Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të dalë përpara trupit gjykues më 19 qershor; kjo është data kur do të zhvillohet seanca e parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, janë tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të ish-zyrtarit të lartë, i cili akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Procesi ndaj Tahirit do të zhvillohet me procedurë të përshpejtuar. Ish-ministri kërkoi gjykim të shkurtuar, pa pranuar akuzën, pasi këmbëngul se është i pafajshëm. Bashkë me të, të pandehur janë edhe tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode.
Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon ish-ministrin e Partisë Socialiste për: “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.