Jona Ago, punonjëse prej 4 vjetësh e policisë Bashkiake Devoll, ka marrë së fundi një shkresë-propozim për ndërprerjen e punës. Në bazë të shkresës, Jona nuk ka zbatuar urdhrat dhe është konstatuar duke pirë kafe gjatë kohës së punës. Punonjësja pretendon, se largimi nga puna është politik, me urdhër të kryetarit, pasi ajo njihet si simpatizante e palës tjetër politike.
Në shtëpinë e Jonës punon vetëm ajo dhe bashkë me të vëllain me prapambetje mendore, kanë mbetur jetimë të rinj.
Punonjësja e policisë bashkiake: I jam drejtuar emisionit “Stop” sepse para dy javësh më ka ardhur një propozim për largim nga puna dhe më është komunikuar që duhet të largohem nga puna dhe motivacioni është politike. Unë kam 4 vite punë dhe nuk kam bërë asnjë lloj shkelje, këta pretendojnë që shkelja e fundit ka qenë që më kanë parë në një kafe gjatë orarit të punës, por ata nuk e faktojnë dot që kam qenë në një kafe. Kjo nuk është e vërtetë sepse nuk kanë një fakt që të ma vërtetojnë.
Gazetari: Çfarë fakte keni ju që e vërtetoni që nuk keni qenë në kafe, por në punë?
Punonjësja e policisë bashkiake: Unë kam procesverbale të ndryshme që bën një punonjës i policisë bashkiake.
Gazetari: Për kë ditë bëhet fjalë që ju keni qenë në kafe, pra kjo është e gjithë alibia për të hequr nga puna një punonjëse 4-vjeçare që ka eksperiencën?
Punonjësja e policisë bashkiake: Gricjet kanë nisur një vit para, jo vetëm tani. Kurse tani, 3 ditë pas zgjedhjeve unë kam qenë me raport dhe këta pretendojnë që në datën 30 nuk kam qenë në punë. Unë kam procesverbalet që unë kam qenë në punë, e kam faktuar dhe nuk kam bërë asnjë lloj shkelje. Kur më ka ardhur propozimi për largim nga puna jam shtangur. Jam e vetmja që punoj në shtëpi.
Gazetari: Sa persona jetoni në shtëpi?
Punonjësja e policisë bashkiake: Jetoj me mamin dhe me vëllain. Vëllain e kam me probleme mendore, babai më ka vdekur kur isha 18 vjeç dhe mami është pensioniste, çfarë mund të bëjë me një pension. Jam munduar të takoj dhe kryetarin por nuk më kanë pranuar, as Marseli, drejtori dhe as përgjegjsi im. Është politike, unë nuk jam shfaqur dhe nuk jam marrë fare me politikë si në orar punë si jashtë orarit të punës.
Gazetari i “Stopi” ka takuar drejtorin e Jona Agos, z.Marsel Mulla ku është pyetur për arsyen pse e po e heqin nga puna, por ai nuk di të përgjigjet dhe pranon motivet politike.
Drejtori Policisë, Marsel Mulla–Më thuaj!
Gazetari–Për këtë Jona Agon, punonjësen, që ju keni!
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po!
Gazetari-Për atë kemi ardhë, se ka sjellë në emisionin tonë ankesën, thotë, që po më heqin pa të drejtë nga puna, por thjesht ne dhe për ta verifikuar, duhet të marrim dy anët e medaljes, jo vetëm çfarë thotë Jona.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Mesa jam unë në dijeni, mua më ka ardhur procedura me shkrim nga kryeinspektori i policisë bashkiake, për mos respektimin e rregullores së punës, mosqenie në vendin e punës edhe mbas tre shkresave, ligjërisht mua më lind e drejta, që t’i bëj një urdhër për pushim nga puna.
Gazetari–Po ajo thotë, që unë e kam pas me raport.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Ajo ka pasur tre ditë raport, dy ditë të tjera nuk ka ardhur në punë, kryeinspektori më ka thënë, që nuk është paraqitur në punë, nuk e ka bërë detyrën, që i kam ngarkuar…
Gazetari–E kuptoj!
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Më ka vënë në dijeni,unë e kam firmosur, ai më ka thënë, që kjo s’ka ardhur në punë o vëlla, bëj urdhër, unë e kam firmosur sipas ligjit në pushtet. Mesa di unë, është në proçes nga Burimet Njerëzore për pushim nga puna.
Gazetari–Është në proces për pushim nga puna?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po, është në proçes.
Denoncuesja–Sa ditë me raport kam qenë unë?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Tre.
Denoncuesja–Tre, okej!
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po kush të tha ty, që s’ke qënë me raport?
Denoncuesja–Dy ditët e tjera, çfarë date?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–29,30. Nuk merrem unë me të gjithë punonjësit, ku venë e ku hynë, e ku dalin.
Denoncuesja–Po si, nuk kam qenë unë i bie?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla– Si?
Denoncuesja–Seriozisht e ke ti, që s’kam qenë unë, që mos të zihemi, të bëjmë muhabete familjesh?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Për ça do zihesh ti?
Denoncuesja–Si nuk kam qenë me datë 30 unë? Ku jam kthyer unë pas raportit?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Nuk ke qenë, e ta them unë, ku ke qënë?
Denoncuesja–Hë, ma thuaj!
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla-Ke qenë duke pirë kafe në lokalin e gjimnazit. Në rregull?
Denoncuesja–Është e ndaluar kafja?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po, në orar të punës, po.
Denoncuesja-Jo mo fare, ma nxirr mua, që qenka e ndaluar kafja.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po si të lesh punën dhe të vesh në lokal, ç’është kjo?
Denoncuesja–Ore ti, po ti të tërë në lokal i kishe, ke marrë masa për të tjerët?
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Lëre, ça kisha unë!
Denoncuesja–Aaa ti thua ti mos të rrish, po të tjerët le të rijnë.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Ti do bësh detyrën tënde!
Denoncuesja–Po pra, detyrën time e kam kryer siç duhet.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Nuk rrihet me zor në punë, më dëgjo mua!
Denoncuesja–Absolutisht, s’dua të rri fare me zor unë.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla-Që ta kesh të qartë, nuk rrihet me zor në punë, as me “Stopin”, as me ndonjë emision tjetër.
Denoncuesja-Është e drejta ime ta ndjek, ku të dua.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po vazhdo ti, ndiqe, ku të duash!
Gazetari–Nejse, kur shikon një padrejtësi dhe i thuhet që: na ka thënë kryetari për shkak të bindjeve politike, të të heqim, kushdo të jetë dhe ti dhe unë, normalisht, që do kërkojë.
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po s’i ka thënë njeri fare kështu.
Gazetari–E kemi të regjistruar tani, mos e moho!
Drejtori i Policisë, Marsel Mulla–Po e keni të regjistruar, nxirre!
Pas drejtorit, takuan dhe përgjegjësin, por e njëjta situatë.
Gazetari–Ne folëm edhe me Marselin, po ta kaloi ty të gjithë kompetencën, për punën e Jonës, koleges.
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Ëhë.
Gazetari–Ne po interesohemi, sepse Jona ka një version të sajin dhe donim ta verifikonim edhe versionin zyrtar, që ju përfaqësoni! Çfarë ka shkelur Jona, që i është kërkuar largimi nga puna?
Dashamir Çakëri, Përgjegjës–Në qoftë se është caktuar në një vend pune dhe nuk është gjetur atje, është konstatuar në lokal.
Gazetari–Në lokal, kjo?
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Kaq, po këto…
Gazetari-Vetëm kjo, që ishte ulur në lokal? Edhe sot disa ishin ulur në lokal, i bie, që të merrni masa dhe për ata.
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Po edhe për ata.
Gazetari–Po Jona ka një pretendim tjetër, thotë, që çdo gjë është politike.
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Unë nuk e di nga është, nga unë s’ka politikë njëherë.
Gazetari-Se unë jam i drejtpërdrejtë, kemi një regjistrim, ku jeni ju dhe i thoni Jonës, që ta ka vënë syrin kryetari, sepse je e PD-së dhe do të heqë.
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Jo, unë s’e kam thënë ndonjëherë këtë gjë.
Emisioni “Stop” ka mundur të sigurojë disa video të cilat nxjerrin zbuluar të gjithë procedurën që është ndjekur për shkarkimin e kësaj punonjëse policie në Bashkinë e Devollit, ku sipas pretendimeve zyrtare, ajo nuk ka qenë në vendin e punës, por shkaqet janë të tjera.
Denoncuesja–Unë dua të di vetëm nga ty këtë gjë, shoqërore!
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Unë nuk dua të të heq, ata më kërkojnë gjëra, që s’dua…
Denoncuesja–Shoqërore, dua ta di këtë gjë, ta ka thënë vetë personalisht kryetari apo Marseli, këtë dua të di, po ta ka thënë kryetari, merrem unë.
Dashamir Çakëri, –Kam qenë me kryetarin dhe me Marselin.
Denoncuesja–Në mëngjes?
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Po!
Denoncuesja–Edhe ma thuaj troç, ça të ka thënë?
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Më ka çeduar ajo çupë, nuk doja ta largoja, më ka çeduar, por n.q.s do dali ky llaf, që Dashi të ka thënë në këtë formë, nuk do të jetë mirë për mua.
Denoncuesja–Kjo është thjeshtë politike?
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Varet, po mund të jetë dhe politike.
Denoncuesja–Kaq, kaq!
Dashamir Çakëri, Përgjegjës–Tashi, në këtë mes, ka çeduar puna edhe më thanë, që mos të dëmtojë gjërat e tjera, duhet të kërkosh dorëheqjen!
Denoncuesja–Po, shumë mirë, të kërkoj unë dorëheqjen? Më gjeni në shkelje, ty nuk të vë në pozitë, më gjej në shkelje, unë nuk të mërzitem fare ty, se më vure masë ti mua dhe po më gjete në shkelje…
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Po si të të vej masë unë ty, sepse ti je…
Denoncuesja–Jo, jo, po më gjete në shkelje…
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Ti je aq e aftë, sa mos të të gjej unë në shkelje.
Denoncuesja– O komandant, më gjete në shkelje, do ta vesh masën me të dyja duart!
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Si do të gjej unë në shkelje, kur Jona..?
Denoncuesja–Puna tënde, përderisa ta kanë dhënë ty këtë detyrë!
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Po e shikon pra, e shikon, prandaj po të thoshte Dash Çakërri, që ka filluar të më vështirësohet dhe rrufepritësja.
Denoncuesja–Po vere more, këtë shkelje!
Dashamir Çakëri, Përgjegjës –Si moj ta vej këtë shkelje? Si?
Denoncuesja–Ore tashi, njerëz jemi, gabon ti, gaboj unë, nuk është ndonjë gjë…
Dashamir Çakëri, Përgjegjës–Po unë, po të vura shkelje ty, zere se i kam vënë vetes time.
Denoncuesja–Epo tashi, kështu e do puna, ti bëj punën tënde!
Dashamir Çakëri, Përgjegjës–Po nuk e dua mori çupë, po nuk e dua more këtë gjë. Ore, le të të thërrisnin pa ardhur unë, moj çupë e mbarë, deri tani të mbajtën…
Denoncuesja–Të tëra kështu i kanë bërë, i kanë thirrur përgjegjësit dhe i kanë përjashtuar.
Dashamir Çakëri, Përgjegjës–Le të të thërrisnin më përpara!
Denoncuesja–Po s’kanë b**thë ata. /tvklan.al