Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shigjetur kryeministrin Rama, si kërcënimin më madhor të sigurisë kombëtare të vendit. Në një konferencë për shtyp në selinë blu, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ramën se me projektin e “Ballkanit të Hapur” po kërcënon sigurinë kombëtare të vendit. Ai u ndal tek “Ballkani i Hapur”, duke e quajtur nismë serbo-ruse që mbështetet nga kryeministri Edi Rama. Berisha e cilësoi Ramën si “agjent të Kremlinit në Tiranë”.
“Ajo për të cilën unë jam këtu është se ka një projekt tjetër madhor, për Ballkanin, projekt serbo-rus e ky është “Ballkani i Hapur”. Shqiptarët e dinë se ky projekt u mbështet para dy muajve haptas publikisht me gjithë potencialin e tij nga ministri i Jashtëm rus Lavrov.
E ky projekt mbështetet fuqimisht nga vasali i Vuçiç në Tiranë, Edi Rama. A nuk është ky një akt madhor kërcënimi të sigurisë kombëtare nga Edi Rama?
Pra ata që kërkojnë agjenturën në bunkere dhe tunele, e atje duhet kërkuar por problemi madhor për Shqipërinë e sigurinë kombëtare është ajo sot është në krye të qeverisë së vendit.
Rama po vepron si agjent influent i Kremlinit në Tiranë me projektin “Ballkani i Hapur”, tha Berisha në një deklaratë për mediat.