Editorial - Opinione

Bota që na “vodhën” sulmet e 11 shtatorit

               Publikuar në : 13:45 - 12/09/19 Enno

Nga Omer Aziz “The New York Times”

Ndërsa vera po mbaron, Nju Jorku ka diçka vërtet magjike. Ndryshimi i stinëve, sjell një frymë ripërtëritje. Njerëzit nxitojnë për në shkollë apo në punë, të shtyrë nga ëndrrat dhe ambiciet e tyre. Gjethet ndryshojnë ngjyrë, nga jeshile në të verdha. Por kjo bukuri është kalimtare.

Në mbrëmje, kur dal për shëtitje, shikoj dy dritat e mëdha blu që ndriçojnë fort qiellin në jug të ish-Qendrës Botërore të Tregtisë, dhe përpiqem të fiksoj atje vështrimin. Kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit, unë isha një djalë 11-vjeçar mysliman, që befas nisi të hutohet mbi botën përreth, dhe të ishte i pasigurt për vendin e tij në të.

E dëgjova lajmin mbi sulmet, kur ndodhesha duke luajtur në një fushë basketbolli në shkollën time. Një shok klase i bardhë, erdhi me vrap tek unë. Ai tha që terroristët kishin rrëmbyer disa avionë, dhe i përdorën ato për të rrëzuar Kullat Binjake. Ai tha se Amerika ishte nën sulm, dhe se kufiri ishte mbyllur. Ai më tha se shumë avionë, kishin mbetur ende në ajër.

Pavarësisht padijes sime të përgjithshme – nuk e dija çfarë do të thoshin fjalët “rrëmbim” ose “terrorist” – sërish e kuptova se ky sulm i madh, kishte një farë lidhje me njerëzit e mi. Kur u ktheva nga shkolla, pyeta prindërit:Pse kishte ndodhur kjo ngjarje? Pse njerëzit na shihnin ndryshe?

Dhe a do të thoshte kjo, që edhe ne ishim njerëz të këqij, për shkak se i luteshim të njëjtit Zot si edhe terroristët? Ishin pyetje, të cilave asnjë prind nuk mund t’i përgjigjet në mënyrën e duhur. Atë ditë, u vranë gati 3 mijë njerëz. Për ata që e përjetuan si fëmijë, ajo masakër ishte e pashpjegueshme.

Imazhet e sulmit u shfaqën vazhdimisht në ekranin e televizorit tonë, me çdo përsëritje që ishte edhe më tronditëse. Gjuha më kishte ndarë gjithnjë nga prindërit. Por në këtë rast, tmerri i tyre i pa shprehur me fjalë, ishte i mjaftueshëm për të më treguar gjithçka që duhej të dija.

Nga ai moment, jeta ime u diktua nga ky krim i madh. Unë u përpoqa të distancohem nga njerëzit që mbollën shkatërrime në qytetet e Amerikës, dhe dola kundër perceptimeve negative që amerikanët kishin për njerëzit me lëkurë ngjyrë kafe.

11 Shtatori shënoi humbjen e pafajësisë, vetëdijen e papritur që unë isha ndryshe, se do të shihesha gjithnjë si i ndryshëm ngatë tjerët, dhe se rreziqet e këtij ndryshimi mund të ishin jeta dhe vdekja. Në shkollë, na u tha të shkruanim reflektimet tona mbi atë që ndienim.

E çfarë mund të thoshte një nxënës i klasës së gjashtë për 11 Shtatorit? Unë shkrova se isha i zemëruar për atë që ndodhi, diçka kryesisht të përgjithshme. Më thirrën në zyrën e drejtorit të shkollës, për të folur mbi reflektimin tim. Mendova se mësuesit e kishin zbuluar që vëllai im dhe unë shkonim çdo ditë në xhami.

Por me sa duket emocionet që kisha shprehur në esenë time, i kishin shqetësuar mësuesit e mi. Kjo ndjenjë e të qënit lakuriq para pushtetit – tmerri i të zbuluarit, edhe pse s’kisha bërë asgjë të keqe – do të qëndronte për shumë kohë me mua. Në kolegj, mësova shpejt se ngjyra e lëkurës time dhe emri im mysliman, kërkonte që unë të veproja me kujdes.

Sa herë që diskutoheshin çështjet e fesë, terrorizmit, luftës në Afganistan, dhe Izraelit, pyetjet e bashkëmoshatarëve të mi, ndjeheshin si një marrje në pyetje. Më është dashur të mësoj si t’i menaxhoj situata të tilla, dhe si të mbijetoj në një botë të egërsuar që pas 11 Shtatorit.

Sa herë që jam në një aeroport – dhe kjo më ndodh ende sot – mallkoj në heshtje xhihadistët që i rrëzuan ato kulla, për jetët e pafajshme që vranë, dhe për situatën që krijuan. Unë jam pjesë e fundit të brezit tim, që do të ketë njëfarë kujtese të gjallë të sulmeve të 11 shtatorit. Njerëzit që i kanë përjetuar sulmet kur ishin ende fëmijë të vegjël, sot janë janë në mesin e 20-ave dhe në fillim të 30-ave.

Për ata që janë më të vegjël se kaq, ajo që po përshkruaj është një fakt historik abstrakt, si Pearl Harbour apo Lufta e Vietnamit. Përreth lagjes sime në Nju Jork, shoh shumë fëmijë që kanë nisur vitin e ri shkollor. I shoh duke shkuar në shkollë çdo mëngjes, kapur për dore nga prindërit e tyre, dhe duke biseduar me ta.

Ata nuk do ta dinë asnjëherë atë që unë di:që bota në të cilën ata po rriten, është e shenjuar në mënyrë të pashlyeshme nga kjo tragjedi e veçantë. Ndonjëherë pyes veten: E çfarë do t’u thosha nëse do të kisha mundësi? Ata do të njohin vetëm botën paranojake dhe plot terror, që na dhanë sulmet e 11 Shtatorit.

Sot vetëm të udhëtosh me avion, është një përvojë stresuese. Kufijtë tejet të militarizuar, ndalimet selektive dhe marrjet e tepruara në pyetje, që të gjitha janë bërë të zakonshme. Për shkak se këta fëmijë do të mbajnë pasaporta amerkane, nuk do të mund ta kuptojnë asnjëherë plotësisht se në çfarë mase 11 Shtatori, ndryshoi përgjithmonë jetën e shumë njerëzve në mbarë botën, që lindën në vendet e gabuara, dhe që do të mbeten prapa liste për gjithë jetën e tyre.

Mund t’u them disa gjëra, të cilat nuk ishin në gjendje të mi thoshin prindërit e mi. Në fillim, pati ndalime të paligjshme, dhe dëbime njerëzish pa dokumente. Më pas, një president republikan mashtroi vendin dhe botën, për të nisur luftën ndaj Irakut, çka do të çonte drejtpërdrejti në kaosin dhe urrejtjen racore që shohim sot.

Sloganet e “aksit të së keqes”, i paraprinë luftërave që vranë qindra mijëra arabë, dhe njerëz me lëkurë ngjyrë kafe. Qeveria torturoi njerëz, dhe i mbajti ata në burgje të fshehta. Dhe më pas, tragjedia e dyfishtë:ushtarët e rinj amerikanë – gjenerata e heronjve të 11 shtatorit – u dërguan të vdisnin në lule të moshës, pasi sulmet terrroste ndaj SHBA-së, u shfrytëzuan nga njerëzit në Uashington për qëllime politike.

Njerëzit duhej të zgjidhnin vetëm një anë:Jeni me ne, apo me terroristët? Manipulimi i njerëzve – i ndihmuar herë pas here nga një media e besueshme – egërsoi gjithë vendin, duke e shndërruar një komb dikur krenar dhe optimist, në një vend cinik dhe të polarizuar.

Na u tha që Amerika s’do të bënte asnjë dallim midis terroristëve, dhe kombeve që i strehojnë ata. Por 15 nga 19 rrëmbyesit ishin nga Arabia Saudite, dhe ka prova të besueshme që të paktën pjesë të qeverisë Saudite – partnerë në biznes të dy familjeve Bush dhe Trump – ishin në dijeni për sulmet që ndodhën.

Ndërkohë, u nënshkruan edhe më shumë marrëveshje biznesi. Pati një kosto të fshehtë për të gjithë këtë energji të madhe, të shpenzuar në luftë dhe bomba. Jo vetëm refugjatët, kafazet ku mbyllen fëmijët, apo garancia e daljes së terroristëve të së nesërmes. Jo vetëm racizmi dhe ksenofobia ndaj fëmijëve me lëkurë ngjyrë, që u rritën nën hijen e kësaj tragjedie të madhe.

I gjithë përqendrimi i politikës tek lufta, do të thoshte se kishte shumë pak kohë të harxhuar mbi sfidat kataklizmike të shekullit XXI:ndryshimet klimatike dhe pabarazinë e pasurisë.

Kjo nuk do të thotë të përjashtojmë si kërcënim terroristët, apo ideologjinë e tyre. Për ta, unë rezervoj një zemërim të veçantë, ashtu si veprimet e tyre më shkaktojnë një turpërim të veçantë.

Kur mendoj që islamikët radikalë monopolizojnë dhe militarizojnë një fe të madhe, tërbohem nga inati. Terbohem nga guximi i tyre për të zënë në gojë emrin e Allahut, ndërsa vrasin njerëz të pafajshëm; nga mashtrimi i kaq shumë mendjeve nga udhëheqësit e tyre fetarë; nga realiteti i të jetuarit në një trup me lëkurën ngjyrë kafe që stereotipizohet, keqinterpretohet dhe shpërfytyrohet përtej njohjes sime, dhe që nuk mund të bëj asgjë për ta shmangur këtë.

Kjo është bota që na dha 11 shtatori. Vitet do të kalojnë. Kujtimet e reja, do të zëvendësojnë të vjetrat. Plagët mund të mbyllen, por shenjat e tyre do të thellohen me kalimin e kohës. Drita blu në Ground Zero, vazhdon të shkëlqejë në errësirë. Dhe 18 vjet më vonë pas sulmeve, unë jam ende në zi dhe mbase do të jem përgjithmonë, për botën që u shkatërrua atë ditë shtatori./ TIRANA TODAY

 

 

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT