Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati thekson se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë bërë mjaftueshëm për zhvillimin e tyre ekonomik. Sipas tij, dy vendet kanë dështuar në sektorë të ndryshëm, duke mos dhënë impulset e duhura.
Duke folur në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Bushati vuri në dukje se qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar disa mbledhje të përbashkëta, të cilat synonin heqjen e barrierave doganore mes dy vendeve, lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, njohjen e diplomave, unifikimin e disa teksteve shkollore dhe bashkëpunimin për integrimin.
Por, të gjitha këto kanë mbetur në letër dhe nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret në terren.
Intervista:
Që 16 vjet mbas luftës në Kosovë, të flasim për sukses të disa mbledhjeve që keni arritur, dy shtete që janë gati një popull, është pak “hajgare” ta konsiderosh sukses, që qeveritë tona po mblidhen edhe kjo është sukses? A presim shumë më shumë?
E para, që të presësh shumë më shumë është legjitime dhe krejt normale, se kjo është arsyeja që gjallojmë në fund të ditës. Por që të them është “hajgare”, që mblidhet Franca dhe Gjermania tash 60 vjet, dhe bëjnë mbledhje të përbashkëta të qeverive. Makron vizitën e tij të parë, po ashtu si Holande e bëri direkt në Gjermani. Kjo është normale dhe për herë të parë kjo praktikë nisi dhe u institucionalizua më 2014. Aq më tepër që ky është një fakt në favor të argumentit që unë po jap. Fakti që francezët dhe gjermanët janë dy popuj të ndryshëm, ndërsa ne jemi një popull. Pra, ne duhet ta kishim institucionalizuar ndoshta këtë gjë shumë kohë më përpara, por mos të harrojmë edhe për të pasur një mbledhje të përbashkët ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ka pasur presion pozitiv edhe nga ata që janë dorëzanes të pavarësisë së Kosovës. Ne kemi firmosur marrëveshje të partneritetit strategjik me Italinë, me SHBA, me Francën, por mund t’ju them që dokumenti që kemi firmosur me Kosovën është një dokument, i cili ka kaluar në llupë të disa prej partnerëve të cilët kanë qenë vendimtarë për fatin e Kosovës.
A flasim pak çfarë të mira kanë sjellë këto takime mes qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë? Çfarë të mira konkrete në terren i kanë sjellë qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë? Çfarë u bë me vendimet që keni marrë, në këto mbledhje të qeverisë?
Mund t’ju them në planin politik kemi një bashkëpunim dhe një bashkërendim shumë më të mirë seç e kemi pasur me Kosovën, si për sa i përket mbështetjes në procesin e integrimit Euro-Atlantik. Ka tre vjet që ministri i Jashtëm, ministri i Mbrojtjes, në çdo Ministrial apo Samit të NATO-s, përsërisin kërkesën për një afatizim të procesit të anëtarësimit, apo afrimit të Kosovës me NATO-n. Nuk janë çështje të lehta kur në kushtet kur në NATO ka katër vende anëtare që nuk e njohin Kosovën dhe është një organizatë, e cila funksionon mbi bazën e konsensusit dhe jo mbi bazën e shumicës. Së dyti, kemi një Kosovë sot që është pjesë e të gjitha nismave rajonale, pjesë e projekteve të përbashkëta rajonale.
Qeveria jonë po na thotë që ky është rezultat i dialogut, nuk po na thotë që është rezultat i takimeve të qeverisë së Shqipërisë me të Kosovës, po na thotë që është rezultat i dialogut
Këto janë procese që ndihmojnë njëra-tjetrën, sepse unë nuk kam menduar asnjëherë dhe nuk besoj se asnjë në Kosovë mendon që rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, apo drejt nismave rajonale kalon përmes Beogradit. Është e kundërta. Besoj se rruga e Kosovës në procesin e integrimit evropian kalon nga procesi i shtet-konsolidimit në radhë të parë dhe në radhë të dytë, nga konstruktiviteti i Kosovës në planin rajonal. Por këto janë dy procese shumë të rëndësishme që sot kanë vendosur Kosovën në pozitë më të mirë se çka qenë para katër vitesh. A mund të kishim ne një koordinim edhe më të mirë? Natyrisht që po. A ka pas raste kur ne nuk kemi pasur komunikimin e duhur siç ka qenë rasti i anëtarësimit së Kosovës, apo procesit të anëtarësimit në UNESCO? Natyrisht që ne duhet të kishim një koordinim edhe më të mirë, jo thjesht mes nesh dhe Kosovës, por dhe mes Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, por besoj që….
Z. Bushati, a mund të bëheni real?
Një ndër prioritetet e mbledhjeve të dy qeverive ishte fusha e arsimit, unifikimi i teksteve shkollore apo njohja e diplomave të dy vendeve. Por 3 vjet nga takimi i parë, cilat janë rezultatet?
Le të ndalemi pak te tekstet. Akoma nuk kemi një tekst shkollor të konsoliduar midis dy shteteve.
Nuk është e thënë që të kemi një tekst shkollor sepse sot për sot në sistemin që ne kemi…
Çfarë vendimi është marrë?
Vendimi është për të njohur tekstet dhe tekstet janë të njohura. Pra një tekst se si shkollohet një fëmijë në Shqipëri, apo në Kosovë të njihet nga të dyja anët e kufirit. Ky vendim është marrë. Nga ana tjetër, ne nuk mund të shkruajmë për realitetin e teksteve shkollore. Në Shqipëri, sot, një shkollë ka autonomi për të përzgjedhur tekstet me të cilët do të shkollojë brezin e ri dhe kjo nuk është e njëjtë për çdo shkollë. Po flasim për tekste, të cilat janë të njohura nga dy qeveritë nga dy instancat tona.
Çfarë problemesh ka pasur?
Nuk ka qenë e tillë, kemi një marrëveshje që është firmosur nga dy Ministritë e Arsimit, kemi programe të bashkëpunimit në këtë fushë që fillojnë nga….
Kemi diploma të studentëve që studiojnë dhe kërkojnë të punësohen në dy vende të ndryshme, d.m.th shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë dhe ata të Kosovës në Shqipëri. Nuk u njihen diplomat të gjithëve. Meqë po flasim për sukseset duhet të flasim edhe për dështimet.
Nuk e di se cilat janë diplomat që nuk njihen sepse duhet të jemi shumë konkretë. Ka një procedurë se si ta ekuivalentojmë një diplomë, apo njehim një diplomë. Unë për vete kam bërë studime pasuniversitare jashtë Shqipërisë dhe di se cila është procedura. Ajo nuk njihet automatikisht, pavarësisht se është një universitet prestigjioz në Holandë, nuk njihet automatikisht. Siç di, njerëz apo kolegë që kanë studiuar nëpër kolegje të rëndësishme, por për shkak sepse quhet kolegj dhe nuk quhet universitet, mund të kenë një procedurë tjetër për t’u njohur. Ka një procedurë se si njihet një universitet në kushtet kur ne kemi disa universitete private si në Shqipëri si në Kosovë e nuk e di për ato universitete të cilat ju i referoheni, a e kanë kaluar testin e akreditimit etj., etj., etj. Vazhdojmë më tej me pikën e përbashkët doganore dhe këtu kemi një mangësi, pavarësisht përpjekjeve maksimale që janë bërë në këtë drejtim dhe ende nuk kemi arritur të kemi një pikë të përbashkët doganore në Durrës, që do të thotë se kamioni, kontejneri që do të vinte në Durrës dhe e ka destinacionin final në Kosovë, nuk do të kishte nevojë për procedura burokratike të kryente çdo procedurë. Ka një vonesë nga ana e qeverisë së Kosovës. Nuk është kjo për të hedhur topin në derën e Kosovës.
Çfarë vonese?
Me procedurat. Sepse normalisht aty duhet të ketë doganier nga shteti i Kosovës për të kryer procedura dhe për të krijuar mundësinë dhe lehtësinë për të shkuar më shpejt malli në destinacion. Ende nuk është finalizuar kjo gjë. Po të shohësh është pjesë e marrëveshjes që ne kemi bërë me Kosovën. Bilanci tregtar lë sërish për të dëshiruar. Shkëmbimet janë në nivele të ulëta.
Para se të shkojmë tek ai, bilanci tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është çka ka mbetur i turpshëm. Më lejoni t’ju kujtoj se Serbia ka importe në Shqipëri, ka importe në Kosovë shumë më të mëdha përderisa importi mes Shqipërisë e Kosovës ka mbetur i dobët. Nga ana tjetër, çdo vit….
Nuk e di çka do të thotë ka mbet mjaft i dobët sepse unë kam …
A keni zëvendësuar diçka që keni marrë deri dje? Keni marrë prej njeri-tjetrit, Kosova dhe Shqipëria, si një vend i caktuar dhe përnjëherë keni zëvendësuar dhe tani e merrni prej njeri-tjetrit?
Zhvillimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës është vetë cenimi. Nga ana tjetër, është shumë e vërtetë ajo çka thatë, që në ish-Jugosllavinë, pjesë e së cilës ka qenë edhe Kosova, ka pasur një trend të caktuar sipas të cilit Serbia, për fat të keq, ka qenë motor ose qendra kryesore rreth së cilit kanë gravituar ish republikat e tjera. Dhe ky ka qenë një trend i konsoliduar në shumë e shumë dekada. Siç është po kaq e vërtetë, në planin politik e diplomatik, në rast se do të shohim 25 vite më parë dhe do të bëjmë një analizë mes asaj që është sot në rajon dhe mes asaj çka ishte 25 vite më parë rajon dhe do të shihnim se ambasadat kryesore e shtetet kryesore i kishin përfaqësitë e tyre në Beograd. Mirëpo Beogradi ishte i mbipërfaqësuar krahasuar me Sofjen e Bukureshtin, e jo më me Zagrebin, Tiranën, Prishtinën.
Megjithatë, jemi në 2017…
Një sekondë, më lejoni të mbaroj argumentin. Po kështu, për sa i përket nismave rajonale, për herë të parë, në Shqipëri ka dy nisma rajonale: është Bordi për Ballkanin Perëndimor dhe Zyra për Bashkëpunimin Rajonal Rinor. Është hera e parë që për një shtet si Shqipëria, me mbi 100 vite histori, arrin të marrë dy nisma rajonale. Unë nuk dua t’i bëj terapi Kosovës e as t’i them kujt në Kosovë që mos të jetë i paduruar sepse në fund të ditës kërkesa e llogarisë nga ana juaj besoj se është e shëndetshme dhe e çon shoqërinë përpara. Por nga ana tjetër, duhet të jemi realistë që janë procese të cilat kërkojnë kohë. Dhe kemi dy lloj kategorish në gjykim: kategoria e parë janë ato procese që kërkojnë kohë por vizioni është aty, strategjia është shumë e qartë dhe rrugës mund të kërkojmë praktika për t’u realizuar. Sikundër…
Kompetenca, strategji, praktika komode, patriotizëm komod, gjëra komode. A mund të flasim për atë?
Sikundër po të them me sinqeritet të plotë, ka interesa ekonomike që në momente të caktuara e pengojnë potencialin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, siç mund të jetë në këtë rast mes Shqipërisë e Kosovës.
Siç është tranzicioni që po shohim. Shumë njerëz do të thoshin që tranzicioni është njëri prej tyre dhe as në qeverinë Rama ku pritëm, s’ka interesa ekonomike, nuk po bëni dot presion për ta lëshuar. Sa vjet ka nevojë për t’u lëshuar tranzicioni?
Mund t’ju them që qëndrimi në vitet e qeverisë Rama për sa i përket autostradës energjetike midis Shqipërisë dhe Kosovës është i qartë si kristali.
S’ka hiç qëndrim. Ajo qeveri duhet t’i lehtësojë gjërat por edhe duhet t’i thotë.
I vënë në vështirësi, ministri i Jashtëm tentoi të bënte në Kosovë atë që bën shefi i tij në Tiranë, sa herë s’ka bilanc për t’u treguar shqiptarëve për punën e qeverisë. Ashtu si Rama, ai nisi krahasimet me qeverinë Berisha përsa i përket linjës së interkonjeksionit, e nisur nën qeverinë e Berishës dhe e përfunduar nën qeverinë e Ramës. Por gazetarja, ndryshe nga sa i ndodh Ramës apo Bushatit jo në pak studio televizive në Tiranë, i kërkoi të fliste vetëm për punën që kishte bërë qeveria e tij.
Por, dallimi mes qeverisë së Berishës me qeverinë Rama…
Nuk dua të krahasoj me qeverinë Berisha. Unë dua që qeveria Rama të kryejë punë. Si qytetar i Kosovës, të di pse nuk e ka kryer punën e nuk ka lëshuar.
Po pra, edhe unë atë po të them. Si qytetar i Kosovës po të them që qeveria e Ramës e ka kryer punën. Sepse në dallim nga qeveria tjetër e ka kryer investimin, e ka përfunduar procedurën me transparencë të plotë dhe ka kanalizuar vullnetin e taksapaguesit gjerman për këtë linjë. Tanimë jemi në çështjet e një bllokazhi politik të bërë nga Serbia.
Çfarë masash keni për të ndërmarrë? Do të lini Serbinë gjithmonë të bëjë bllokada?
Faleminderit. Të cilin ne jo vetëm e kemi kundërshtuar, por edhe e kemi denoncuar dhe jemi duke punuar dhe vazhdojmë duke punuar në bashkëpunim kryesisht me Kancelaren gjermane për t’i dhënë një zgjidhje këtij ngërçi.
Po s’mjafton. Edhe sa do të prisni?
Kjo nuk është një çështje që zgjidhet me trupa ushtarake. Në qoftë se më pyet sot edhe sa do presë Kosova, nëse më pyet si Ministër i Jashtëm i një vendi në NATO, nëse më pyet sot edhe sa do presë Kosova për t’u anëtarësuar në NATO, unë nuk jam sot në gjendje për t’ju kthyer një përgjigje precize.
Po të pyes për Shqipërinë. Po pyes për shtetin tuaj jo tonin. Investimet që janë bërë në shtetin tuaj. Sa do të prisni ju? Investimi 70 milionësh në autostradën energjetike për të mos u shlyer. Edhe sa do të prisni ju? Dhe sa masa të tjera diplomatike do të përdorni që nuk i keni shfrytëzuar deri më sot, që ende nuk i keni shfrytëzuar?
Nuk ka asnjë masë diplomatike.
Jo?
Nuk ka asnjë masë diplomatike. Nuk ka asnjë moment diplomatik, i cili nuk është shfrytëzuar nga ana e Shqipërisë apo nga ana e Kosovës për ta bërë këtë investim që është realizuar për ta bërë të prekshëm.