Mungesa e gjyqtarëve është bërë shkak që të shtyhet gjyqi ndaj Emiljano Shullazit, dhe 4 të pandehurve të tjerë. Procesi në Apel ndaj Emiljano Shullazit, Gilmando Danit, Endrit Qyqes, Endrit Zelës dhe Blerim Shullazit dështoi për të 14 herë radhazi.
Teksa Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte caktuar për plotësimin e treshes gjykuese, gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Arben Vrionin, ai ka njoftuar se nuk mund të paraqitej për arsye shëndetësore.
Pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda janë dorëzuar edhe dy raporte mjekësore, për pamundësi të përkohshme për paraqitje në punë, deri në datën 14 korrik.
Ndodhur në këto kushte, Gjykata shtyu seancën për në 1 korrik, dhe do t’i drejtohet KLGJ me shkresë, për të marrë dijeni për shkaqet e mungesës së gjyqtarit, nëse do sjellin mungesë afatgjatë apo jo. Një tjetër zhvillim ka patur gjatë seancës së sotme, ku i pandehuri Gilmando Dani, kundërshtoi sërish gjyqtaren Albana Boksi, duke i kërkuar largimin.
“Ti ke dhënë një vendim pro Ylvi Beqjes, nuk mund të gjykosh këtë çështje. Nuk jep dot një vendim edhe pro nesh”, tha Dani. Ky i fundit, kërkoi gjithashtu edhe thërritjen e avokatëve të zgjedhur prej vetë atyre.