Pas vendimit të gjykatës, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri një lidhje direkte me emisionin “Open” në Top Channel, ku dhe ka debatuar me të ftuarit. Ka qenë analisti Andi Bushati që ka replikuar më ashpër me Tahirin, duke bërë që ky i fundit të mbyllte telefonin.
Bushati i tha Tahirit që nuk është në komoditetin që të bënte ironi, pasi nuk është se kishte vetëm lidhje gjaku me Habilajt, por kishte dhe një lidhje miqësie me ta, gjë që sipas tij, konfirmohet nga udhëtimet e përbashkëta dhe drekat, darkat që konsumonin bashkë.
Nga ana tjetër, Tahiri i tha gazetarit se ai po gënjente, e më tej mbylli telefonin. “Nuk mund ta vazhdoj debatin, sepse ju jeni në studio dhe unë jam në telefon”, tha Tahiri.
Bushati iu drejtua Tahirit me fjalët:
“Nuk është në komoditetin tuaj që të bëni ironi, sepse nuk është se keni vetëm lidhje gjaku me Habilajt, por keni dhe një lidhje miqësie mes jush, gjë që konfirmohet nga udhëtimet e përbashkëta dhe drekat e darkat që konsumoni bashkë”.
Tahiri ia ndërpreu fjalën duke i thënë:
“Nuk mund ta vazhdoj debatin, sepse ju jeni në studio dhe unë jam në telefon, jemi në pozita jo të barabarta.”
Më tej ndërhyri dhe gazetarja Eni Vasili e cila e ftoi për një përballje direkte mes tij dhe Bushatit javën e ardhshme në studio, por që ish-ministri nuk dha një përgjigje.
Tahiri u dënua dje, dhe ky dënim duket se do jetë një provë e fortë e qeverisë në Bruksel, për hapjen e negociatave.
Ndërkohë, është dhe një dëshmi se Reforma në Drejtësi ka filluar të japë efekt.