia është një konkurrent kryesor në fushë por nuk ka këto taksa që prekin prodhimin”.

Grupi me rriten më të fortë është ai i “Makineri, pajisje dhe pj, këmb,”, eksportet e të cilit u zgjeruan me 20% për 10 mujorin, duke zënë 7% të totalit. Zhvillimi i industrisë mbështetëse automotive ka ndikuar në këtë tendencë pozitive. Rritja e pranisë së disa prej kompanive kryesore gjermane e franceze po jep efektin e saj pozitiv. Gjermanët e Forschner dhe PSZ Albania dhe francezët e Delmon janë aktivë, ndërsa po ngrihet dhe fabrika e koreanojugorëve të Yura.

Me rritje janë dhe eksportet e ushqime, pije dhe duhan me 10.6% për 10 mujorin, ndonëse në tetor ky grup shfaqi tendenca rënëse./Monitor

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT