Dilema e zgjedhjeve: Një votë për partinë apo për Shqipërinë

Nga: Adri Nurellari

Një ndër elementet kryesore të sistemeve demokratike dypartiake është parimi i “dhënies së llogarisë”, që nënkupton se zgjedhjet janë dita e gjykimit, apo e kiametit, për qeverinë që konsumon mandatin.

Ideja që votuesit përdorin zgjedhjet për të kërkuar nga qeveritë të japin llogari për performancën e tyre gjatë mandatit qëndron në zemër të demokracisë përfaqësuese. Nëse për katër vjet qytetarët kanë dëgjuar pareshtur Kryeministrin, zgjedhjet japin mundësinë që, më në fund, së paku njëherë fjala t’u kalojë qytetarëve që vënë para përgjegjësisë qeverinë dhe e shpërblejnë apo ndëshkojnë atë në bazë të performancës.

Me pak fjalë, në kushtet e Shqipërisë, që qeveria demokratike të funksionojë mirë, duhet që të kenë kërcënimin se në “ditën e gjykimit” votuesit do t’i mbajnë ata përgjegjës për veprimet e tyre pas një mandati në detyrë. Pa këtë kërcënim të “ditës së kiametit” që do t’i çojë në “xhenhemin” e opozitës apo “xhenetin” rimandatimit në pushtet, do të kishim një papërgjegjshmëri totale që do të degradonte në autoritarizëm, imoralitet, abuzim dhe korrupsion.

Edhe demokracia funksionon pak a shumë si drejtësia, bazohet te parimi i ndëshkueshmërisë. Nëse ka një gjë që e rrënon, qoftë drejtësinë, qoftë demokracinë, është pandëshkueshmëria. Me këtë rast duhet theksuar se modeli i votës në sisteme të ndara në dy krahë (si rasti i Shqipërisë) dallon nga sisteme shumëpartiake ku sistemi politik është më i fragmentuar dhe bashkëqeverisës bazuar në koalicione të larmishme siç është, për shembull, Zvicra.

Për rrjedhojë, fokusi i votës është më shumë te një parti që pëlqen nga shumë parti që garojnë sesa për të ndëshkuar apo shpërblyer një qeverie koalicioni ku përgjegjësia është kolegjiale apo e vështirë që të identifikohet. Pra, në sisteme shumëpartiake dhe me qeveri me koalicione të gjera, qytetarët e kanë të vështirë që të ndëshkojnë një qeveri sepse përgjegjësia është e paqartë, pasi parti rivale kanë ministri të ndryshme.

Në të tilla rrethana, vota shkon kryesisht për partinë që pëlqehet më shumë sesa kundër qeverisë që ka lënë shije të hidhur për votuesit. Ky nuk është rasti në Shqipëri, ku adresa e përgjegjësisë është e qartë e nuk ka të bëjë vetëm me një parti që ka gjithë tepsinë e pushtetit, por edhe me një individ të përveçëm që ka pasur ekskluziv timonin e qeverisjes.

Modeli i votimit bazuar te llogaridhënia i një shteti me tendencë bipartizane apo të dy krahëve si Shqipëria, nënkupton që nëse qytetarët janë të pakënaqur me qeverisjen dhe me mënyrën se si ecin gjërat në vend, ata kanë vetëm tri alternativa:

1) Të ndëshkojnë partinë qeverisëse duke dëbuar jashtë pushtetit mashtruesit, edhe nëse kjo do të thotë që duhet votuar për një parti që i përket krahut tjetër ideologjik.

2) Të abstenojnë dhe tërhiqen nga procesi demokratik, të dëshpëruar e dorëzuar se asgjë nuk ndryshon.

Ky është rasti kur pakënaqësia me performancën e politikanëve kthehet në zhgënjim me demokracinë si një sistem politik që nuk garanton dot cilësi qeverie. 3) Të falin partinë qeverisëse duke gëlltitur mashtrimet e dështimet gjatë mandatit të saj, duke e votuar sërish. Pra, është ky mekanizëm i “vënies para përgjegjësisë” nëpërmjet votës pro rrotacionit, ai që e bën demokracinë një sistem që “vetërregullohet” në mënyrë progresive, duke çuar gradualisht drejt një qeverisje gjithnjë e më cilësore.

Aq i rëndësishëm është rrotacioni për shëndetin e demokracisë, sa për disa studiues të njohur tranzicioneve demokratike, rrotacioni i shpeshtë i pushtetit i ardhur në mënyrë paqësore nëpërmjet votës, konsiderohet si një tregues i nivelit të konsolidimit të demokracisë së një vendi.

Mirëpo, qeveria dhe zëdhënësit e saj në sektorin e mediave apo shoqërisë civile që i vërtiten e gravitojnë vërdallë saj si satelitë janë duke u përpjekur pikërisht që të shmangin e çmontojnë tërësisht mekanizmin thelbësor të demokracisë të vënies para përgjegjësisë. Kjo synon që të zvogëlojë numrin e votuesve që zgjedhin alternativën e parë të ndëshkimit të qeverisë së kaluar për performancën e keqe dhe mundësisht t’i largojë ata drejt së tretë të relativizimit apo minimizimit të rëndësisë së rezultateve të qeverisjes.

Për ta bërë këtë gjë, mbrojtësve të maxhorancës aktuale u leverdis që debati publik të mos bëhet për fakte, të dhëna, ngjarje, raporte ndërkombëtare, skandale apo premtime të pambajtura, por për thashetheme për figurat kryesore kundërshtare e sulme personale karakteriale apo gjithfarë gjëje tjetër kreative që largon vëmendjen nga “dhënia e llogarisë” për performancënn e deritanishme.

Lexo edhe :   Pse i duhet shkuar deri në fund shkarkimit të Ilir Metës

Nëse në zgjedhjet e kaluara të vitit 2017 Rama u mor me bilancin e qeverisjes së parë duke u justifikuar për dështimet apo premtimet e parealizuara duke ia mveshur fajin LSI-së, në këto zgjedhje nuk ka se kujt t’ia hedhë fajin.

Asokohe, Rama thoshte që LSI-ja e kishte penguar për të pasur një performancë të mirë sepse i kishte hyrë në hise, prandaj kërkonte ta kishte të gjithë “tepsinë” e pushtetit për vete, sepse vetëm duke e pasur ai të gjithë “timonin” do mund të përmbushte premtimet e siguronte qeverisje të mirë. Mirëpo, mandati i kaluar kur “timonieri” u bë udhëheqësi më i fuqishëm dhe i gjithëpushtetshëm në Shqipëri që prej kohës së Ramiz Alisë, rezultoi me një qeverisje që degradoi nga shiu në breshër. Renditjet kryesore të organizatave prestigjioze ndërkombëtare për korrupsionin, konkurrueshmërinë, investimet e huaja, klimën e biznesit, trafiqet, pastrimin e parave etj. shënuan një rënie të ndjeshme.

Tanimë, timonieri Rama nuk ka kujt t’ia hedhë më fajin për keqperformancën e tij, sepse opozita nuk është as në Parlament e as në qeverisje lokale që ta pengonte e për më tepër sistemi i drejtësisë ka qenë i nxjerrë nga funksioni duke i lënë dorë tërësisht të lirë që të bënte çfarë të donte me “tepsinë e pushtetit”. Kjo e shpjegon edhe arsyen pse fushata aktuale e qeverisë nuk ka program elektoral klasik të ndarë në sektorë specifikë sikurse është bërë gjithmonë, sepse nuk i leverdis që të merret me përmbajtje, por vetëm me përbaltje.

Nuk janë aspak rastësi sulmet e ulëta personale mbi figura e personalitete të opozitës. Aktualisht, Partia Socialiste po i nxit njerëzit që të veprojnë në mënyrë joracionale, por emocionale, në bazë të identitetit dhe përkatësisë e jo të bilancit të performancës apo përgjegjësisë.

Pra, është njësoj sikur t’i thuash je me Milanin apo me Interin. Një tifoz mund të jetë tërësisht i pakënaqur dhe i demoralizuar me Interin, por pikërisht se thirret në luajalitetin e tij si tifoz, dhe kur vjen puna për Derby della Madonnina, atëherë ai prapë hidhet në mbështetje për ekipin e tij, pavarësisht se ai ekip e ka dëshpëruar. Po të shihet fushata e Ramës, ai u flet kryesisht socialistëve dhe do të mobilizojë votat socialiste që ai tashmë ka dhe nuk po përpiqet me mesazhe bindëse me të lëkundurit dhe as të japë llogari apo justifikime për dështimet dhe premtimet e pambajtura.

Një ndër taktikat që po përdor për këtë strategji është provokimi i socialistëve me sulmin ndaj Berishës, Ilir Metës dhe Monikës, sepse ata janë si alergjen mobilizues të votës socialiste. Jo më kot edhe e riktheu logon e vjetër të Partisë Socialiste mbajtur të fshehur për një kohë të gjatë, sepse u zëvendësua me Rilindjen.

Një pjesë e retorikës aktuale të fushatës së pushtetarëve është pak a shumë “ne nuk jemi të mirë, por më mirë se ne nuk ka, prandaj mjaftohuni me kaq”.

Në këtë mënyrë, synohet jo vetëm që të relativizohet apo ulet kostoja e faturës së keqqeverisjes, por edhe që të ulen pritshmëritë prej procesit demokratik. Kjo do të thotë që në pamundësi për të bindur shumë qytetarë që të zgjedhin alternativen e tretë, pra, t’i japin një shans të tretë qeverisë aktuale, Ramës i leverdis t’i çojë këta qytetarë të zhgënjyer drejt alternativës tjetër, pra, të dorëzimit, domethënë të mosdaljes në votim.

Të dyja këto strategji elektorale, qoftë ajo që synon të kultivojë apati e dorëzim për të shkuar sa më pak njerëz në votim, qoftë ajo që synon të shfajësojë qeverinë apo relativizojë dështimin për hir të besnikërisë së verbër ndaj partisë, nuk kanë implikim vetëm për rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ato dy strategji kanë pasoja edhe për vetë sistemin e demokracisë në këtë vend, sepse krijojnë traditën e papërgjegjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë.

Çaktivizojnë mekanizmin vetërregullues të demokracisë nëpërmjet kërkimit të llogarisë nëpërmjet votës. Pra, i japin dritën jeshile çdo politikani që në të ardhmen të qeverisë edhe më keq sesa ka qeverisur deri tani, sepse fundja gabimet nuk shpaguhen, skandalet nuk ndëshkohen dhe mashtrimet nuk bartin kosto.

Prandaj sjellja elektorale në këto zgjedhje nuk ka të bëjë më thjesht me partinë, por edhe me përgjegjësinë, gjë që lidhet ngushtë me të ardhmen e demokracisë në Shqipëri.