Bota

Carola Rackete dhe Greta Thunberg: Heroinat e reja të epokës tonë 

               Publikuar në : 19:02 - 08/07/19 S.N

Nga Kia Vahland “Suddeutche Zeitung” 

Në fillim ishte Greta Thunberg, shpëtimtarja e planetit tonë; tani Carola Rackete, shpëtimtarja e jetëve njerëzore në rrezik. Gra të reja, idealiste dhe energjike, kanë hyrë në skenën botërore, të urryer nga disa, dhe të adhuruara nga të tjerët, për të njëjtën arsye:vendosmërinë e dëshmuar prej tyre.

“Spektakli”, që dhuroi anija humanitare “Sea-Watch” ia vlente të ndiqej. Trupvogla Rackete, me një fytyrë që dukej gjithmonë e drobitur nga videot e xhiruara vetë me celular në bordin e anijes, flet për përgjegjësi, dhe deklaron se interesohet vetëm për mirëqenien e refugjatëve në bord.

Gjithçka që dëshiron të bëjë, është t’i zbresë ata të sigurt në bregdetin e ishullit italian të Lampeduzës. Dhe në momentin që bën pikërisht atë, një varkë e rojës kufitare, përpiqet ta pengojë të ankorojë anijen në port. Kur Rackete zbriti nga anija, disa njerëz brohorisnin pro saj, të tjerët e mallkonin.

Kjo ngjarje, çoi në mbledhjen e shumë parave për kauzën e “Sea Watch”, me vetëm nismën e gazetarit gjerman Jan Böhmermann, që i tejkaloi 1 milionë euro. Mbështetësit shohin tani tek Rackete një heroinë të re, e cila vepron aty ku të tjerët vetëm flasin, që respekton vlera evropiane dhe ato të krishtera. Përkundër sjelljes arrogante të ministrit të Brendshme italian, Matteo Salvini, dhe partisë së tij kundër emigrantëve, Lega, që shpreh përbuzje ndaj qenieve të tjera njerëzore.

Ajo që shohin kritikët e saj, është një shkelëse e ligjit, që po ndihmon në kontrabandimin e disa emigrantëve. Dhe jo të gjithë përdorin argumentet e tyre më të mira. Disa prej mbështetësve të Legës që u mblodhën para portit, lëshuan ndaj saj kërcënime me vdekje. Dhe fantazuan për orgji seksuale që mund të kishin ndodhur gjatë kohës që anija ishte në det të hapur.

Rackete frymëzon dhe nxit. Ne kemi gjetur për momentin një figure, ku mund të bazojmë frymëzimin ose urrejtjen tonë. Udhëheqësit karizmatikë të tipit Barack Obama, nuk janë më të besueshëm si shpëtimtarë të botës. Edhe revolucionarët e armatosur si Che Guevara dikur, nuk do të kishin asnjë mundësi sot që të bëhen të famshëm.

Tashmë janë vajzat e reja, ato që po pushtojnë zemrat dhe mendjet e njerëze. Me mirësjellje por me vendosmëri, ato po u kërkojnë sundimtarëve të Evropës t’u përmbahen premtimeve të tyre. Të ndërmarrin masat e premtuara emergjente kundër ndryshimit të klimës, si dhe të respektojnë të drejtat e njeriut.

Dhuna nuk është pjesë e filozofisë së tyre. Rackete kërkoi menjëherë ndjesë, pse nuk dëgjoi urdhrin e rojës kufitare për të mos hyrë në port. Heroinat e të tashmes, nuk duhen ngatërruar me llojin e superheronjve dhe superheroinave, që kanë pushtuar ekranet televizive.

Ato nuk janë as “Wonder Woman” dhe as “Captain Marvel”. Megjithatë, ato arrijnë të zgjojnë interesin e njerëzve, deri në nivelet më të larta të pushtetit. Rackete ka bindur një kardinal katolik t’i bashkohet kauzës së saj. Ndërsa liderët botërorë të biznesit, janë në një garë mes tyre se kush të fitojë më parë vëmendjen e Greta Thunberg.

Këto gra të reja, kanë një cilësi shumë të rrallë dhe të çmuar: besueshmërinë. Dhe kjo mund të vijë për shkak të personalitetit të tyre. Por një besueshmëri e tillë, ka një domethënie të madhe në këtë moment historik. Ato nuk janë pjesë e bordeve mbikëqyrëse, komiteteve ekzekutive, dhe zakonisht nuk qëndrojnë mbyllur në ndonjë zyrë qeveritare.

Kjo është pjesërisht arsyeja, pse ato konsiderohen në vetvete si më pak të korruptuara. Dhe për pasojë më pak të prekshme nga ndikimi i lobistëve. Njëherazi, ato nuk krahasohen më si gratë e gjeneratave të mëparshme. Me idealin e modestisë femërore, apo nga burri që qëndron në krah të tyre.

Kështu, gruaja e re idealiste, bëhet bartëse e shpresës, ndaj ajo idealizohet. Sigurisht, kjo mund  të shndërrohet shumë shpejt në një barrë, sepse kërkon një pastërti dhe një thjelltësi gati mbinjerëzore. Ato duhet të rezistojnë për kauzat me trupat dhe jetët e tyre, duke lehtësuar kësisoj për një fare kohe publikun. I cili është larg të qenurit shumë i qëndrueshëm në sjelljet e veta.

Një fluturim ndër-kontinental, dhe gjurma e tij e karbonit që lë pas në hapësirë, mund të jetë gjithçka që duhet që të zbehet lavdia e Greta Thunberg. Një deklaratë realisht radikale nga Carola Rackete mbi politikën e emigracionit, dhe klasa borgjeze që e ka frymëzuar, mund të kyçë sërish zemrat dhe kasafortat e veta me para.

Nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm që të duartrokitet kapitenia gjermane dhe studentja suedeze, që zënë aktualisht skenën botërore. Heroinat e reja, duhet të konsiderohen si njerëz normalë, dhe jo si shenjtore shpëtimtare. Ajo që mungon ndërkohë, është pak heroizëm tek gjithë ne të tjerët./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT