Nga Skënder Minxhozi
Tashmë ka një dritare të vetme në Shqipëri, prej nga mund të marrësh vesh se si do t’i shkojë halli karantinës tonë kombëtare. Janë komunikimet e kryeministrit Rama përmes rrjetit social dhe televizioneve, që njoftojnë se kur mund të dalin në rrugë gratë me fëmijë, pensionistët, kur do hapen e mbyllen tregjet, dyqanet apo se kur do të hyjmë sërish të gjithë brenda, deri në një urdhër të dytë.
Shumëkujt ky stil komunikimi nuk i pëlqen. Për faktin e thjeshtë se nuk i pëlqen vetë Rama si person, ose sepse ka mbyllur biznesin dhe ndodhet në pikë të hallit, ose e kanë lënë pa rrogë pronarët dhe s’ka me se të ushqejë familjen, ose sepse në fund të fundit është mërzitur së qëndruari brenda, e kërkon të thyejë hekurat e karantinës 53 ditëshe.
Në këtë mes nuk ka asgjë që nuk shkon. Gjithçka duket normale, sa i përket dëshirës për t’i dhënë fund mbylljes, në këtë atmosferë të çmendur ku ndodhet i gjithë planeti. Jemi të dominuar nga këto ndjesi në këtë moment dhe instikti i natyrshëm i daljes nga bunkeri ku ndodhemi, na përcakton si racë njerëzore. Asgjë për t’u çuditur.
Aktualisht qeveritë e sovranët në mbi 200 shtete e territore, po mbajnë “lidhur” në shtëpitë e tyre, disa qindra milion njerëz. Kështu po ndodh edhe në Shqipëri. Përtej mënyrës së komunikimit, fjalorit, toneve dhe batutave, Edi Rama nuk po bën asgjë më tepër, sesa ajo që po bëjnë sot të gjithë shefat e qeverive të mëdha dhe të vogla të globit. Po përpiqen “të ecin në një terren krejt të paqartë”, siç e përcaktonte dje miliarderi Bill Gates, mes dilemës së mbylljes dhe asaj të hapjes. E para, si emergjencë shëndetësore, e dyta si nevojë po aq urgjente ekonomike e sociale.
E megjithatë po vjen fundi i letargjisë së koronës. Siç pritej, dalja graduale e njerëzimit nga kafazi i karantinës botërore, po rezulton të jetë një listë e gjatë dilemash, që nisin nga më banalja e përfundojnë tek më e rëndësishmja dhe egzistencialja. Sa dhe ku do ta mbajmë maskën, si do ta hapim derën e një dyqani, me apo pa dorashka, a duhet të pimë një kafe në këmbë te banaku i improvizuar i barit të lagjes, a duhet të bëjmë dush sa herë të kthehemi nga rruga në shtëpi, si do i pastrojmë rrobat që kishim veshur jashtë, sa larg duhet të qëndrojmë nga kolegu, shitësi apo shoferi i taksisë.
Kjo listë punësh e sjelljesh personale është manuali i parë që po hasim tani që dolëm në botën e re të koronavirusit. Por nuk mbaron këtu. As për ne, as për Ramën, Trumpin, Conten e Macronin. Madje këtu fillon. Dilema e këtyre orëve, për masën dhe thellësinë e hapjes së shtetit, është një debat i përbotshëm. Kryetari i bashkisë së Venecias Brugnaro, bashkë me krerë të tjerë lokalë të Veriut të Italisë, po bërtasin përherë e më fort në veshët e qeverisë italiane, për hapjen e ekonomisë, shkollave dhe biznesit e turizmit në këtë pjesë të martirizuar të vendit. Të njëjtën gjë duan një dyzinë guvernatorësh republikanë në SHBA, ashtu siç e kërkojnë gjithnjë e më me forcë në Francë, Gjermani e Skandinavi. Aty ku Suedia kryeneçe nuk i ka ulur asnjëherë qepenat e shtetit gjatë këtyre javëve të pandemisë.
Kush hedh një sy në këto vende të tjera, kupton se debati politik në Tiranën e sotme, në lidhje me ritmet e hapjes së ekonomisë dhe institucioneve, nuk është asgjë, para sherrit publik që ka pushtuar sot kryeqytetet kryesore të Perëndimit. Akuzat e opozitës në Tiranë janë asgjë, para thirrjes për revolta popullore që bën Salvini në Itali.
Mesa duket Ballkani nuk po përballet me një cunami vrasës të koronavirusit, si Italia fqinje apo Spanja. Është ky nga misteret që askush nuk di ta shpjegojë, por është edhe një avantazh që duhet shfrytëzuar. Paketat ndihmëse të qeverisë janë një pikë uji në shkretëtirën e krizës ekonomike e financiare. Ato i ngjajnë gomës rezervë, e cila e ka të shkruar anash, se mund të përdoret vetëm sa të arrish te gomisti më i afërt.
Prej shumë ditësh të gjithë ekspertët epidemiologë dhe mjekët infeksionistë që po merren me koronavirusin në Shqipëri, na thonë se e kemi kaluar pikun e infeksionit. Na thonë gjithashtu se vendi ynë nuk ka njohur atë shkallë agresiviteti të sëmundjes, që është parë në pjesë të tjera të kontinentit. Kemi shumë më tepër të shëruar, sesa të sëmurë aktivë dhe një shifër vdekjesh që është më e vogël se ajo në Maqedoninë Veriore, Kroacisë apo Serbisë. Në 29 prill në spitalet Covid kishte gjithsej 33 pacientë me koronavirus, prej të cilëve vetëm tetë në terapi intensive. Me fjalë të tjera, rreziku madhor i përmbytjes së sistemit tonë shëndetësor me të sëmurë dhe të vdekur, mund të quhet zyrtarisht i tejkaluar. Të paktën për dallgën e parë të infeksionit.
Këto statistika të pjesës shqiptare të pandemisë duhet të na bëjnë të ndjehemi mirë të gjithëve. Karantina dhe privacionet e tjera të rënda që kemi përjetuar në dy muajt e fundit, nuk kanë shkuar dëm. Tani është momenti të fillojmë të hedhim pas shpine me kujdes mbylljen e ashpër që i imponuam vetes. Padyshim ndër më të ashprat në kontinent.
Arsyet për të cilat pranuam të karantohemi janë shpjeguar dhe pranuar nga të gjithë shqiptarët. Po vjen koha që të dalim nga kafazi i koronës. Shqipëria e ka shumë më të hollë shtresën e dhjamit, që të mund të durojë edhe për shumë kohë paralizën totale të ekonomisë së saj të varfër. Kryeministri tha para tre ditësh se deri tani është rikthyer në punë 84% e biznesit. Një shifër e cila në qoftë e vërtetë (pasi sektori i madh i shërbimeve vijon të jetë i mbyllur), përbën një bazë të mirë për të filluar shërimin e plagëve që kemi marrë. Duhet më shumë kurajo drejt hapjes, ashtu siç duhet një qasje më agresive ndaj gjurmimit të sëmundjes. Më shumë punishte e biznese të hapura, siç thonë ekspertët, duke u shoqëruar me më shumë testime. Në mënyrë që t’u jepet qetësi në punë atyre që do të punojnë dhe të dërgohen në shtëpi ata që mund të infektojnë gjithë kolegët dhe klientët.
Bota e re ku po futemi nuk ka më dhjetë fluturime në ditë drejt Italisë, as dyndje nëpër tragete e pikat kufitare. Nuk ka as dreka e darka apo kafe e pije nëpër lokale e restorante. Madje s’ka as sport, plazhe, kinema e teatro. Do të jetë një botë spartane dhe e ashpër, të paktën edhe për disa kohë. Por hapja është proces të cilin nuk mund ta shmangim më, e që duhet ta zbatojmë sipas manualit që po shkruhet këto ditë në të gjitha vendet e tjera që ndodhen në pozita të ngjashme.
Po aq i rëndësishëm duket fakti që do të jetë një botë e mbyllur në vetvete, me shtete që shohin prioritetet e tyre të brendshme, duke lënë mënjanë në një masë të madhe solidaritetin, komunikimin, shkëmbimet ekonomike e tregtare.
Duhet të bëhemi të shkathët, që të gjejmë shpejt piketat e këtij horizonti të ri që na shfaqet para syve. Më shumë prioritet bujqësisë, turizmit të brendshëm dhe gjithë atyre degëve që nuk kanë nevojë për lëndën e parë nga Kina, apo për mallin fason nga Italia e Gjermania. Sa më parë të mësojmë të jetojmë në këto koordinata, sa më parë të mësohemi me idenë se nuk do të jetë më si më parë, aq më e lehtë do të jetë që tejkalojmë krizën e thellë ku ndodhemi qysh sot. Por që të ndodhë kjo, më parë duhet të dalim nga shtëpitë ku jemi futur!