Bajram Begaj do të ushtrojë për 5 vitet e ardhshme detyrën e lartë të shtetit shqiptar, atë Presidentit të 8-të të Republikës në 30 vite demokraci. Në fjalimin e parë në Parlament si Kryetar i Shtetit, pasuesi i Ilir Metës, ish-ushtaraku i lartë me profesionin e mjekut dha mesazhet e para në adresë të politikës.
“Këtë mision do ta kryej mbi palët. Nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike mbi atë të kombit. Do të mbështes dhe këmbëngul për bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike. Mbështes dhe e respektoj punën e qeverisë, por nuk justifikohet asnjë dështim”.
Një mesazh u adresua për opozitën, e cila nuk ishte plotë në sallë pasi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputetët që e mbështesin nuk ishin prezentë.
“Mbështes dhe e respektoj opozitën, por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit. Të mos lutet dështimi përpara gjetjes së zgjidhjeve. Nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike mbi atë të kombit. Do të mbështes dhe këmbëngul për bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike. Të largohemi nga politika e konfrontimit dhe ta zëvendësojmë atë me politikën e dialogut”.
Ambasadorja e Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim ka uruar Bajram Begajn për postin e Presidentit. Përmes një urimi të bërë në Twitter, Kim shkruan se mezi pret që të bashkëpunojë me Presidentin në mënyrë që të forcohet demokracia e Shqipërisë dhe mbrojtja e paqes e sigurisë si aleate e NATO-s.
“Urime Bajram Begajt për inaugurimin e tij si President i ri i Shqipërisë. Ne mezi presim të punojmë me Presidentin Begaj për thellimin e partneritetit të qëndrueshëm SHBA-Shqipëri, forcimin e demokracisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë si aleatë të NATO-s”, shkruan ajo.
Congratulations to Bajram Begaj on his inauguration as the new President of Albania. We look forward to working with President Begaj on deepening the enduring U.S.- Albanian partnership, strengthening Albania’s democracy and defending peace & security as NATO Allies. #krahperkrah pic.twitter.com/TC1zQc7Id1
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) July 24, 2022
Edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka përcjellë urimet Bajram Begajn. Në një postim në Twitter, Michel shkruan se me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, jemi në një moment emocionues në marrëdhënien BE-Shqipëri.
“Urime për Bajram Begaj për marrjen e detyrës si President i Shqipërisë. Me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, jemi në një moment emocionues në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Mezi presim të ndërtojmë së bashku, të ardhmen tonë të përbashkët”, shprehet Presidenti i Këshillit Europian.
Congratulations to @BajramBegajAL on taking office as President of Albania 🇦🇱
With the opening of accession talks, we are at an exciting time in EU – Albania relations.
Looking forward to building our common future together.
— Charles Michel (@CharlesMichel) July 24, 2022
Kush është Bajram Begaj
Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Begaj ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosura, duke u bërë mjeku i parë në ushti i cili arrin që të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë. Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura. Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit.
Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.
Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.
Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.