Nga Dimitar Bechev, “Moscow Times”/Departamenti amerikan i Shtetit, mund të jetë duke përjetuar kohë të vështira, por në disa kënde të globit arrin ende të ketë ndikim. Zëvendës Ndihmës Sekretari Hoyt Brian Yee, njeriu i Uashingtonit në Ballkan, e dëshmon këtë. Në majin e këtij viti, ishte tek e fundit ndërhyrja e tij ajo që i dha fund krizës politike në Maqedoni, me një kabinet të ri pro-perëndimor që ka marrë frenat e vendit në dorë.
Tani, Yee e ka përqendruar vëmendjen e tij tek Serbia, mikja më e mirë e Rusisë në rajon. Gjatë një vizite të zhvilluar kohët e fundit në Beograd, pikërisht më 24 tetor, ai i dërgoi një mesazh të hapur mikpritësve të tij:”Ju s’mund të uleni në dy karrige, veçanërisht nëse ato janë kaq larg njëra-tjetrës!”, duke nënkuptuar synimin e Serbisë për anëtarësim në BE, teksa vazhdon të bashkëpunojë ngushtësisht me Moskën.
Nga qeveria serbe pati një reagim të përzier: Disa, si ministri i Çështjeve të BE-së, e hodhën poshtë deklaratën, ndërsa të tjerët, përfshirë ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç dhe atë të Mbrojtjes Aleksandar Vulin, e shpërfillën qëndrimin e të dërguarit të SHBA-së.
Ambasadori rus në Beograd Alexandër Chepurin iu bashkua këtij kori, duke e shpërfillur zotin Yee si “zëvendësin e 75-të të ndihmësit të 24-të të një Ministrit të Jashtëm”. Pavarësisht nga kjo, diplomati amerikan u prit nga Aleksandar Vuçiç, presidenti i Serbisë, dhe të dy thuhet se patën një debat të fortë.
Molla e sherrit, duket të jetë Qendra Humanitare Ruso-Serbe, një organ i ngarkuar për menaxhimin e fatkeqësive natyrore. E hapur në vitin 2012 nga Sergei Shoigu, teksa mbante ende postin e ministrit rus të Situatave të Jashtëzakonshme, qendra shihet nga shumë njerëz në Perëndim, si një seli e zbulimit rus.
Edhe vendndodhja e saj në qytetin juglindor të Serbisë, Nish, jo shumë larg kufirit me Kosovën, Maqedoninë dhe Bullgarinë, anëtare të BE-së dhe NATO-s, shkakton jo pak habi. Në tetorin e vitit 2014, Moska kërkoi që stafit të saj t’i jepej mbrojtje diplomatike. Megjithatë, qeveria serbe ka zvarritur dhënien e një përgjigje konkrete.
Sipas Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, disa qeveri të BE-së kanë kërkuar mbylljen e qendrës. Tani duket se kjo histori po i afrohet fundit. Ministrat Daçiç (që pasoi Sllobodan Millosheviçin si udhëheqës i socialistëve në Serbi) dhe Vulin po mbrojnë ofertën e Rusisë.
SHBA-ja u përzje në këtë debat në muajin gusht, kur senatori Ron Johnson, kryetar i Nënkomitetit për Bashkëpunimin Evropian dhe Rajonal mbi Sigurinë, doli kundër objektit të diskutueshëm, duke thënë se kjo do të dëmtonte interesat e Serbisë.
Megjithatë, e vërteta është se presioni i SHBA-së s’ka gjasa t’i japë fund qasjes balancuese të Serbisë, duke kujtuar sjelljen e ekuilibruar të Josip Broz Titos midis Lindjes dhe Perëndimit. Përveç qendrës në Nish, Beogradi dhe Moska përfitojnë ndërsjelltas nga një marrëveshje teknike ushtarake që daton nga viti 2013.
Në tetor, Serbia mori 6 avionë luftarakë MiG-29 nga Rusia, dy prej të cilëve falas në formën e dhuratës. Media pro-qeveritare e vlerësoi marrëveshjen si një mënyrë për të përfshirë në fushën e lojës edhe Kroacinë fqinje, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009.
Zagrebi po blen sisteme të reja armatimesh, dhe po punon për të modernizuar forcën e saj ajrore, duke hequr dorë nga avionët sovjetikë të trashëguar nga ish-Jugosllavia. Qarkullojnë zëra se Presidenti Vuçiç do të diskutojë blerjen e raketave ajrore S-300 dhe disa avionë shtesë MiG, gjatë vizitës së tij të ardhshme që do të zhvillojë në Bjellorusi.
Shtetet e Bashkuara kanë një ndikim të kufizuar mbi Serbinë, për shkak se Ballkani për një kohë të gjatë ka pushuar së qeni një prioritet kryesor madh për Uashingtonin. Është shumë e rrallë që zyrtarët e lartë amerikanë të përqendrohen apo shpenzojnë shumë kohë në rajon.
Udhëtimi i zëvendëspresidentit Mike Pence në Malin e Zi në qershor, për të festuar pranimin e vendit në NATO, është përjashtimi që e provon rregullin. Ajo që bota nuk mund të mos e shihte, ishte shtyrja e presidentit malazez Dushko Markoviç nga homologu i tij amerikan Donald Trump, gjatë një takimi të NATO-s në Bruksel majin e kaluar.
BE sigurisht që në dorë më shumë karta, teksa Serbia po aspiron t’i bashkohet unionit, dhe po zhvillon prej 3 vitesh bisedimet për anëtarësim. Megjithatë, liderët evropianë preferojnë të angazhohen më shumë sesa të luajnë fort me Beogradin, për të mbështetur stabilitetin në ish- Jugosllavi, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë.
Por kushtëzimi i bashkëpunimit me serbët, për shkak të flirtit të tyre me Rusinë është jo produktiv. Kjo nuk do të thotë që Serbia është vendosur tashmë fort në orbitën ruse. Nën radar, ajo ka ndërtuar një marrëdhënie të fuqishme sigurie me SHBA-në dhe NATO-n.
Zyrtarët në Beograd theksojnë se në vitin 2016, forcat e armatosura serbe zhvilluan 200 aktivitete të përbashkëta me aleancën (dhe vazhdojnë edhe të marrin pjesë) në krahasim me vetëm 17 aktivitete me rusët dhe anëtarët e tjerë të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), në të cilën Serbia është vëzhguese.
Marrëveshja e Statusit të Forcave, ose SOFA, i jep privilegje personelit të NATO-s që i mohohen stafit rus në Nish. Që kur Vuçiç u bë kryeministër në vitin 2014, ai ka kultivuar imazhin e një reformatori ekonomik të fortë, që ka pasur marrëdhënie të ngushta me personalitete perëndimore si zëvendëspresidenti Joe Biden apo kancelarja gjermane Angela Merkel.
Një tjetër përfundim i gabuar nga misioni i zoti Yee në Beograd, do të ishte ai sipas të cilit Perëndimi dhe Rusia janë mbërthyer në një konflikt për jetë a vdekje, mbi të ardhmen e Ballkanit.
Fërkimet rajonale mes të dyjave, janë më shumë për fushata me kosto të ulët që Moska po zhvillon, për të shkaktuar përçarje ndërmjet politikave të BE dhe SHBA-së. Sigurisht, Rusia e ka rrënjosur retorikën e saj kundër NATO-s, dhe madje edhe zgjerimit të BE-së, dhe me sa duket ka shënuar disa arritje në atë bllokim.
Shërbimet e sigurisë së Moskës, supozohet se janë përfshirë në një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi në tetorin e vitit 2016, me qëllim parandalimin e anëtarësimit të vendit në NATO. Përtej ish-Jugosllavisë dhe më gjerë, nacionalistët adhurojnë Vladimir Putinin si udhëheqës të fortë, i cili po e detyron Perëndimin arrogant të paguajë për mëkatet e tij të dikurshme.
Qeveritë joshin Rusinë për tregti dhe mundësi investimesh, duke refuzuar t’u bashkohen sanksioneve perëndimore. Edhe presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila ka mbajtur postin e ndihmëssekretares së përgjithshme të NATO-s në vitet 2011-2014, dhe më vonë e ka dënuar “luftën hibride” të Moskës, zhvilloi një vizitë të paprecedentë 3-ditore në Rusi, ku u takua edhe me Vladimir Putinin në Soçi.
Megjithatë, fakt është se Rusia s’ka një strategji apo ambicie afatgjate në Ballkan. As Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, as CSTO nuk do të zëvendësojnë BE-në dhe NATO-n. Moska është padyshim e padobishme për vendet jashtë “sferës së privilegjuar të interesit”, që ajo pretendon në ish-Bashkimin Sovjetik. E fundit por jo më pak e rëndësishme, nuk ka asnjë një narrativë të madhe që të ndërlidhë politikën ruse me rajonin, një punë që dikur e kryente ideologjia komuniste.
Ballkani Perëndimor, është vetëm një periferi e prekshme e Perëndimit, ku Rusia mund të ushtrojë ndikim si pjesë e një gare më të gjerë me SHBA dhe BE-në. Kjo krijon mjaft hapësirë për ndërlidhësit e pushtetit lokal, të cilët përfitojnë nga lidhjet e tyre me Rusinë, po aq sa Rusia përfiton prej tyre. Në një periudhë afatgjatë, mund të dëshmohet i drejtë pretendimi i zoti Yee, mbi pamundësinë e uljes në dy karrige. Por, në një periudhë afatshkurtër, qasjet e Vuçiç duket se kanë mjaft sukses.
Shënim: Dimitar Bechev është studiues në Qendrën për Studime Sllave, Euroaziatike dhe Lindore në Universitetin e Karolinës së Veriut në SHBA. Libri i tij më i fundit titullohet “Fuqia Rivale:Rusia në Evropën Juglindore” mbi dinamikën politike midis Rusisë dhe vendeve kryesore kyçe në Ballkan, si Greqia dhe Turqia.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce