E enjte, 2 Dhjetor, 2021
7.5 C
Tirana

Braho: Për spurdhjakun Tufa

Deputeti socialist Spartak Braho akuzoi dje kreun e ISKK Agron Tufa, se po nxin historinë.

“Ata sollën një rezolutë që nxinte luftën antifashiste dhe dëshmorët e saj. Si mund të isha unë dakord me të? Ky është një provokim i hapur” – thotë deputeti në një intervistë botuar sot në DITA

Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, përfshirë luftën, heronjtë. Nuk ka asgjë shkencore në analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, s’ka pse të ngatërrohet me politikën. S’ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligj. Ka shumë helm në veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte, nuk e votoj këtë rezolutë, madje kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes“, tha Braho dje në Parlament.

Tufa replikoi në rrjetet sociale, se nga njerëz si Spartak Braho iu rrezikohet jeta shqiptarëve çdo ditë.

Miq të nderuar,  Dhuratën më të çmuar sot për ditëlindje ma ka bëre direkt nga salla e Kuvendit bash perfaqësuesi i zi i ish Sigurimit të shtetit, deputeti Spartak Braho. Dëgjojeni dhe, ju lutem, shpërndajeni sa më gjerë ta dinë të gjithë, se si na rrezikohet jeta nga këta neandertalë të komunizmit”,-shkruan Tufa.

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) u aprovua nga Parlamenti i Shqipërisë me Vendim nr 10242 ne 25 shkurt 2010 si “institut qendror publik i pavarur” dhe ka statusin e personit ligjor. Eshte i financuar me buxhetin e shtetit.

DITA intervistoi deputetin Braho pas këtyre replikave.

– Zoti Braho ju dje “shpërthyet” në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kundër Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe posaçërisht kundër shkrimtarit Agron Tufa që kryeson këtë Institut. Si ndodhi kaq papritmas, pasi ju jeni përgjithësisht i qetë dhe tolerant?

– Një sqarim i vogël për lexuesit, pasi është përhapur një lajm jo i saktë. Nuk isha në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, por në Komisionin e ligjeve. Aty “shpërtheva” sikurse thoni ju. Po pse çuditeni e më thoni se kam shpërthyer? Ky institut me Agron Tufën dhe një turmë tufalakësh tok me të  është kthyer në një turp kombëtar sepse po nxijnë historinë.

Nuk ishte e rastësishme ngjarja e djeshme. Ishte rrjedhojë dhe pasojë e një sërë sjelljesh të mëparshme të tyre. Unë për atë punë jam në Kuvend, që të mos lejoj akte të turpshme antihistorike dhe antikombëtare. Ju pyesni pse ndodhi dhe si ndodhi kështu? Po jua sqaroj.

Ata sollën një rezolutë që nxinte luftën antifashiste dhe dëshmorët e saj. Si mund të isha unë dakord me të? Ky është një provokim i hapur me ndjenjat e një populli të tërë që mbron dhe nderon vlerat e asaj lufte dhe të dëshmorëve të saj. Mos harroni se jemi në vitin e 75 vjetorit të çlirimit dhe ky është një provokacion i pastër…

– Pse e quani provokacion? Edhe ata, pra pala tjetër, ku ju fusni edhe Agron Tufën, kanë të drejtën e fjalës. Pse duhet t’jua mohoni këtë të drejtë?

– Unë nuk po ua mohoj të drejtën e fjalës. Këtë Agron Tufën nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk e njoh as për fytyrë. Unë po flas për shtetin ligjor. Për mua Tufa është një spurdhjak dhe unë nuk merrem me të. Unë merrem me institucionin që ai përfaqëson. Ky institucion financohet nga shteti. Këtu qëndron problemi.

Unë si deputet, si një familje dëshmorësh, nuk do të lejoj kurrë nxirjen e të vërtetave historike dhe të hidhet baltë mbi atë luftë të lavdishme dhe dëshmorët e saj.  Ai, pra Tufa ka bërë një rezolutë në emër të një institucioni shtetëror dhe kërkon që këtë t’ia miratojë parlamenti.

Është një rezolutë kundër luftës antifashiste dhe unë nuk mund të pranoj që ajo rezolutë të miratohet nga Kuvendi. Më erdhi mirë që në të njëjtën linjë mendimi me mua dje ishin edhe nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi dhe kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja.

– Zoti Braho, kanë kaluar 75 vite nga ajo luftë që ju e mbroni me aq pasion. Mos ka ardhur koha të tregoheni pak më shumë tolerantë me ish-ballistët?

– Shiko, Xhevdet! Nga intervista që kishe bërë para tri ditësh me Rustem Peçin më pëlqeu shumë shprehja, apo apeli që ai i drejtonte Kryeministrit Rama kur i thoshte të mos ua fërkonte kokën ballistëve se atyre u ngrihen veshët shpejt. Paraardhësit e mi i kanë larë hesapet me ballistët këtu e 75 vjet më parë. Por edhe unë i kam larë hesapet me pinjollët e ballistëve njëherë e mirë. Jam familje dëshmori unë dhe nuk do të lejojë që një Tufë apo disa tufa të hedhin baltë mbi një histori që është larë me gjak,mbi një luftë që ka shpëtuar Shqipërinë.

Prandaj dhe kam dalë kundër aktit të kryeministrit Edi Rama për të nderuar kryekolaboracionistin Mit’hat Frashëri disa muaj më parë. Gjej rastin të shpreh sërish pakënaqësinë me sjelljen e Kryeministrit në qëndrimin që po mban në këtë vit jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Nuk shikoj asnjë shenjë reflektimi nga qeveria, nuk shikoj asnjë program.

Mirëpo jemi jo vetëm në këtë vit jubilar, por edhe para një palë zgjedhjesh të rëndësishme. Partisë Socialiste mund t’i kushtojë kjo neglizhencë… Prandaj dhe them se kush e ushqen dhe nga buron gjithë ai mllef kundër Luftës Antifashiste dhe dëshmorëve. Pse qeveria u kreh bishtin këtyre kokoroçëve të tipit Tufa?

– Institucioni që përfaqëson Agron Tufa është mbrojtësi më i flaktë i “Aushvicit shqiptar”, pra për kampin e Tepelenës. Të jetë e rastësishme kjo?

– Nuk është aspak e rastësishme. Është një strategji e tërë për të mohuar luftën tonë antifashiste. Historianët tanë më të mirë të kohës së luftës dhe të pasluftës, si Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, si dhe Komteti Kombëtar i veteranëve të Luftës Antifashiste, e konsiderojnë kthimin e kampit të Tepelenës në “Aushvicin shqiptar” si një nga absurditetet më të mëdha. Asdhtu sikurse nuk janë pajtuar as me muzetë me bunkerë. Devocioni i Tufës dhe i Institutit që ai përfaqëson është i neveritshëm. Unë kam dalë hapur kundër projekteve të kësaj natyre…

– Në reagimin e tij të djeshëm linte të nënkuptohej se ndihej i rrezikuar nga ju “neandertalët e komunizmit”. Vërtetë ia rrezikoni atij jetën?

– E lexova dhe qesha në fillim. Pastaj thashë me vete, po ua them edhe juve se prapa do tëmë ketë sa herë do të hapë gojën kundër luftës dhe dëshmorëve.

– Tingëllon paksa keq kjo zoti Braho, pasi këtë paralajmërim apo lajmërim ju ia bëtë atij në një ditë që kishte edhe ditëlindjen. Nuk mund të ishit pak më i butë në paralajmërimin tuaj?

– Unë të thashë pak më lart që nuk e njoh as për fytyrë këtë person, pa le më të dija ditëlindjen e tij. Megjithatë, po i them: Ta gëzosh ditëlindjen buçko! Pa çka se ke lindur në një ditë të shënuar që e shpreh më së miri karakterin tënd. Një prillin e kujtojnë të gjithë si ditën e gënjeshtrave dhe ti vazhdo të gënjesh… Ty, Tufa, do të bëjmë një nder të veçantë: Do të kujtojmë si një kryegënjeshtar!

– Zoti Tufa, në reagimin e tij të djeshëm, ju akuzonte juve Spartak si “një përfaqësues i zi i ish-Sigurimit të Shtetit”. Si do t’i përgjigjeshit kësaj akuze?

– Me shaka brenda një të vërtete. Po i them Tufës, që nuk ia njoh as fytyrën se ai shtet në atë kohë kishte disa rregulla: Nuk fuste në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit pjesëtarë nga familjet e lidhura me luftën apo komunistët. Unë rrjedh nga familjet e fitimtarëve të Luftës. Nuk e pata atë fat, edhe po të doja. Ish-sigurimi i Shtetit i zgjidhte bashkëpunëtorët nga kategoria e Agron Tufës. Ata i kanë shërbyer devotshmërisht Sigurimit të Shtetit me denoncimet që kanë bërë. Mirë kanë bërë, se edhe janë paguar për devotshmërinë e tyre. Kjo akuzë që më bëri dje Tufa, më bëri apo më nxiti kureshtjen se mos ka edhe ky ndonjë dosje bashkëpunimi. Do të kthej përgjigje sapo të hulumtoj në disa sirtare që nuk i hap dot Tufa… Ia premtoj këtë dhe do të tregoj se nga i buron gjithë ai vrer këtij njeriu…

– Zoti Braho, kjo histori mund të vazhdojë edhe më tej. Jemi në një vit jubilar të Luftës antifashiste dhe mendoj se do të ketë sërish debate. Mendoni se është e dobishme që edhe pas 75 vitesh të vazhdojmë të jemi të përçarë?

– Përçarjen e mbjellin ata që u mundën nga ajo luftë dhe që sot duhet të na hiqen si fitimtarë. Janë pinjollët e tyre, si Tufa me shokë që e bëjnë atë që nuk arritën të bëjnë etërit e tyre. Aq më keq për ta. Jo thjesht se armata e antifashistëve është shumë më e madhe dhe më e fuqishme se humbësit e luftës, por për faktin se ata edhe pas kaq shumë vitesh vazhdojnë në të njëjtin avaz. Pra në rrugën e tradhtisë. Të vjen keq që humbësit e asaj kohe janë në të njëjtën llogore me humbësit e sotëm, pra në opozitë. Si nuk i thirrën njëherë mendjes këta njerëz? Kjo më çudit vërtet.

– Spartak, nga kjo intervistë mendoj se do të bësh shumë të pakënaqur nga ata që ju i konsideroni si kundërshtarë politikë. Po sikur Tufa apo ndonjë tjetër t’u përgjigjet?

– Gati jam unë. Madje i kam qejf polemikat publike. Le të sjellim argumentet dhe mendoj se e vërteta për luftën antifashiste do të shkëlqejë edhe më shumë. Uroj dhe dëshiroj që përfundimisht kundërshtarët e mi t’i thërresin mendjes dhe të ulin përfundimisht kokën.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

1000 kurthe dhe teli me gjemba

Nga: Frrok Çupi Foltoret e këtij po duken e po zhduken ‘gëmushave’ në një marshim si iriqi. Sot ndodhet në Tropojë. 24 vjet më parë...

12 milionë gjermanë të pa vaksinuar/Spahn: Sistemi shëndetësor do mbingarkohet

Numri i njerëzve të pa vaksinuar në Gjermani është ende aq i madh, sa rrezikon të mbizotërojë sistemin shëndetësor të vendit. Ky paralajmërim ka...

Një marrëveshje globale për parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë

Një marrëveshje globale për parandalimin dhe reagimin ndaj pandemisë, është një hap më afër. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka rënë dakord të fillojë...

Irlanda raporton rastin e parë të Omicron

Irlanda ka raportuar rastin e saj të parë të variantit të koronavirusit Omicron, thuhej në një deklaratë nga Ekipi Kombëtar i Emergjencave të Shëndetit...

Atdheu thumbon Donaldin dhe Borën

Donaldi shprehu hapur ndjenjat për Beatrix Ramosajn, duke lënë pas në këtë formë historinë me Borën. Ish-konkurrenti i “Përputhen”, Atdhe Xharavina, e ka ironizuar këtë...