Nga Madeline Roache “Time”
Presidenti i SHBA-së Xho Bajden dhe ai rus Vladimir Putin, do të takohen ballë për ballë për herë të parë që kur Bajden ka marrë detyrën në janar të këtij viti. Samiti që do të mbahet në Gjenevë të Zvicrës,dhe do të zhvillohet në kushtet kur marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë “prekën fundin” thotë Çarls Kupçan, anëtar i vjetër në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, që ka shërbeu në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë nën presidentin Barak Obama.
Gjasë vitit të kaluar, SHBA-ja ka vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj zyrtarëve rusë për një listë të gjatë akuzash:ndërhyrje në zgjedhje; persekutimin e aktivistëve dhe gazetarëve në Rusi, përfshirë burgosjen e kreut të opozitës Aleksei Navalni; përfshirja në veprimtari të dëmshme kibernetike; shantazhi ndaj Ukrainës dhe veprime të tjera.
Nga ana tjetër,Rusia e ka kritikuar SHBA-në për ndërhyrje në punët e saj të brendshme dhe kërcënimin e stabilitetit ndërkombëtar. Takimi Putin-Bajden do të jetë padyshim shumë i ndryshëm nga ai me ish-presidentin Donald Trump në Helsinki, në korrikun e vitit 2018.
Në atë takim, Trump refuzoi të kritikonte Putinin, teksa hodhi poshtë zbulimet e shërbimeve sekrete të SHBA-së rreth ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Bajden është zotuar të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë sesa Trump, dhe sipas zëdhënëses së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Xhen Psaki, do të kërkojë të rikthejë “parashikueshmërinë dhe stabilitetin”.
Gjeneva ka qenë dikur edhe vendi i takimit të parë të zhvilluar midis presidentit të SHBA-së Ronald Reagan dhe liderit sovjetik Mikail Gorbaçoc në vitin 1985, që ndihmoi jo pak në zbutjen e tensioneve gjatë Luftës së Ftohtë.
Gorbaçov, tani 90 vjeç, tha më 27 maj për agjencinë e lajmeve “Interfax” se “shumë gjëra janë shkatërruar sa i përket çështjeve të stabilitetit strategjik, ndaj është i nevojshëm rikthimi i tyre”. Ai shtoi se Bajden është një udhëheqës me të cilin Rusia “mund të negociojë”, dhe sipas tij administrata e mëparshme “rezultoi të ishte e pabesueshme”.
Po çfarë do të diskutojnë Putin dhe Bajden në Gjenevë?“Një gamë të plotë çështjesh të ngutshme, thotë zëdhënësja Psaki, nga çështjet e të drejtave të njeriut, deri tek sulmet kibernetike.
Nga ana e tij Kremlini ka deklaruar se presidentët do të diskutojnë mbi “gjendjen aktuale dhe perspektivat e marrëdhënieve ruso-amerikane, çështjet e stabilitetit strategjik dhe problemet akute në agjendën ndërkombëtare, përfshirë ndërveprimin në trajtimin e pandemisë së koronavirusit dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale”.
Padyshim në rendin e ditës do të jetë edhe Ukraina. Psaki ka konfirmuar se Bajden do të nënvizojë mbështetjen për “sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij vendi”. Rusia është nën sanksionet e SHBA-së për shkak të aneksimit që i ka bërë që nga viti 2014 gadishullit ukrainas të Krimesë.
Që prej atëherë separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin lindor të Ukrainës Donjeck, kanë luftuar kundër trupave të Kievit. Përleshjet e armatosura shpërthejnë periodikisht, ndonjëherë në mënyrë shumë intensive.
Në prill të këtij viti Bajden i bëri thirrje Putinit për të “ulur tensionet”, kur Moska dërgoi luftëanijet për të kërcënuar Ukrainën nga deti, si dhe grumbulloi dhjetëra mijëra trupa në kufi më vendin fqinj, grumbullimi më i madh i këtij lloji që nga viti 2014.
Po ashtu, Bajden do të trajtojë edhe skandalin e avionit të “Ryanair”, që u detyrua të ulej në Minsk nga regjimi bjellorus për të arrestuar blogerin e opozitës Roman Protasevich më 23 maj. Presidenti amerikan ka deklaruar se në takim do të ngrejë edhe problemin e sulmeve kibernetike, për shkak të vërshimit të madh të tyre në SHBA muajt dhe javët e fundit.
Bajden akuzoi direkt Rusinë si përgjegjëse për sulmin kibernetik të vitit të kaluar kundër kompanisë amerikane të teknologjisë së informacionit “SolarWinds”, që paralizoi punën e të paktën 9 agjencive federale dhe 100 kompanive perëndimore.
Sulmi më i fundit i madh ishte ai mbi gazsjellësin Kolonial, më i madh në Amerikë në mesin e muajit maj. Ndërkohë,më 27 maj Microsoft zbuloi se një tjetër sulm i madh kibernetik nga grupimi “Nobelium”, i njëjti për të cilin SHBA pretendon se ishte prapa sulmit ndaj “SolarWinds”, ka shenjestruar mbi 150 organizata në të gjithë botën.
Ndër të tjera, presidenti amerikan ka shumë gjasa që të përsërisë thirrjet e tij për lirimin e liderit rus të opozitës Navalni, thotë Eduard Lukas, autor i librit “Lufta e Re e Ftohtë:Rusia e Putinit dhe kërcënimi për Perëndimin”. Aktivisti u helmua nga një agjent nervor gushtin e vitit të kaluar, një sulm për të cilin Navalni dhe qeveritë perëndimore fajësuan Moskën.
Ndërkohë, në shkurt të këtij viti Navalni u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg për akuzat e shkeljes së lirimit me kusht në një proces, që shumë ekspertë e cilësojnë si të motivuar politikisht.
Që nga ai moment, goditja e regjimit ndaj kundërshtarëve të tij vetëm sa është përshkallëzuar.
Nga ana tjetër duhet theksuar se mes 2 liderëve nuk ka asnjë kimi personale, thotë Kadri Lik, eksperte e politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Gjatë një interviste dhënë në muajin mars, Bajden ra dakord me përshkrimin e Putinit si një “vrasës”, dhe shtoi se lideri rus “do të paguajë një çmim” për përpjekjet e tij për të sabotuar zgjedhjet presidenciale të2020-ës në SHBA.
Gjithsesi, Bajden vendosi kohët e fundit të heqë dorë nga sanksionet e SHBA-së kundër kompanive që po ndërtojnë“Nord Stream 2”, gazsjellësin që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, dhe për të cilin kritikët në Evropë dhe SHBA thonë se mund të thellojë varësinë energjitike të Evropës nga Rusia.
Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peshkov e cilësoi “një sinjal pozitiv” këtë lëvizje. Po çfarë mund të arrijë në fund ky samit?“Udhëheqësit do të synojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të përmirësojnë dialogun. Disa çështje për të cilat ata mund të bien dakord përfshijnë pandeminë, paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme dhe krizën e klimës”-thotë Kupçan.
Të paktë janë ata analistë që presin rezultate dramatike nga ky takim. Sipas tyre, Bajden dëshiron të krijojë një raport pune me Kremlinin. Në kampin rus, mbetet e paqartë nëse Putini vendosi ta takojë Bajden thjesht për t’i provuar publikut rus se “ai ka shumë peshë në skenën globale”, apo sepse ai është i përgatitur të bëjë biznes, thotë Kupçan.
“Ekziston të paktën një gatishmëri e përkohshme për të përmirësuar atmosferën. Ne jemi vetëm në fillim të negociatave. Megjithatë është ende herët për të përcaktuar nëse do të ketë apo jo një lloj “rivendosje”të bashkëpunimit me Rusinë, për këtë do të duhet shumë punë dhe kohë’- nënvizon ai.
burimi: https://time.com/6053298/putin-biden-summit
Përshtatur për Tirana Today