Retrospektivë

Dëshmia rrënqethëse e At Jak Gardinit/ 10 vjet burg si ‘agjent i Vatikanit’


               Publikuar në : 10:17 - 07/11/19 M P

Nga Dashnor Kaloçi

Dëshmitë e panjohura e At Jak Gardinit, klerikut italian i cili erdhi në Shqipëri që në vitet ’30-të duke shërbyer si meshtar në disa prej famullive të malësive të Veriut, dhe pedagog në Kolegjin e Frentënve Jezuitë të qytetit të Shkodrës. E gjithë historia nga arrestimi i tij prej komunistëve në vitin 1945, dënimi me 10 vjet burg me akuzën “agjent i Vatikanit”, kalvari nëpër kampe dhe burgje, riatdhesimi në Itali në vitin 1956 pas marrëveshjes Hrushov-Adenauer, botimi në Romë në vitin 1992 i librit me kujtime, “Dhetë vjet burg në Shqipëni 1945-1955”, e deri tek ardhja e tij në Shqipëri pas viteve ’90-të….

Një nga ata qindra e qindra shtetas të huaj që vuajtën gjatë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ka qenë edhe kleriku katolik italian, At Jak Gardini, i cili kishte ardhur në Shqipëri që në vitet ’30-të, për të shërbyer si famullitar në disa prej zonave të thella të malësisë së Veriut dhe si pedagog në Kolegjin Jezuit në qytetin e Shkodrës. Por, ëndrra e tij për të vazhduar shërbimin me devotshëmëri ndaj besimtarëve katolik të Shqipërisë, u pre në mes që në vitin 1945, kur ai u arrestua nga komunistët e sapoardhur në pushtet. Pas akuzave te sajuara si “agjent i Vatikanit” At Jak Gardini u dënua me dhjete vjet burg, të cilat i vuajti nëpër kampet e punës së detyruar në disa rrethe të Shqipërisë komuniste. Ai mundi të lirohej nga dënimi vetëm në vitin 1955, dhe po atë vit u riatdhesua në vëndlindjen e tij, në Itali. Në fillimin e viteve ’80, At Jak Gardini shkroi kujtimet e jetës së tij për kohën që kishte shërbyer në Shqipëri, si dhe vuajtjen e dënimit, duke i përmbledhur ato në një libër të titulluar “Dhetë vjet burg në Shqipni” (1945-1955) i cili u botua në Romë në 24 maj të vitit 1986. Nga ai libër i Gardinit, ne kemi përzgjedhur vetëm disa pjesë, të cilat po i botojmë pa asnjë ndryshim, duke i paraqitur ato në dialektin gegë, ashtu sikurse i ka shkruar vetë autori.

 

Pushkatimi Dom Zadejës, Shantojës, Arapit e Trackit

Me arrestimin e dënimin me burg, çashtja ime mund të quhesh e kryeme. Por unë nuk ishem i vetmi qi rash për pakujdesi në kurthën e “pushtetit të popullit”. Un bajshem pjesë në nji bashkësi të madhe qi mbarshtronte grupe të mëdha institutesh. Shoqnija e Jezuitve atëhere drejtonte Seminarin Papnuer, Kolegjën Saverjane, jetimoren, shtypshkrojën me dy revista; nji grup jezuitësh gjatë dimnit kujdesesh për të mirën shpirtnore të malsorve, tue pajtue gjaqet ase hakmarrjet; mandej drejtonte nji rradhë veprimtarish t’Aksjonit Katolik. Misjoni i Jezuitve në Shqipni përmblidhte nji kompleks t’organizuem mjaft mirë qi jo pa arsye mbahesh si nji pararoje e krishtenimit në nji vend kryesisht musliman. Simbas mentalitetit të njerzve të regjimit të ri, selija e veprave të ndryshme të jezuitve ishte njifarë krahu i gjatë i Vatikanit, njifarë kështjelle e shikueme me dyshim e madje edhe me frigë. Qyshse trupat partizane të çlirimit kishin zavendsue ato gjermane (nanduer 1944), veprat e Misjonit qenë shkas hetimesh rrajsore; ma se njiherë gjatë kontrollimeve çdo gja u suell posht e përpjetë e u shqyrtue me kujdes se mos po gjejshin ndonji shkak të mjaftueshëm për t’i dhanë zjarr nji sulmi qi do të çonte n’ajr gjithçka. Në shekujt e histories së tyne kundër jezuitve nuk kanë mungue kurr shpifje, edhe shnderuese, paragjykime, e Shqipnija nuk bante nji përjashtim: shprallime qarkullojshin edhe ma parë; por ndër vjetët për të cilët po flitet, kishte ndërhy edhe ndonji spijunllëk ase tradhti “miqsh”. Megjithatë kurrgja konkrete ase e vërtetë nuk kishte dalë në shesh.

Këshilla e At Gjon Faustit

Mbas arrestimit tim e dënimit me burg, bashksija jetonte si pa frymë e me parandjenjën e afrimit të nji stuhije. Krejt rinija e kolegjës ishte e prekun. At Gjon Fausti, qi kishte detyrën e nënprovinçjalit, kur i kallxova se çka kishte ndodhë në konferencën e famshme, më pat thanë:”Duhesh të kishe qenë ma i matun! Por ti je vetëm i pari; nuk do të vonojë me ardhë edhe ora jonë. Jemi në duert e Perendis!”. Përpara e mbrapa dënimit tim ndonji bashkvlla vinte me më vizitue në burg; porse biseda zhvillohesh gjithonë në pranin e nji roje të gatshme me diktue çdo shej ase shprehje, qi mund të na merrte në qafë. Nga shkaku i rrethanave, rasa ime nuk kishte ngatrrue bashkvllazën të tjerë të mij ase ente katolike. Për tashti ishem vetëm nji subjekt i padishruem mbi të cilin pushteti kishte mujtë me vu dorë me njifarë përligjsimi. Kjo mund të quhet si nji gja e vogël, por gjithmonë nji hap i parë qi ma vonë do të mundte me çue te qëllimi i dishruem. Në burg ishem natyrisht në padijeni të plotë se çka u ndodhte bashkvllazënve të mij jezuitë. Kah gjysa e dhetorit 1945 kuptova fluturimthi nga buzët e njenit qi kishte ardhë me më vizitue: “Xhakojt arrestue!” Mbeta si të më kishte ra rrfeja e i kapërthyem prej pikllimi, sepse ato fjalë posa të pëshpërituna lijshin me kuptue shum gjana. Tue e vu veten në rrezik, nënprovinçjali At Fausti erdhi me më vizitue për Krishtlindje. N’at rast ai vërtetoi lajmin, tue dhanë nji shej ftyre:”Në duert e Zotit” Ajo qe hera e fundit qi e pash e i fola. At muej të dhetorit ishin caktue zgjedhjet për krijimin e Frontit Populluer. Në qytet forcat kundërshtare të regjimit kishin vendosë msheftas me e njoftue popullsin mbi vështrimin qi kishte ajo votë, randsin e saj e rrjedhimet qi mund të ndodhshin. U dukte se deri n’at çast fuqinë në dorë e kishin trupat e çlirimit, formue me elementa të çdo besimi fetar e politik, qi ishin bashkue me dëbue pushtuesit e vëndit. Në të vërtetë Fuqitë e Armatosuna ishin të kontrollueme nga komunistat, e zgjedhjet synojshin vetëm me i dhanë njifarë pamje ligjore atyne qi e kishin marrë pushtetin e dojshin me e ruejtë vetëm për vete. Kaq asht e vërtetë sa kur, ma vonë, u mundue me organizue kuadrot drejtuese, zanat e qindresës, qi me çdo të drejtë urojshin nji qeveri koalicjoni, së pakut me socialistët, u vunë në heshtje e mandej qenë shtypë. Asht e dijtun se në kët klimë ato zgjedhje nuk do të mundeshin me u zhvillue në mënyrë me të vërtetë të lirë. Qysh me kohë ishte parapa sekuestrimi i tipografive, çiklostileve, rezervave të letrës, maqinave të shkrimit, e gjithçkahes qi mund të bahesh vegël e propagandës. Edhe në shtëpin e jezuitve u sekuestuen krejt mjetet e tilla.

Hedhja e trakteve antikomuniste

Megjithatë, disa seminarista ia kishin dalë me gjetë, në sekretin ma të madh, disa pjesë të nji çiklostili të vjetër e me e ba në njifarë mënyre me punue. Pa dijeni t’eprorve e dakord me disa elementa të qytetit, me at vegël fillestare, natën, shumzuen fletushka e i përhapën nga pak gjithkah. Policija qi nuk flinte, ndaloi nji djalosh të ngarkuem për shpërndamje e me të rrahuna, ia duel me zbulue prejardhjen e atyne fletëve. Kështu ata mrrijtën ke xhakojt e seminarit tonë. Katër u arrestuen. Tue i nënshtrue torturave të ndryshme, policija synonte me i shtrëngue me pohue se organizatorët e atij komploti antiqeveritar ishin eprorët e jezuitve. Por, me gjith shtrëngimet, premtimet, torturat, seminaristat mbetën të patundshëm në pohimin se përgjigjsija ishte krejt e vetëm e tyne. Me gjithë këtë dy etnit, Fausti e Dajani, u arrestuen njisoj. Nënshtrue keqpërdorimeve, për krejt muejin e kallnorit e të frorit mbetën të mbyllun ndër nevojtore grafullue me ndyetsina, pa u ballafaque kurr me seminaristët. Asnji za, bile as prej njerzve miq të parties, qi ishin në favor të etënve, nuk u ndigjue. Advokati Dhimitër, i mbajtun si juristi ma i mirë shqiptar, u përpoq t’i mprojë tue theksue: ”Do t’i bani vetëm martirë në rast se i dënoni”, por atë e fishkulluen. Gjithçka ishte sajue, e në gjyq prokurori kërkoi dënimin me vdekje për seminaristët e burgun e përjetshëm për të dy etnit. Ky vendim qe ndryshue nga gjyqi i naltë qi tetë ditë mbrapa dekretoi: dënim me vdekje për dy etnit e nji seminarist, burgim të përjetshëm për të tjerët. Për gjashtë ditë me rradhë të pandehunit të lidhun dy nga dy e me At Faustin vetëm në krye, shkojshin në gjyq e parakalojshin ndërmjet dy anësh të popullit qi bërtitte: ”Me vdekje trathtarët”, tue hjedhë pështyma e shpoti sidomos kah “kryetari i çetës” qi ecte i kthjellët si nji “krisht i shkretë”. Në mëngjesin e pushkatimit, tue dalë nga qelit me dritë qiriu e gjatë kalimit, ishte pikërisht ai, “kryetari i çetës” me u drejtue fjalë ngushlluese shokëve për falje e shpresë për të gjith: ”Po shkojmë te shtëpija e Zotit!”. Besoj e më bjen mirë në mend: ishte 4 mars 1946. N’agim u ndigjue nji krizëm tmeruese e mitralozave. Kufomat qenë hjedhë në nji vorr të përbashkët mbas mureve të vorrezave katolike të Shkodrës. Kah ora nandë po e atij mëngjesi, dera e shpellës ku ishem ndry me priftën të tjerë, u hap e në valë të dritës qi hyni njofta fytyrat e dishprueme të tre seminaristave qi kishin mbetë gjallë. Tue marrë frymë përshpëritshin: ”Kemi shkatrrue gjithçkafen!”. Me pushkatimin e etënve Fausti e Dajani, vepra e jezuitve në Shqipni, e ndërtueme me durim gjatë krejt shekullit të fundit, mori grushtin shkatrrimtar. Nuk ishte çudi qi, sado në kundërshtim të përgjithshëm e të mjerë, e ende në mungesë të disa degëve, prapsepra gjithnduershmenija ndërtuese, në të cilën ishte zhvillue vepra e jezuitve me ngulmenin e njerzve të vendosun të fortë e gjallnikë, mund t’epte përshtypjen e nji “kështjelle”. Përkundrazi pushtuesit e rij me fare pak përjashtime, kishin nji kulturë thuejase të kufizueme. Nji antagonizëm i tillë padyshim mund të shkaktonte nji ndjenjë të fortë frige. Ishte mjaft logjike pra se qysh nga fillimi do t’u mendonte seriozisht për zhdukjen e kësaj kështjelle. E tashti “kështjella” mund të quhesh e pushtueme: veprimtarit e ndryshme pezullue, shkollat mbyllë, mjetet si tipografija, biblioteka, muzeu e laboratori i fizikës shtetzue, seminaristat dërgue nëpër shtëpijat e tyne, jezuitët shqiptarë shpërnda e ata italjanë riatdhesue. Ishte një operacjon i përkryem me të vërtetë në mënyrë të vendosun e rrajsore.

Ekzekutimi i klerikëve të famshëm

Partija Komuniste Shqiptare e dinte mirë se ndër pozitat doktrinore të Kishës e të vetat nuk mund të kishte marrveshje. Nga ana tjetër n’ato fillesa, përpara se ta futshin krejt gjendjen në dorë, nuk ishte i udhës një sulm ball për ball. Nuk mund të lihej mbas odre se nji numër i mirë katolikësh, dashje ase padashje tashtima ishin inkuadrue n’ushtrinë e rregullt. Mandej zona malore, tue fillue nga liqeni i Shkodrës mbi nji vijë qi mrrinte deri në kufijt e Dibrës, gati nji e treta e Shqipnis, ishte në shumicë e banueme nga katolikë, e ende jo mirë e kontrollueme nga fuqit qeveritare. Nga nji çast në tjetrin kjo zonë mund t’u shndërronte në nji qendër kundërshtare. Prandej shpalljet e përhapuna në vend nga organet qendrore e sigurojshin ende lirin e fes. N’ato shpallje u theksonte edhe se “tradhtarët e anmiqt e popullit” duhet t’ishin të kujdesshëm ndaj “drejtsis popullore”. Por kush ishin ata se? Në çfarë pikëpamje e pse quheshin ashtu? Filluen me qarkullue fjalë për njerz të vumë qysh me kohë në nji listë të “të zhdukunve” e tash të pushkatuem. Në Shkodër, gati në kufi me Jugosllavin, menjiherë mbas hymjes së trupave partizane, u folte për arrestimin e disa priftënve e për pushkatime në masë. “Ishin tradhtarë”, por m’anë tjetër u tha se nuk u donte n’asnji mënyrë me e sulmue Kishën. Kështu u zhdukën Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Alfons Tracki, Dom Nikollë Gazulli, Dom Pjetër Çuni e disa françeskaj. Duket se autoriteteve të Kishës katolike iu ba nji grishje nga Qeveria komuniste, por në të vërtetë nuk u mrrijt n’asgja. Nji përgjegje e asnjanshme e Kishës qi ndoshta tingllnte si nji “jo” për nji bashkëpunim të drejtpërdrejt- a mos qe interpretue si nji shej anmiqsije? Nuk mundem me e pohue me siguri, por në fakt shtrëngata qi qysh prej kohe shkonte tue u dendsue përfundoi tue shpërthye egërsisht si nji duhi. Tashma, ndërmjet mbarimit të 1945-ës e marsit të 1946-ës qenë shkatrrue jezuitët e veprat e tyne, si kam tregue ma sipër. Në maj po të njëjtit vjet 1946, i ndrydhon nga ngjarjet u shue argjipeshkvi metropolit i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi. Kështu Kisha e Shqipnis humbi njenin prej barijve ma të përkryem. Delegati apostolic, Imzot Giovanni B. Nigris, mbas kthimit të tij nga nji udhtim në Romë qe deklarue “person i padishruem” e qe dëbue. Argjipeshkvi i Durrësit, françeskani Imzot Vinçenc Prenushi, mekesh në burgjet e qytetit të vet ku mbaroi jetën më 1949. Ipeshkvi i Pultit, françeskani Imzot Bernardin Shllaku, ishte tue ba burg në Shkodër me të dënuemit ordinerë, sepse i ishin gjetë në shtëpi disa kile misri “jashtë ligje”. Nga Kisha shqiptare, tashma e thërmueme, kishin mbetë ende për t’u rrenue dy elemente për deri në zhdukjen e saj të plotë: bashkësija e françeskajve me veprat e drejtueme prej tyne e njisit e mbetuna t’ipeshkvis të përbame nga Imzot Frano Gjini, ipeshkëv i Lezhës e Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv i Sapës në Zadrimë. Prandej përpjekjet e qeverisë së Tiranës u përqindruen kundër ktyne objektivave. Në fillim të 1947-ës, qenë arrestue e mandej pushkatue provincjali i françeskajve, At Mati Prendushi e guardjani i kuvendit At Çiprian Nika. Ata qenë paditë se kishin mjaftë armë të mshehuna në kuvendin e tyne të Gjuhadolit, qi ishte shtëpija amë e françeskajve. Pasunit e Urdhnit qenë konfiskue. Ma vonë do të mirret vesh se armët, për shkak të të cilave u pushkatuen qenë mshehë në kuvend nga vetë agjentat e policis gjatë një kontrollimi. Këtë do t’a deklaronte para gjyqit nji agjent qi kishte humbë besimin e parties. Ky ishte Pjerin Kqira e për at deklaratë atij iu desht me përballue dënimin me vdekje. Në të njëjtin vjet 1947, afër Pashkëve, mbas torturave të pabesueshme, qenë dënue me vdekje e pushkatue dy ipeshkvit qi kishin mbetë bashkë me Dom Nikollë Dedën. E lista do të mundte me u zgjat tragjikisht me priftën diocezanë e rregulltarë qi un pata njoftë personalisht, e të cilët u pushkatuen ase vdiqën nën tortura, ase si rrjedhim i mundimeve të psueme. Ishim rreth njizet priftën në burgun e vjetër të Shkodrës e kishim mjaft kohë me ba së bashku lista emnash e grimca informatash. Bajshim llogari të gjata e t’imta rreth atyne qi sigurisht kishin vdekë e t’atyne qi mund të vdiqshin nga nji çast në tjetrin./Memorie.al

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT