Administrata amerikane ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç, do të takohen në Uashington më 4 shtator. Ky takim fillimisht ishte planifikuar për 2 shtator, por është shtyrë për dy ditë siç është thënë, arsye të planifikimit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se pret surpriza dhe negociata të vështira.
“Tema e vetme e bashkësisë ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht nga agjendat, është njohja e Kosovës. Thelbi është që (Avdullah) Hoti dhe zyrtarë shqiptarë thonë se po shkojnë në Shtetet e Bashkuara për njohje. Kishte edhe deklarata jozyrtare nga udhëheqësit në rajon që do të nënshkruaj, çka do që ofrohet në Uashington. Këtë e dëgjova me kujdes. Unë pres një befasi, nuk hezitoj ta them këtë, dhe do t’i kërkoj falje administratës amerikane nëse kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç për televizionin serb “Pink” të shtunën në mëngjes.
Ndonëse Uashingtoni ka paralajmëruar se takimi në Shtëpinë e Bardhë do të ketë për temë çështjet ekonomike, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të ishte mirë që Kosova në këtë takim të shkojë për marrëveshje finale me Serbinë, e cila sipas tij, duhet të ketë njohje reciproke në kufijtë ekzistues.