Brazili është një prej shteteve të prekura më rëndë nga pandemia e koronavirusit, ku janë regjistruar më shumë se 5.6 milionë raste. Ky shtet renditet në vend të tretë pas Shteteve të Bashkuara dhe Indisë, sa i takon infektimeve dhe pacientëve që humbin betejën me Covid-19.
Autoritetet kanë raportuar për një “incident të rëndë” në Brazil, ndaj janë pezulluar testimet klinike për një vaksinë kineze.
Qendra rregullatore për shëndetësi në Brazil, Anvisa, ka thënë se incidenti është regjistruar më 29 tetor, mirëpo nuk ka dhënë më shumë detaje.
Testimet e fazës së fundit të vaksinës së kompanisë Sinovac, janë duke u kryer edhe në Indonezi dhe Turqi. Për fat të mirë, asnjë shtet nuk ka raportuar pezullim të testimit.
Vaksina e kompanisë Sinovac është një prej shumë vaksinave që po testohen në fazat e tyre finale.
Dimas Covas, udhëheqës i Insitutit mjekësor Butantan, që po kryen testimet në Brazil, u ka thënë mediave lokale se pezullimi i testimeve, është bërë për shkak të një humbje jete. Ai i ka mëshuar fort faktit se vdekja nuk ka ardhur si pasojë e vaksinës.