22-vjeçari Sebastian Mali u vu në pranga gjatë ditës së sotme, pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Hekuran Billës. I riu i arrestuar është nipi i Prelë Markut, që Billa e vrau në Angli në vitin 2006. Mali u arrestua ndërsa daja i tij (vëllai i Prelë Markut) Viktor Marku është shpallur në kërkim, i dyshuar si autor.
Por për çfarë akuzohet Sebastian Mali? Sipas asaj që ka hetuar policia, 22-vjeçari akuzohet se ka sinjalizuar atentatorët. Report Tv ka siguruar një video të dinamikës së ngjarjes, ku Sebastian Mali ka vëzhguar lëvizjet e shënjestrës.
Sebastian Mali pasi ka sinjalizuar atentatorët, është larguar me shpejtësi në drejtim të Pezës, për të plotësuar pjesën e dytë të planit. 22-vjeçari mendohet se është personi që ka marrë atentatorët nga Peza, ku dogjën makinën që përdorën për të kryer krimin, tip Benz me portobagazh.
Qelizat telefonike, kamerat e sigurisë, por edhe dëshmitë kontradiktore kanë bërë që policia ta arrestonte të riun, që akuzohet pjesë e grupit të vrasjes për t’u hakmarrë për vrasjen e dajës.