Vijojnë hetimet ndaj biznesmenit italian Davide Pecorelli, të cilit i dështoi plani për inskenimin e vrasjes. Shqipëria nis hetimet për “shkatërrim prone” e “dëmtim varresh” ndaj Pecorellit, ndërsa në makinë u gjet kafkë njeriu. Prokuroria e Pukës ka vënë në akuzë italianin Davide Pecorreli për “shkatërrim prone me zjarr” dhe “dëmtim varresh”. Hetimet janë nisur nga i njëjti prokuror që po hetonte rrëmbimin e vrasjen e inskenuar të Pecorellit të ndodhur në janar të këtij viti në Pukë. Ai u gjet shëndoshë e mirë, ndërsa vijonte rrugëtimin e tij të arratisjes, për t’iu shmangur borxhlinjve dhe përfituar siguracionin. Italiani akuzohet për shkatërrimin e varreve, sa i takon kockave të gjetura brenda automjetit model ‘Skoda’.
Këto kocka, sipas hetuesve, kanë pjesë gjymtyre njeriu si dhe kafkë dhe dyshohet se janë marrë duke zhvarrosur një kufomë. Ky krim sipas hetuesve, dyshohet se është kryer në bashkëpunim, ndërsa pasditen e kësaj të hëne biznesmeni italian do të merret në pyetje nga prokurorët e Perugia-s.
Veç këtyre akuzave, ai rrezikon edhe një procedim penal në Itali për falsifikim të letërnjoftimit, pasi rezulton se gjatë kohës që qëndroi në Itali i fshehur, ai përdorte një identitet të rremë.
Davide Pecorelli u zhduk natën mes 7 dhe 8 janarit në veri të Shqipërisë. Brenda makinës së djegur u gjetën disa eshtra, ADN-ja e të cilave nuk mundi të identifikohej si dhe celulari dhe ora e tij e shtrenjtë.
Pecorelli ka bërë një gabim, që është pikasur nga autoritetet. Ditët e fundit, në llogarinë e tij është bërë një tërheqje në një bankomat në Romë. Pasi është kryer transaksioni, ka shkuar një mesazh në telefonin e bashkëshortes së Pecorellit. Kjo e fundit ka lajmëruar autoritetet. /Tirana Today