Lëvizja Vetëvendosje bën me dije se brenda një jave peticioni i tyre për të zhvilluar zgjedhje në Kosovë është firmosur nga 150 mijë persona.
Përmes një postimi në Facebook, LVV shprehet se mbledhja e nënshkrimeve për peticionin do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Kujtojmë se qeveria e Albin Kurtit u shkarkua më 25 mars, pas votimit të mocionit të mosbesimit të iniciuar nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
Tashmë në krye të qeverisë të Kosovës është vendosur Avdullah Hoti nga LDK, pas dekretimit të tij nga presidenti Thaçi
Postimi i plotë:
Sot u bënë një javë prej kur filluam mbledhjen e nënshkrimeve në peticionin online për të vazhduar të nesërmen edhe atë fizik gjithandej nëpër Republikën e Kosovës.
Kërkesa është një: “Duam Zgjedhje!”, ndërkaq përgjigja qytetare është e jashtëzakonshme në mbështetje të kësaj kërkese të drejtë dhe legjitime përkundër atyre që pasi tradhtuan vullnetin e shprehur me 6 tetor vazhduan edhe ta vjedhin atë.
Me vullnet të vjedhur nuk do të mund as të qeverisin e as të përvjedhin ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin.
Deri sot janë mbledhur 150 mijë nënshkrime dhe peticioni ende po vazhdon. Ditëve në vijim do të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve edhe në çdo fshat e lagje për të lehtësuar procesin e nënshkrimit të peticionit për të gjithë qytetarët që duan ta plotësojnë atë.