Ministri në Detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim me homologen e tij austriake, Karin Kneissl.
Në përfundim të takimit, Cakaj u shpreh se Austria do ta mbështesë Shqipërinë në integrimin e saj Evropian. Gjithashtu Cakaj bëri me dije se fokusi i takimit ishte edhe rritja e bashkëpunimit dypalësh në fushën e ekonomisë, veçanërisht për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Cakaj tha se Austria do t’i ofrojë Shqipërisë mbështetje diplomatike dhe teknike për kryesimin e OSCE që do të marrë Shqipëria në vitin 2020, ndërsa Kneissl inkurajoi Shqipërinë të çojë përpara reformat e ndërmarra, reformën ne drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera, ministrja austriake deklaroi se vendi i saj është një mbështetëse e fortë e Shqipërisë. Ajo vuri theksin në rezultatet e arritura nga qeveria shqiptare veçanërisht në reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut.