Intervistoi: Marsela Sinani
Muaji tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Mediat i kanë dhënë hapësirën e duhur, e mbi të gjitha, përfshirja e personazheve publikë në aktivitetet dhe kauzat që ngrihen për kancerin e gjirit ndikon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit.
Sikundër në nivel global, edhe në Shqipëri, kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te femrat. Një informacion, sado i vogël të jetë, për dikë mund të përbëjë vijën ndarëse te jetës me vdekjen. Femrat nuk duhet të stepen për t’u konsultuar me mjekun, dhe të shkojnë tek ai në grada të avancuara të sëmundjes.
Shumë persona të famshëm, kanë ndarë me publikun përballjen dhe panikun që i ka kapluar sapo kanë dëgjuar se janë prekur nga kjo sëmundje. Rasti më i mirë për të treguar kurajon e vendosmërinë se sëmundja nuk mund ta mposhtë, është ai i mësueses Ina Kasimati.
Një mësuese, një zonjë, një nënë e cila ka luftuar për të shijuar këtë jetë, për t’iu gëzuar ditëve me diell e shi, ditëve ku zymtësia të plogështon, por me natyrën solare, ajo di si ti japë një tjetër shije, duke e ëmbëlsuar dhe i dhënë ngjyra porsi ylberi.
Ajo nuk u dorëzua, përkundrazi! E ndërsa sot, më e fortë se kurrë, zysh Ina sikundër e thërrasin ish-studentët, një ndër to dhe unë, rrëfen në një intervistë për “Tirana Today” ditët ku lotët u thanë, ku mendja ishte fokusuar tek familja, djali i saj i vogël veçse 6 vjeç, që për të e për këdo prind është ‘drita e syve’, e më tej shkolla, nxënësit, shoqëria.
Përpara se të flasësh për këtë temë mjaft të ndjeshme, duhet të kesh kaluar në tre faza. Faza e parë është ajo e refuzimit te diagnozës, e dyta është ajo e traumës dhe e treta ajo e pranimit. Mësuesja Ina Kasimati, e cila karakterizohet nga energjia dhe shpirti luftarak, nuk u ndal para aty momenteve të vështira, e ndërsa morali i së gjithës është: Të mos dorëzohesh kurrë!
Çfarë do të thotë të fitosh betejën me kancerin?
Të fitosh betejën me kancerin, do të thotë që mendja jote mendon dhe prodhon valë energjie pozitive. Ajo vepron thellësisht në trupin, shpirtin tënd, duke i pohuar një vlerë të rëndësishme: Faleminderit, jam mirë me shëndetin! Faleminderit që jetoj çdo ditë pa ankthin e sëmundjes, që bëj çdo gjë që dua dhe më jep kënaqësi, që i gëzohem çdo gjëje që ha dhe i shijoj me dëshirë, pavarësisht se trupin fizik e çoj në spital, ku shtohen egzaminimet, terapitë dhe vatra të tjera tumorale. Unë jetoj bukur çdo ditë!
Çfarë të ka motivuar të luftosh për jetën?
“Motivi më i madh është që unë e dua veten time, sepse jam ende shumë e re, dhe mbi të gjitha kam dy djem, ku i vogli është veçse 6 vjeç dhe më ka veçse mua për ta rritur, shkolluar, mësuar për jetën. Unë hap dhe mbyll sytë me lutje për shëndetin, fëmijët, gjithçka të mire që kam: familjen, punën, shtëpinë, miqtë, mikeshat, lirinë, karakterin e fortë, natyrën aktive, sociale dhe po kaq të lidhur me natyrën.
Si ndryshoi jeta juaj?
Vjet, në fund të korrikut, pasi ndjeva një puçër të fortë në fundin e gjirit të majtë, bëra në spitalin Onkologjik të Tiranës një mamografi, eko dhe vizitë. Ku mu tha që jam me kancer malinj, dhe duhet të bëja urgjent biopsinë. Edhe ky egzaminim e vertetoi gjendjen në stadin e dytë. Përball dy opsioneve që mu paraqitën në spital: të bëja fillimisht disa seanca kemioterapie dhe më pas të kryeja operacionin, ku të më hiqej vetëm pjesa e masës, dhe e dyta: të bëja operacion të plotë, dhe më pas kemioterapinë. Unë në gjendjen e shockut që isha në fillim, zgjodha opsionin e parë.
Dy javët e para, pasi kisha kryer vizitën dhe prisja përgjigjen e biopsisë, nuk kam qenë aspak optimiste, perkundrazi! Vetëm qaja, rrija mbyllur në shtepi, dëgjoja muzikë, shihja filma. Këtë gjendje ju kam transmetuar edhe familjarëve të mi. Mirëpo e quaj veten me fat që familja ime, kushërinj të lidhur me mjekësinë këtu dhe jashtë, miq e mikesha të vyer, sapo i kam vënë në dijeni të gjendjes time, më kanë dhënë mbështetje maksimale me çdo gjë. Mesazhe dhe informacione kurajoze, kohë të tëra duke ndejtur me mua, duke më ndihmuar për djalin e vogël. Duke shëtitur, duke më gatuar e ndihmuar financiarisht. Shumë shpejt mora me shumë informacione, i dhashë më shumë kurajo vetes dhe mora vendimin që do kryej operacion të plotë të gjirit, pa kryer seancat paraprake të kemioterapive. Dy javë para operacionit, morra pergjigjen e keqe të biopsisë dhe isha shumë keq. Atë ditë, një mikeshë amerikane më bëri një terapi trupore dhe më ndryshoi dhe lehtësoi mendimet dhe dhimbjet që ndjeja. Ditët ne vijim bëra një udhëtim në Gjakovë, tek familja e një shoqes së ngushtë. Kur u ktheva shkova në Dajt, ju gëzova së bashku me djalin aventurës tek Dajti Adventure Park dhe dy ditë para operacionit, falë një kolegeje që drejton nje qendër novative për mësuesit, pregatita dhe mbajta një kumtesë në Konferencën e Arsimit.
Operacioni shkoi mirë, dhe pasi më doli narkoza, mbaj mend që doktor Tani, që më operoi më tha: Je mire! E ke kapur në kohë! Nuk kishe metastaza. Këto fjalë edhe pse isha në reanimacion, më kanë bërë shumë mirë, dhe i kujtoj shpesh edhe tani. Fjalët , këshillat, kujdesi, buzëqeshja, komunikimi sqarues i situatës ku ndodhet pacienti janë shumë-shumë të rëndësishme. Aq më mirë sikur të punojnë si ekip …ah sikur. Unë jam shumë falenderuese gjithë mjekëve imazherist, laborant, kirurg, anestezist, infermierë, që më kanë mundësuar ta kryej në kohë operacionin. Pasi doli përgjigjja e biopsisë, mu caktua një terapi hormonale dhe jo kemioterapi. Jam lumturuar. Sepse me ato që kisha lexuar, thellë në shpirt ja uroja vetes të mos bëja seanca të tilla, po ashtu edhe rreze. Në fakt, terapia që mu dha nuk ishte e plotë, mungonte bari kryesor dhe këtë e mesova në dhjetor kur shkova për një kontroll në spitalin Onkologjik të Barit. Aty onkologia dhe gjinekologia më kanë vizituar, ndërgjegjësuar, sqaruar, skematizuar gjithë ecurinë me analizat, terapinë. Kur jam kthyer në Tiranë, jam përfshirë në grupin e pacientëve që trajtohen me goserelinë dhe vazhdoj një herë në tre muaj me marr në spital këtë bar. Pavarësisht se terapia e parë që më caktoi doktoresh Dhurata, më dha pasoja në mitër. Ku në prill kam bërë ndërhyrje tjetër. Unë i them; Faleminderit që nuk më caktoi asnjë seancë kemioterapie.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit grave dhe vajzave që përballen me kancerin e gjirit?
Edhe këtë muaj fushatë sensibilizimi për kancerin e gjirit , unë do t’ju thoja: Nëse kapni shenja të dyshimta në gji, duhet sa më parë të bëjnë kontroll, vizitë, sepse mund ta kapin në kohë dhe mund të mos kryejnë kemio apo rreze. Përndryshe çdo vajze dhe gruaje, do t’ju uroja ta mbanin mendjen sa më pozitive për shëndetin, ta lejojnë diellin t’ju bjerë në lëkurë, sepse ju nxit vitaminën D, të marrin vitaminën C , si rritës të imunitetit. Të hajnë, të udhëtojnë dhe ti gëzohen jetës me gjithshka duan!”.
Bëhet fushatë e vazhdueshme për ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave. Mendoni se ndërgjegjësimi me fushata është i mjaftueshëm?
Ndërsa për Ministren e Shëndetit dhe gjithë politikbërësve parlamentarë, përpara sesa të japin mesazhe sensibilizuese për diagnostikimin e kancerit të gjirit, duhet më parë t’ju garantojnë vajzave dhe grave, standarte evropiane të shërbimit, mbështetjes,kontrollit me ekipe me specialistë të gjirit, kirurgë, imazheristë, onkolog, gjinekologe, psikologe, laborant, endokrinolog, infermiere etj. Të jenë pranë pacientes kur diagnostikohet me kancer /tumor, ta mbështesin, informojnë, orientojnë në vendimmarrje, për kontrollet hap pas hapi, të komunikojnë njerëzishëm … Gjithashtu të jenë transparent dhe të zbatojnë një protokoll mbështetës me terapi dhe analiza falas, siç janë edhe ato të vitaminës D, apo densiteti i kockave, gjë që deri tani paguhen nga pacientja. Do të shtoja edhe protezën e gjirit falas. Mjaft vende të BE-së, edhe Maqedonia e Veriut protezën e kanë falas, kurse ne jo. Ky është një problem tjetër që mendoj se ka ardhur koha ti jepet drejtim dhe zgjidhje, sikundër bërjes së një pavioni apo qendre dedikuar problematikave dhe shëndetit të gjirit . Unë në datën 13 tetor do marshoj në gjysmë Maratonën e Tiranës me kauzën: Protezë gjiri falas, protokoll të plotë dhe analiza shtesë falas, informim për të drejtat dhe ligjet që mbështesin gratë dhe vajzat me këtë sfidë të jetës, humanizëm dhe njerëzillëk në vendin e punës, të shkollës. Ju ftoj të na mbështesni!
TIRANA TODAY