Kristen Choi, një infermiere në SHBA e cila mori pjesë në provën e vaksinës anti-Covid të Pfizer dhe BioNTech, tregoi disa nga efektet anësore që përjetoi. Ajo u shpreh se efektet anësore të vaksinës e bënë atë që të mendonte se mund të ishte infektuar me të vërtetë me Covid-19.
Choi tha se pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës, efektet anësore ishin të papërballueshme dhe të shumta, shkruan ”Daily Mail”.
Disa nga efektet që ajo ndieu ishin, dhimbje koke, të përziera, ethe dhe temperaturë deri në 40.5 gradë celsius.
“Krahu im shpejt u bë i dhimbshëm në vendin e injeksionit, shumë më tepër sesa herën e parë. Në fund të ditës, u ndjeva mendjelehtë, e ftohtë, kisha të përziera dhe kisha një dhimbje koke të madhe. Shkova në shtrat herët dhe menjëherë më zuri gjumi. Rreth mesnatës, u zgjova duke u ndjerë më keq, kisha ethe dhe të ftohtë, isha e trullosur dhe e kisha të vështirë për ta ngritur krahun për shkak të dhimbjes së muskujve në vendin e injeksionit,” tha Choi.