Dy ditë pasi një mjek u godit me tullë nga pacientë të dehur, stafi i spitalit të Durrësit janë bërë bashkë në një protestë. Këtë të hënë, bluzat e bardha kanë dalë në protestë në shenjë sensibilizmi për kolegun e tyre.
Mjeku Gerald Kola kishte ndërhyrë për t’i ndarë, por mori prej tyre një goditje me tullë në kokë. Mjekët thonë se ata marrin kërcënime çdo ditë.
“Jemi të kërcënuar çdo ditë. Të merren masa urgjente, pasi në të kundërt e kemi të pamundur të ushtrojmë detyrën tonë humane”, shprehen mjekët.
Gerald Kola mori plagë të rënda në kokë dy ditë më parë, pasi u godit me një tullë teksa po ushtronte detyrën e tij në repartin e Urgjencës, në spitalin e Durrësit. Ishte një pacient i dehur ai që goditi mjekun, pasi ky i fundit kishte ndërhyrë të shuante sherrin mes tyre.