Kishte ndërruar jetë, por kjo nuk e pengoi Gjykatën e Durrësit që në 2009-ën ta rimartonte me ishbashkëshorten e tij të ndjerin Artan Lipo.
DIVORCI
Referuar vendimit të Gjykatës në vitin 2003, padia për divorc kishte ardhur si pasojë e kërkesës së të ndjerit, i cili disa vite më vonë ka pasur edhe një martesë tjetër, e cila gjithashtu ka dështuar, duke përfunduar me divorc. Që prej 2009-ës e deri në vitin 2019, familjarët e Lipos, fillimisht prindërit e tij dhe tani motra, kanë kundërshtuar vendimin, të cilin e quajnë si absurd. Kjo, pasi në kushtet kur njëra palë nuk është më gjallë për të dhënë vullnetin, ankimi nuk duhej pranuar.
“Gjykata vëren se ata kanë disa kohë që jetojnë të ndarë dhe kanë shkëputur çdo lidhje. Në këto kushte, martesa ka mbetur formale dhe paditësi kërkoi zgjidhje të martesës pa u përcaktuar fajësia”, shkruhet në vendimin e Gjykatës. Ndërkohë, vendimi i dhënë 1 vit pas vdekjes për rivendosjen në afat, ka bërë që 10 vite nga nisja e procesit të parë, ata sërish të enden në dyert e gjykatave.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë në vitin 2016 e ka prishur vendimin e Gjykatës së Durrësit, duke e rikthyer edhe njëherë për rigjykim në Shkallë të Parë me një tjetër trup gjykues, duke i vendosur Gjykatës edhe disa detyra. Por edhe pas rigjykimit, sërish Gjykata ka dalë me të njëjtin përfundim, ndërsa Anila Lipo kërkoi pezullimin ekzekutimit të vendimit, duke vënë si shkaqe shkeljet e pretenduara ligjore në proces.
PRETENDIMI
Sipas familjarëve të të ndjerit,konkretisht motrës së tij Anila Lipo, kërkesa e zonjës Ballhysa është bërë për të përfituar nga trashëgimia. Ndërsa për pretendimin e saj, se nuk ka qenë në dijeni të divorcit për rreth 6 vite, Lipo thotë se nuk është i vërtetë.
Për të vërtetuar këtë fakt, përgjatë kësaj kohe ajo ka grumbulluar një sërë dokumentesh për të vërtetuar të kundërtën, por sipas argumentimit të gjykatave, padia për t’u njohur si trashëgimtare nuk ka si objekt gjykimi këtë fakt dhe se vendimi i tyre për të pranuar kërkesën e Ballhysës është e bazuar në vendimin që vërteton se zonja është e veja e Artan Lipos dhe një sërë dokumentesh që vërtetojnë ndarjen nga jeta të tij. Të ngecur mes një vendimi të diskutueshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, që pranoi ankimin e Ballhysës për një divorc të bërë 6 vite më parë dhe me një palë që ka ndërruar jetë dhe disa vendimeve të më vonshme të së njëjtës gjykatë, duket se historia nuk do të gjejë një zgjidhje.
ARGUMENTI
Në vendimin e dhënë në vitin 2017, Gjykata e Shkallës së Parë që shqyrtoi kërkesën e zonjës Shegush Ballhysa për njohjen e saj si trashëgimtare nga prindërit e të ndjerit Artan Lipo, argumenton se pavarësisht pretendimeve të palëve për parregullsi në vendimin e 2009-ës për vendosjen në afat të ankimit, ai është një vendim i formës së prerë dhe i pacenueshëm. Sipas Gjykatës, këto vendime janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha palët në këtë proces.
Më tej, sipas Gjykatës, thuhet se ato konsiderohen si një gjë e gjykuar, pra nuk mund t’u nënshtrohen hetimeve dhe gjykimeve të tjera, por të merren si të mirëqena. “Për pasojë, pavarësisht rrethanave që parashtrohen në gjykim (dijenia e paditëses për vdekjen e të ndjerit Artan Lipo dhe mosvënie në dijeni e gjykatës prej saj, në momentin që është kërkuar rivendosja në afat ndaj vendimit për zgjidhjen e martesës) vendimet për rivendosjen në afat të së drejtës për ankim dhe në vijim vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës, janë vendime të formës së prerë dhe si të tilla, të detyrueshme për t’u zbatuar.
Ato në kuptim të ligjit përbëjnë “gjë të gjykuar” dhe si të tilla, janë të detyrueshme për palët në proces dhe për trashëgimtarët e tyre, si për atë çka vendoset në pjesën urdhëruese, ashtu edhe për faktet e konstatuara në pjesën përshkruese”, thuhet në vendim.
Padia, Shegush Ballhysa është duke u gjykuar për mashtrim
Prokuroria e Durrësit e ka marrë të pandehur shtetasen Shegush Ballhysa për mashtrim, ndërsa çështja është duke u gjykuar tashmë në Gjykatën e Shkallës së Parë, me gjyqtare Eda Kaja. Sipas materialit të Prokurorisë, Ballhysa është e pandehur dhe dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Mashtrimit”, në dëm të disa personave dhe “Mashtrim me sigurimet”. Procedimi penal ndaj Shegush Ballhysës ka nisur pas një kallëzimi të prindërve të ish-bashkëshortit të saj, me të cilin është divorcuar në vitin 2003, i cili ka vdekur në një aksident në punë në Francë, pesë vite më vonë. Sipas prindërve të Artan Lipos, ish-gruaja e djalit të tyre ka falsifikuar dokumente gjatë përpjekjeve për t’u rimartuar me djalin e vdekur. Përplasjet mes tyre janë bërë një shumë parash e konsiderueshme që përfitojnë trashëgimtarët e të ndjerit, si siguracion i jetës së tij dhe detyrimet që rrjedhin nga aksidentimi në punë. Procesi penal në Gjykatën e Durrësit është tashmë në fazën përfundimtare të tij, ku gjatë ditës së sotme pritet që të lexohen konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë.
Gjykata e Lartë pezulloi ekzekutimin e vendimit për ndarjen e pasurisë
Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit Durrës, çështja ndodhet sërish në Gjykatën e Lartë, e cila në datën 28 shkurt të këtij viti ka pranuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit që ka marrë formë të prerë në dhjetor të 2018- ës.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës, kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi duhet të pranohet, pasi kërkesa në tërësinë e saj motivohet me shkaqe që kanë të bëjnë vetëm me drejtësinë, bazueshmërinë në prova dhe në ligj të vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit në zgjidhjen e çështjes, të cilat Kolegji i vlerëson në kohën kur shqyrton në dhomë këshillimi shkaqet e rekursit ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit. Në kërkesën për pezullim, Anila Lipo argumenton se shuma e kërkuar është shumë e lartë dhe do krijonte pasoja të pariparueshme, ndërsa ka ngritur edhe pretendime të një vendimi të marrë në vlerësim të gabuar të fakteve dhe provave.
“Pasuria e pretenduar për trashëgimin është në një vlerë prej rreth 200.000 eurosh dhe ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi do të ishte me pasoja të pariparueshme për palën e paditur, kjo për faktin se paditësja jeton në Itali dhe mundësia e marrjes së shumës së pretenduar padrejtësisht nuk ka mundësi për t’u nxjerrë në çfarëdo lloj mënyre, pasi ajo nuk është në punë dhe nuk ka pasuri të paluajtshme”, argumentohet nga Anila Lipo. Nga ana tjetër, mbrojtja e Shegush Ballhysës ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së Lipos, duke e pretenduar se nuk është e mbështetur në prova dhe ligj.
Sipas vendimit, Ballhysa pretendon se Gjykata e Durrësit nuk ka lëshuar asnjë vendim ekzekutimi të vendimit dhe ai nuk është vënë në ekzekutim prej saj. Më tej, Ballhysa shprehet se nga ana e Lipos nuk është depozituar asnjë garanci materiale, që do të siguronte ekzekutimin e vendimit. Por me gjithë këto pretendime, Gjykata e Lartë e ka pezulluar ekzekutimin, deri në momentin e shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi. /PANORAMA