AKADEMIK ANASTAS ANGJELI
Çdo Samit i Bashkimit Evropian është një eveniment i rëndësishëm, herë në planin simbolik e herë në atë praktik, e herë në të dyja. Kjo, sepse në politikë simbolika është një komponent thelbësor dhe se gjithë veprimtaria politike nuk mund të kuptohet, të marrë vlerë në mungesë të simbolikës. Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i zhvilluar në Tiranë në 6 Dhjetor është nga ato samite që janë të rëndësishme në të dyja këto plane.
Ky Samit u zhvillua për herë të parë në territorin e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo gjë tregon (të paktën simbolikisht) interesin e madh të Bashkimit Evropian për rajonin. Gjithashtu, përzgjedhja e Shqipërisë për të zhvilluar Samitin është një tregues i mbështetjes së Brukselit për Tiranën dhe në të njëjtën kohë një vlerësim për politikën e ndjekur nga qeveria shqiptare.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të secilit prej vendeve të rajonit (pavarësisht se prioritizimi i kësaj politike ndryshon për çdo vend). E, megjithatë, nuk mund të mos përmendim faktin që një përzgjatje gati 30- vjeçare e periudhës për integrimin e plotë të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian mban brenda vetes rrezikun e “lodhjes” dhe të zhgënjimit të qytetarëve të rajonit. E kombinuar kjo me periudhën jo të favorshme që Bashkimi Evropian po kalon si pasojë kryesisht e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës e bën më të nevojshme se kurrë marrjen e hapave konkrete dhe mbështetjen politike të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Dhe pikërisht kjo mbështetje politike për gjithë vendet e rajonit ishte edhe arsyeja kryesore se pse u zgjodh që Samiti të zhvillohej në rajonin tonë dhe aq më shumë në Shqipëri. Dhe në këtë pikë simbolika hyn përsëri në lojë për të shpjeguar pse specifikisht u zgjodh kryeqyteti ynë për zhvillimin e këtij Samiti. Megjithëse Mali i Zi dhe Serbia i kanë hapur negociatat më herët se Shqipëria, vendi ynë ka treguar një vendosmëri më të madhe për integrimin evropian duke linjëzuar tërësisht politikën e tij të jashtme me linjat dhe qëndrimet kryesore të Unionit, por gjithashtu edhe duke treguar një përkushtim më thelbësor në lidhje me përmbushjen e detyrimeve që vijnë si pasojë e procesit të integrimi. Fakti që politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë përherë larg ndikimit të të tretëve (duke përfshirë këtu Rusinë) e bën Shqipërinë një partner më të besueshëm dhe gjithashtu një faktor qëndrueshmërie në rajon.
Pra, ky Samit shërbeu si një mundësi për të riafirmuar rëndësinë kryesore të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe për të demonstruar se rajoni ka një perspektivë të qartë evropiane. Gjithashtu, nëpërmjet këtij Samiti u dha një mesazh i qartë se e ardhmja e rajonit nuk mund të shihet e shkëputur nga Bashkimi Evropian dhe se gjithë rajoni mbetet në thelb një rajon evropian me një ndikim të qartë euro-atlantik, i cili duhet të qëndrojë larg ndikimeve të shteteve të treta (dhe më specifikisht Rusisë). Samiti u shfrytëzua si një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat bëhen edhe më urgjente për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Këto përfshijnë luftimin e manipulimit të informacionit nga jashtë dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.
Temat kryesore që u diskutuan gjatë Samitit ishin së pari, adresimi i përbashkët i pasojave të agresionit rus në Ukrainë, si dhe intensifikimi i kontakteve në nivel politik dhe angazhimi në politikëbërje, forcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të jashtme.
Gjithashtu u trajtuan sfidat e emigracionit, luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, dhe mënyrat për të adresuar efektet negative të luftës në sigurinë e energjisë dhe ushqimit në Ballkanin Perëndimor. Menaxhimi i përbashkët i migracionit ishte një tjetër temë, për të cilën liderët shkëmbyen mendime, pasi flukset në rrugën e migracionit të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm vitin e fundit. Gjithashtu u shkëmbyen mendime në lidhje me intensifikimin e kontakteve në nivel politik dhe në nivelin e forcimit të përkushtimit ndaj politikëbërjes, me fokus të veçantë te të rinjtë, rrugën drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së, modernizimin e sistemeve të pagesave sipas standardeve të BE-së, sektorin dixhital, zbatimin e korsive të gjelbra BE- Ballkan Perëndimor, masa për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe qarkullimin e vazhdueshëm të mallrave etj. marrëveshjet për shërbimin telefonik roming, dhe mbi të gjitha ‘paketa e mbështetjes financiare që BE do t’i japë Ballkanit Perëndimor, për përballimin e krizës dhe pasojave të luftës së Rusisë në Ukrainë, krizës energjetike dhe situatës së rritjes së çmimeve, etj.
Kjo u shpalos gjatë konferencës të përbashkët për shtyp të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen me Kryeministrin Rama dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. Von Der Leyen deklaroi se paketa e ndihmës për rajonin do të jetë 1 miliard euro, ku 500 milionë do të shkojnë si ndihmë buxhetore për të ndihmuar familjet dhe bizneset për rritjen e çmimit të energjisë, ndërkohë që 500 milionë të tjera do të shkojnë për përmirësuar infrastrukturën dhe energjinë e gjelbër. “Mbështetja jonë për rajonin,- theksoi ajo,- vjen nga zemra dhe besojmë se duhet të punojmë së bashku. Ne duam ta jetojmë jetën së bashku. Një mesazh shumë i qartë i këtij samiti është e të qenit së bashku. Një samit partneriteti me biseda të thella dhe të qarta. Një temë madhore që diskutuam është përballemi me sfidat e luftës dhe pasojat e saj në sektorin e energjisë. Kjo dëshmoi qartë faktin se ky Samit konfirmoi jo vetëm vullnetin e BE– së për integrimin politik, por edhe për integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithë çështjet e diskutuara dhe marrëveshjet e arritura u konfirmuan në deklaratën përfundimtare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Në këtë deklaratë, liderët e BE-së konfirmuan në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme perspektivën europiane të rajonit. “BE-ja rikonfirmon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, bazuar në reforma të besueshme. Mirëpret përparimin bërë nga Partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo, në tetor 2021. Në veçanti, BE-ja mirëpret mbajtjen e Konferencave të para Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Në deklaratën përfundimtare përmenden specifikisht vlerat bazë, mbi të cilat ndërtohet gjithë struktura politike, organizative dhe ligjore e Unionit siç janë respektimi i të drejtave të njeriut, shteti i së drejtës, ndarja e pushteteve, por edhe mbi zgjidhjen e problematikave specifike, me të cilat përballen të gjitha vendet e rajonit, problematika, që bien në kundërshtim pikërisht me vlerat bazike evropiane. Mbetet detyrë themelore e të gjitha vendeve të rajonit zgjidhja e këtyre problematikave dhe kuptimi se vetëm zgjidhja e tyre lidhet me besueshmërinë që një vend, i cili pretendon të bëhet anëtar i BE-së, duhet të ketë. Më specifikisht në deklaratë theksohet se:
“BE-ja mirëpret vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vlerat dhe parimet thelbësore evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. BE-ja mirëpret gjithashtu angazhimin e ritheksuar të Partnerëve të Ballkanit Perëndimor ndaj përparësisë së demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë ndarjen e pushteteve. BE nënvizon nevojën për përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbështetje të forcuar për qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme dhe nga ndërtimi i një historie solide të mbështetur nga të qarta dhe komunikim i qëndrueshëm publik në interes të popullit të tyre. Një shoqëri civile e fuqizuar dhe media e pavarur dhe pluraliste, me respekt të plotë për lirinë e shprehjes, janë komponentë thelbësorë të çdo sistemi demokratik dhe ne mirëpresim dhe mbështesim rolin që luajnë këto në Ballkanin Perëndimor”.
Theks i veçantë në deklaratë u vendos te bashkëpunimi rajonal dhe zgjidhja e problematikave që vendet e rajonit kanë ndërmjet tyre apo me vendet fqinje të tyre që janë anëtare të BE-së. “BE-ja vazhdon të mbështesë plotësisht angazhimin e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përfshirë edhe shtetet anëtare të BE-së. Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, vazhdon të jetë e rëndësishme. Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe gjetjen dhe zbatimin përfundimtar, gjithëpërfshirës dhe zgjidhjet detyruese për mosmarrëveshjet dheçështjet rajonale dhe dypalëshe të Partnerëve të rrënjosura nga trashëgimia e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, duke përfshirë rastet e personave të zhdukur dhe krimeve të luftës. BE-ja u bën thirrje gjithashtu partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave etnike”. Në deklaratë mbështetet vazhdimi i dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si e vetmja rrugë për të dyja shtetet.
Në lidhje me investimet e BE-së në rajon për sa i përket energjisë në deklaratë përmenden përfitimet që rajoni do të ketë: “Paketa e re e BE-së për Mbështetjen e Energjisë, me vlerë 1 miliard euro grante, mund të sjellë deri në 2.5 miliardë euro investime, do të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të zbusë ndikimin e krizës energjetike dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik në rajon. Paketa financohet nëpërmjet Instrumentit për Asistencën e Paraaderimit (IPA III) dhe përfshin masa të menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme për të ofruar ndihmë për qytetarët dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor”. Gjithashtu, në lidhje me uljen e ndikimit energjetik të Rusisë në rajon, në deklaratë specifikohet se: “Kujtojmë vendimin tonë për të hapur blerjet e përbashkëta të gazit, LNG dhe hidrogjenit për Ballkanin Perëndimor. Bëjmë thirrje për operacionalizimin e shpejtë të kësaj platforme dhe inkurajojmë partnerët që të shfrytëzojnë këtë mundësi. Plani i BE-së REPower do të ndihmojë në reduktimin e varësisë së BE-së dhe Ballkanit Perëndimor nga gazi rus.” Siç duket qartë nga deklarata përfundimtare, por edhe nga gjithë klima pozitive, në të cilën u zhvilluan punimet e këtij Samiti, mbështetja politike dhe ekonomike e BE-së për rajonin mbetet e fortë dhe e pakufizuar. Sigurisht që kjo mbështetje politike duhet të shoqërohet edhe me hapa konkretë nga ana e BE-së, por njëkohësisht edhe nga të gjitha vendet e rajonit. Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk përshkohet vetëm nga vendet kandidate, ashtu si edhe vendimmarrja për anëtarësim nuk varet vetëm nga vendet anëtare. Është një rrugë që duhet të bëhet dhe mund të bëhet vetëm së bashku.