Ledjo Pano është cilësuar si xhevahiri i futbollit shqiptar të viteve 90’. Pavarësisht se në një moshë të re, ai arriti të bëjë një bujë të madhe pavarësisht se ishte i rrethuar nga emra të mëdhenj të futbollit shqiptar të asaj kohe. Një brez i artë lojtarësh që në kohët e sotme i mungojnë shumë cilësisë së futbollit në vendin tonë dhe kjo për një arsye, pasi atëherë luanin për fanellë dhe jo për para.
Ndryshe nga të rinjtë e tjerë që shpërthenin asokohe, Ledjo kishte një presion më të madh mbi supe. Ai trashëgoi një emër të madh në fanellë, atë të legjendës Panajot Pano dhe suksesi i tij tashmë ishte një detyrim, që si thotë edhe ai vetë “e arrita me sukses të mbart atë fanellë”.
INTERVISTA E PLOTË:
Si lindi pasioni juaj për futbollin?
Sigurisht, familja ime dihet që është marrë me futboll, babi im, Panajot Pano ka qenë një nga lojtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Thonë që “molla bie nën mollë’ dhe besoj që ajo ka qenë pikënisja e parë. Pastaj vetvetiu si çdo fëmijë ka dëshirë që të merret me diçka dhe un kisha dëshirë të merresha me topin.
Të fillosh karrierën me një emër, sepse un mbartja emrin e babait mbi shpinë ishte shumë e rëndë. Edhe pse un fillova tek Partizani që në moshën 9 vjeçare dhe kalova në të gjitha grupmoshat. Më pas kalova tek shkolla mjeshtëria sportive “Loro Boriçi” dhe kalova në duart e trajnerëve shumë të mëdhenj si Besnik Çela tek Partizani dhe Ramazan Shehu, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të madhe për mua. Në moshën 17-vjeçare u ktheva tek Partizani, pas 4 vitesh tek Shkëndija ku spikata me gola dhe lojë të mirë. Kthimi tek Partizani ishte si një ëndërr, pasi do të përballesha me emra të mëdhenj si Tirana, Dinamo, Vlora etj.
Fituat shumë shpejt zemrat e tifozëve shqiptarë, madje një pjesë e mirë e prindërve të atij brezi iu kanë vënë emrin djemve Ledjo.
Sigurisht, atëherë ishte kohë tjetër, futbolli ishte nga sportet e para në Shqipëri dhe mezi pritej çdo e shtunë e diel kur kishte ndeshje dhe stadiumet mbusheshin plot. Pasi kishte rregull dhe disiplinë shumë të madhe po ashtu dhe cilësi. Unë besoj se u rrita me emra të mëdhenj të futbollit si Perlat Musta, Arjan Ahmeti, Ilir Lame, Skënder Gega, Genc Tomorri etj, edhe emri kishte peshën e vet pasi isha djali i dikujt dhe rëndesa ishte mbi shpinë. Por edhe dëshira e madhe të luaja futboll dhe pjekuria që kisha fituar në 4 vite tek Shkëndija, pasi kisha krijuar personalitetin tim.
Ka qenë e vështirë apo kishte avantazhe të rriteshe nën hijen e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano?
Të them ishte e lehtë, nuk ishte e lehtë, të them që ishte e vështirë, po ishte e vështirë. Por ai ma bënte më të lehtë, me thjeshtësinë e tij më tregonte që sa më i dashur të jesh me njerëzit, me shokët e ekipit dhe sa më thjeshtë të luash futboll aq më të lehtë do ta kesh të rritesh si futbollist dhe të tregosh cilësitë e tua, pra thjeshtësia ishte mbi gjithçka. Ishte një cilësi që babi im ma jepte gjithmonë dhe unë besoj se i kam trashëguar.Në moshën 18-vjeçare debutuat tek Partizani, sa e vështirë ishte për një talent të ri në atë kohë që të zinte vend në formacionin startues?
Duke parë emrat që kishte asokohe Partizani, ishte mjaft e vështirë të ishe në formacion. Por Federata na ndihmoi shumë, pasi ishte një ligj që në çdo ekip të luante një 18-vjeçar dhe kjo na dha shumë krah pasi e kishim një vend të sigurt. Jo vetëm ne por si tek Dinamo, Tirana dhe të gjithë ekipet. Ky ligj na ndihmoi të afirmoheshim dhe të krijonim një besim në vendin tonë.
Gabimi në Wikipedia?
E kam lexuar edhe unë atë dhe jam çuditur, pasi unë asnjëherë nuk kam kaluar tek Luftëtari. Kam luajtur 5 vite tek Partizani dhe më pas kam kaluar në Greqi. Aty është një gabim pasi edhe fotografia kryesore nuk është e imja, ajo duhet korrigjuar.
Karriera juaj vazhdoi në Greqi, sa e vështirë ishte në ato vite që një shqiptar të luante futboll atje, si u pritët nga tifozët?
Të them të drejtën unë kalova në 90-ën në Greqi, u mundova të gjeja ekip por ishte mjaft e vështirë. U ktheva sërish tek Partizani dhe luajta tek aty. Ndërsa në 92-shin u ktheva sërish në Greqi tek Ksanthis, i cili ishte një ekip modest që nuk kishte shumë që ishte ngjitur në Kategorinë e Parë. Menaxheri i atëhershëm i ekipit erdhi në Tiranë dhe më mori, më kishte parë një ndeshje që Partizani zhvilloi në Larisa përballë ekipit të ushtrisë greke si quhej atëherë dhe i kisha pëlqyer. Bashkë me mua tek Ksanthis erdhi edhe Aleksandër Vasi, i cili ishte lojtar i Luftëtarit të Gjirokastrës, ku nënshkruam kontratë tre vjeçare.
Atje ishte mjaft e vështirë, pasi ishte një vend larg Athinës, ishte një vend i qetë me përqindje të madhe myslimane. Edhe atje mentaliteti për shqiptarët ishte shumë i keq, si në të gjithë Greqinë. Pavarësisht se babin tim e cilësonin si greku në Shqipëri unë nuk e dija gjuhën. Aty jetonte dhe një familje shqiptarësh dhe që të kuptoheshim ishte mjaft e vështirë, por kjo na ndihmoi që të mësonim sa më shpejt gjuhën. Në 1 vit e gjysmë unë personalisht kisha shumë probleme me njerëzit dhe me tifozët, sepse filluan duke sharë me fjalët nga më ofenduesit. Fillimisht nuk na jepnin lejekalimin nga Federata jonë dhe kjo bëri që bashkë me Vasin të mos luanim për 7-8 muaj. Ne kemi filluar të luajmë nga marsi pasi ata paguan diçka në Federatën tonë për të marrë lejekalimin. Por ishte krijuar një gjendje e tensionuar, pasi si shqiptar na dinin si njerëz të egër, njerëz malesh. Bashkë me Vasin kemi punuar shumë me lojtarët e ekipit për tu vërtetuar se jemi miqësorë dhe futbollistë, gjithashtu u bënim të ditur se në çdo vend ka njerëz problematikë që krijojnë trazira. Atëherë ishte shumë i përhapur fenomeni i ngacmimeve nga shqiptarët dhe kjo bëri që edhe ne të na shihnin si njerëz të egër e çnjerëzorë.Pas atij kolapsi prej 1 vit e gjysmë që kalova në fillim, me problemet me tifozët gjithçka u rregullua. Më pas për 5 vite që qëndrova tek Ksanthi, 1 vit e gjysmë në Elefsinë, 1 vit në Janinë dhe 1 vit në Korfuz janë momente shumë të bukura që kam kaluar. Pasi më pas mësova edhe gjuhën dhe ishte më e lehtë. Por me edukatën që kishim dhe me sjelljen që kishim atje, ne krijuam raporte mjaft të mira dhe kam akoma shumë miq edhe pse kam gati 20 vite që jam larguar nga atje.
Vetëm 9 ndeshje me kombëtaren shqiptare dhe një gol, nuk ishte kombëtarja në standardet e duhura apo Ledjo nuk është grumbulluar?
Nuk kam luajtur shumë me ekipin kombëtar, pasi në vendin tim luante një nga lojtarët më të mirë që kishte asokohe, Sulejman Demollari dhe unë nuk mund të luaja para tij. Kam pasur momente mjaft të mira në kombëtare, në aq ndeshje sa kam luajtur kam dhënë maksimumin dhe dëshiroja të luaja më shumë. Por disa gjëra ndodhën dhe mënyra si u sollën në ekipin kombëtar më bënë që të mos kisha më dëshirën e madhe për tu grumbulluar. Pra si të themi ishte një tërheqja e imja për atë që ndodhi dhe sjellja që kishin në ekip.
Goditja e dënimit me Gjermaninë ishte një “perlë” por për fat të keq përfundoi në shtyllë, si do kishte ndryshuar karriera e juaj nëse topi përfundonte në rrjetë?
Një gol i atillë ndaj Gjermanisë do të ishte një gol super, pasi futbollistët e vendeve të vogla mezi presin të përballen me një ekip të madh dhe të tregojnë vlerat e tyre. Nga njëra anë më vjen mirë që ai top nuk shkoi në rrjetë, pasi si tifoz i Gjermanisë nëse ajo goditje dënimi do të kthehej në gol “panzerat” nuk do të shkonin në Botëror dhe nuk do ta fitonin atë. Ndërsa për mua si futbollist do të ishte pozitive, pasi ishte një distancë e madhe. Kur mbahet mend kaq gjatë shtylla edhe goli do të komentohej shumë më gjatë, por tani më kënaq edhe shtylla. Pas këtyre fjalëve tifozët mund të të etiketojnë si “tradhtarë”? Padyshim që jo, unë e shpjegova që gjithmonë kam dhënë maksimumin, kjo ishte më shumë për mbështetjen që kisha për kombëtaren gjermane. Por ne gjithmonë jemi cilësuar si grekë, pasi në të vërtetë babai im e ka prejardhjen nga Greqi, por unë ndjehem 100% shqiptar.
Jeni vlerësuar nga UEFA si një nga 10 mjeshtrit e penalltive në Europë, statistikat janë të frikshme, mbi 50 penallti dhe të gjitha në rrjetë. Kishte ndonjë sekret në goditjet e penalltive?
Nuk ka ndonjë sekret të madh të godasësh penallti. Mjafton të jesh i qetë dhe të jesh i vendosur për atë që do të bësh. Por un gjithmonë ka shkuar me besimin që do ta dërgoj në portë dhe ky është sekreti i penalltive, mjafton të shkosh i qetë edhe të mendosh që do ta dërgoj topin në këtë kënd dhe nuk ka shanse ta gabosh. Por unë kam punuar shumë për këtë gjë, pas çdo stërvitje ushtrohesha shumë me penalltitë dhe goditjet e dënimit. Godisja më shumë se 50 penallti dhe goditje dënimi gjithmonë, pasi dëshira ime ishte goditja dhe kisha një stil tjetër loje. Dëshiroja të bëja diçka të bukur për kënaqësinë time dhe të tifozëve. Pra kjo ishte një rezultat i punës time, pasi ushtrohesha shumë.
Cili është trofeu më i rëndësishëm që ka ngritur në qiell Pano?
Unë kam një Kupë kampionati me Partizanin në 1987-ën, dy Kupa Republike dhe dy kampionate të Kategorisë së Dytë në Greqi, një në Elefsinë dhe një në Janinë, po ashtu edhe një Kategori të Katërt me Korfuzin. Trofeu më i rëndësishëm është titulli kampion me Partizanin në 87-ën, sepse ishte viti i parë që unë luajta aty dhe u shpallëm kampion. Ishte një kënaqësi të fitoje me Partizanin, pasi kurorëzuam me trofe një vit të vështirë.Goli më i bukur në karrierë?
Unë kam pasur një avantazh në shënimin e golave të bukur, pasi merrja përsipër ekzekutimin e penalltive dhe goditjeve të dënimit. Gjithmonë golat e shënuar nga goditje standarde janë të bukur. Por si thoshin atë kohë “goli më i bukur është ai që kalon vijën fatale”, pra nuk ka rëndësi si shkon topi në portë, por mjafton të jetë gol. Kam shënuar shumë gola them të bukur, por gjëja më e bukur është goditja e dënimit me Gjermaninë.
Pse zgjodhët që ta mbyllni karrierën tek Partizani?
Kur u ktheva nga Greqia, u ktheva tek Partizani. Isha rritur me ndjenjën e Partizanit dhe e ndjeja shumë fanellën, por kjo nuk ndodh më sot pasi kanë ndryshuar kohët. Kisha oferta të tjera nga ekipet shqiptare, Tirana më kishte kërkuar shumë dhe priste që të bashkohesha me ta, por zemra ime zgjodhi Partizani, pasi aty u formova dhe ndjenjat për atë ekip ishin të forta. Ne jemi si familje pjesë e atij klubi dhe besoj që do të jemi në vazhdimësi.
Pasi i dhatë lamtumirën futbollit aktiv, keni menduar të ktheheni si trajner i ndonjë ekipi në Kategorinë Superiore?
Puna e futbollistit është shumë e vështirë, por më e vështirë është puna e trajnerit. Nëse kur ishim të rinj kemi luajtur dhe mendoj që çfarë kam bërë ndaj trajnerëve, nëse do të kthehesha edhe njëherë nuk do ti bëja. Të bësh trajnerin në Shqipëri është shumë e vështirë, pasi duhet të merresh me shumë gjëra. Është ndryshe nga të jesh trajner në Europë, pasi ata kanë një staf dhe sikush bën punën e vet, trajneri kujdeset vetëm për formacionin. Ndërsa këtu duhet të merresh me çdo gjë, madje të merresh edhe me presidentin dhe besoj se me tipin që kam do të jetë mjaft e vështirë, por nuk i dihet asnjëherë.
Nostalgjia është shumë e madhe, gjithmonë kur takohemi me miq me shokë që kemi luajtur futboll, pasi kujtojmë të gjitha çfarë kemi kaluar. Jeta tani është shumë e qetë ashtu si e babit tim, jam mësues i edukimit fizik në një gjimnaz dhe trajner në akademinë e Partizanit.
Eno Leka, TIRANA TODAY