Nga Matthew Lynn “The Spectator”
Vetot nuk duhet të lejohen më. Vendet më të vogla të unionit, nuk duhet të jenë në gjendje që të bllokojnë vullnetin e “shumicës”. Dhe duhet të jenë vendet më të mëdha, ato që japin edhe kontributet më të mëdha financiare, ato që duhet të diktojnë politikat e Bashkimit Evropian.
Që kur ribashkimi gjerman e bëri vendin më të madh në bllok, ka pasur një ‘pushtim gjerman’ të Bashkimit Evropian. Por teksa britanikët nuk janë më në gjendje që ta frenojnë këtë, ky proces ka nisur që të përshpejtohet.
Dëshmia më e qartë e kësaj ishte kërkesa më e fundit e Berlinit për t’i dhënë fund të drejtës së vetos kombëtare. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mas, deklaroi gjatë një takimi me ambasadorët gjermanë se “ne nuk mund të lejojmë të mbahemi peng nga njerëz që e minojnë politikën e jashtme evropiane përmes vetove të tyre”.
Sipas Mas, nëse vendet anëtare lejohen që të pengojnë BE-në duke marrë një vendim “atëherë herët a vonë ato do të rrezikojnë kohezionin e Evropës”. “Prandaj vetoja duhet të hiqet, edhe nëse kjo do të thotë që ne mund të mbivlerësohemi në raport me të tjerët”- theksoi ai.
Për momentin, duket se janë hungarezët ata që e kanë irrituar më shumë shefin e diplomacisë gjermane. Qeveria gjithnjë e më autokratike e Viktor Orban i ka bllokuar thirrjet e BE-së për një armëpushim midis Izraelit dhe Palestinës, duke refuzuar të ratifikojë një marrëveshje tregtare me Karaibet, dhe ka bllokuar një rezolutë ku kritikohet Kina për shkeljen e të drejtave demokratike të qytetarëve të Hong Kongut.
Sigurisht, është paksa e çuditshme që gjermanët po kërkojnë një rregullim të tillë në lidhje me politikën e jashtme. Shumë njerëz argumentojnë me të drejtë se vendosmëria e Gjermanisë për ta bërë veten plotësisht të varur për energji nga Rusia e Vladimir Putinit, ndërsa eksportuesit e saj të mëdhenj janë po aq të ndërvarur nga Kina e presidentit Xi Jingping, nënkupton se Berlini nuk ka moralin t’i bëjë askujt moral brenda unionit se si duhet të sillet.
E megjithatë edhe ky aspekt nuk cek panoramën më të madhe. Tendenca e vërtetë është drejt një BE-je e cila nuk është më një konfederatë kombesh, disa të vogla dhe disa më të mëdha, kuqë të gjitha kanë një zë pak a shumë të barabartë, në një union që është i dominuar nga Gjermania.
Së pari, ribashkimi gjerman e bëri atë anëtaren më të madhe (Gjermania e vjetër Perëndimore, me 62 milionë njerëz, ishte afërsisht e njëjtë me Francën, Britaninë dhe Italinë). Sy dyti, është largimi i britanikëve nga BE-ja.
Italia është tepër e dobët ekonomikisht dhe e përçarë politikisht për të shërbyer si një kundërpeshë, ndërsa elita eurofile e Francës ka besim se mund të kontrollojë kryesisht një BE të dominuar nga Gjermania për qëllimet e tyre.
Ne mund ta shohim këtë tek emërimi i Ursula Von der Lejen, e preferuara e Merkelit si presidente e Komisionit Evropian. Ne mund ta shohim këtë gjë tek kontrolli gjerman mbi Fondin e Shpëtimit për rimëkëmbjen nga koronavirusi.
Dhe tani, po e ri-shohim kërkesën për një rishkrim të arkitekturës së saj politike. Në të vërtetë, zhdukja e vetove do të ishte thjesht hapi i radhës në atë proces. Kundërshtimet e hungarezëve, polakëve, apo holandezëve dhe danezëve ndaj politikave të hartuara në Berlin, mund të shpërfillen.
E megjithatë do të mbetet e paimagjinueshme që Gjermanisë t’i imponohen politika kundër vullnetit të saj. Nëse një BE e kontrolluar nga Gjermania, do të jetë më e mirë apo më e keqe, kjo ha debat:ju mund të argumentoni se ajo do të jetë më koherente, edhe nëse i mungon legjitimiteti demokratik. Por nëse po ndodh dominimi gjerman, është e sigurt se nuk mund të ketë më ndonjë debat.
burimi: https://spectatorworld.com/topic/german-takeover-eu-accelerating
Përshtatur për Tirana Today